Botohet romani i panjohur Ismail Kadare Femija im i paligjshem

Botohet romani i panjohur, Ismail Kadare: Femija im i paligjshem

“Mjegullat e Tiranës” është romani i parë i shkrimtarit, shkruar gjatë kohës kur ishte student në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në vitin 1957-1958

“Për një kohë të gjatë, askush nuk e dinte ekzistencën e një romani të panjohur të Ismail Kadaresë. Dukej sikur ai vetë e kishte harruar romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës”, shkruar gjatë kohës kur ishte student në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në vitin 1957-1958. Askush nuk mund t’i ndërhyjë një autori lidhur me vlerësimin e veprës së tij prej atij vetë. Pavarësisht nga njëfarë misteri që ka rrethuar dhe vazhdon të rrethojë vonesën jashtëzakonisht të gjatë të publikimit të kësaj vepre prej vetë Kadaresë, ajo përbën në vetvete një kureshtje të veçantë për lexuesit e tij, e sidomos për studiuesit dhe hulumtuesit e letërsisë”. Shtëpia Botuese “Onufri” paralajmëron kështu daljen sot në të gjitha libraritë të romanit të parë të shkrimtarit Ismail Kadare.

Për herë të parë botohet teksti integral i romani, një bisedë me shkrimtarin Ismail Kadare dhe komente nga studiuesja Viola Isufaj. Përmes kësaj bisede me studiuesen Isufaj, shkrimtari tregon se çfarë është ky roman, konteksti në të cilin u shkrua dhe arsyet se përse botohet tani. “Arsyeja ishte e thjeshtë, ky roman mbeti edhe më pas si një vepër e mohuar prej meje. Për të qenë më i saktë, ai ishte pjesë e jetës sime të njeriut, por jo e asaj të shkrimtarit. Në këtë të fundit, ai i ngjante një fëmije të paligjshëm. Kjo kishte të bënte ndoshta me dyshimin tim se romani, duke qenë jashtë problemeve të kohës do ta kishte të pamundur botimin. Veç kësaj, pas kthimit nga Moska, ishte e natyrshme që ai të më dukej i prapambetur. Sidomos pas ‘Qytetit pa reklama’, që e kisha shkruar atje, dhe që qëndronte, nga çdo pikëpamje, më lart se ai”, – shprehet Kadare në bisedën me Isufajn. Shkrimtari e nxori dorëshkrimin nga sirtarët në vitin 2012. U fol edhe në shtyp shpeshherë për këtë roman që ende nuk po i vinte në duar lexuesit.

Ky është një roman i rinisë së shkrimtarit, siç shprehet Isufaj në komentin e saj, parazgjatimet e të cilit shtrihen edhe më tej; tek një ditar i dikurshëm studenti.

“Para se të njihte estetikën, filozofinë, historinë, religjionin, etnografinë; shumë më përpara se të arrinte rreth 1000 botime në mbi 45 gjuhë të Europës, Amerikës, Azisë dhe Afrikës, e kështu të bënte të njohshme edhe letërsinë e vendit të tij në antologjinë e letërsisë botërore, Kadare ka provuar të shkruajë disa herë. Jo të gjitha ato shkrime kemi pasur mundësi t’i njohim. Një prej tyre, nga më të largëtit në kohë është pikërisht ky roman ‘Mjegullat e Tiranës’, roman i pabotuar deri më tani dhe për këtë, i panjohur për lexuesin”, – shkruan Viola Isufaj. Por që nga sot, “Mjegullat e Tiranës”, romani i shkruar kur Kadare ishte vetëm 22 vjeç, pikërisht në kohën kur ai shfaqet dhe në foton e paskopertinës, i ‘zbulohet’ lexuesit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama