Botues nga Shqiperia dhe Kosova me 1200 tituj te rinj ne Prishtine

Botues nga Shqiperia dhe Kosova, me 1200 tituj te rinj ne Prishtine

Në Prishtinë sot është Dita e Librit. Panairi i 16-të fton lexuesit për t’u njohur me 1200 tituj të rinj librash dhe të takohen me autorët e tyre. Ceremonia e hapjes së Panairit të 16-të do të bëhet sot në orën 18:00, për të qëndruar i hapur deri më 8 qershor. Rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora do të prezantojnë autorët e tyre shqiptarë dhe të huaj. Shoqata e Botuesve e Kosovës ditë më parë ka bërë të ditur se këtë vit do të prezantohen rreth 1200 tituj të rinj librash dhe rreth 4000 tituj të tjerë të viteve të fundit.

Duke qenë një panair tashmë me traditë të konsoliduar dhe fizionomi të qartë, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore: si 450-vjetori i lindjes së Shekspirit, 200-vjetori i lindjes së Jeronim De Radës, 170-vjetori i lindjes së Zef Serembes, 140-vjetori i lindjes së Shtjefën Gjeçovit,

100-vjetori i lindjes së Octavio Paz, 100-vjetori i lindjes së Marguerite Duras, 100-vjetori i lindjes së Sterjo Spasses dhe 100-vjetori i lindjes së Mehmet Gjevorit.

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të Panairit. Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora. Për herë të parë, Panairi i Librit në Kosovë është mbajtur në 17-22 nëntor të vitit 1999, ndërkohë që në vitet që pasuan ai është organizuar dhe vazhdon të organizohet çdo muaj qershor, kjo dhe për t’i mundësuar librit shqip që të jetë i pranishëm në Panairin e Librit të Tiranës që zhvillohet çdo nëntor.

Sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës pritet që Panairin këtë vit ta vizitojnë rreth 35 000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Shqipëria si gjithmonë është e pranishme në këtë panair. Botuesit më të rëndësishëm shqiptarë prezantohen me stendat e tyre në Prishtinë. Ashtu si në Tiranë, edhe Panairi i Prishtinës ka fituesit e tij. Në fund të këtij aktiviteti, një juri speciale shpall dhe librat më të mirë sipas kategorive: prozë, poezi, kritikë/studime letrare/ eseistikë/publicistikë, përkthim letrat etj. Dhe ndryshe nga ai i Tiranës, jep dhe çmime për shkrimtarin më të mirë të vitit në letërsinë shqipe, shkrimtarin më të mirë të vitit në letërsinë e huaj dhe për stendën që ka arritur të “joshë” sa më shumë vizitorë përgjatë ditëve të Panairit.

Juria speciale e cila do të nderojë me Trofeun e Panairit, është po ajo e vitit të kaluar, në përbërje të së cilës janë: Ilire Zajmi, Anila Xhekaliu dhe Naim Kelmendi.

Në këtë edicion të Panairit të Librit nuk do të mungojnë as risitë, ku risi për këtë vit do të jenë titujt e rinj të botuar brenda dy panaireve. Do të jenë të pranishëm në ceremoninë e hapjes edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe homologu nga Kosova, Memli Krasniqi. Gjatë pesë ditëve që do të jetë i hapur ky panair do të zhvillohen aktivitete promovuese, debate, nënshkrime librash nga autorë të pranishëm, si dhe do të ketë informim për lexuesit, vizitorët e shumë aktivitete të tjera.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama