Rritja e çmimit të cigareve dhe heqja e lehtësive për biokarburantet ishin dy nga debatet që u zhvilluan dje në mesditë në Komisionin e Ekonomisë, mes Ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe kryetarit të Komisionit të Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë, Erion Braçe. Ky i fundit debatoi me kreun e Financave, duke pohuar se ka kërkuar me kohë listën e çmimeve të cigareve, ndërsa sipas Braçes, prej disa javësh çmimet e cigareve janë rritur me 30 lekë në treg. Ai më tej pohoi se një pjesë e tregtarëve ambulantë po abuzojnë me çmimet ndërsa duket se tregtarët e shumicës kanë bllokuar mallin, duke pritur që ta riheshin në treg në momentin e rritjes së akcizës me çmim abuziv. Braçe pyeti Canin: Pse rritet çmimi i duhanit kur akciza s'është miratuar?”, ndërsa ky i fundit u përgjigj se ata ishin në pritje që të hynte në fuqi ligji. Ndërkaq veç debatit për cigaret Cani paraqiti në Kuvend projektligjin “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, të ndryshuar, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave tha se arsyeja e shfuqizimeve të dy dispozitave ligjore, që parashikojnë lehtësi për këtë sektor argumentohet me politikën e qeverisë për rishikimin tërësor, me heqje të të gjitha lehtësirave fiskale të dhëna ndër vite në sektorin hidrokarbur dhe karburantet duke i barazuar këta sektorë me të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë nga pikëpamja e trajtimit në mënyrë të barabartë fiskale të të gjithë sektorëve të ekonomisë.
Cani tha se me këtë projektligj mbështetet karburanti bio, j përmes akcizës, por përmes ekofondit që parashikohej në këtë draft. Kreu i financave publike bëri të ditur se Fondin Monetar Ndërkombëtar është rënë dakord që nuk do të jenë taksat, mënyra për të mbështetur produktet, por këto do të mbështeten përmes paketave buxhetore. Ministri Cani vuri në dukje se niveli i taksave nuk është domosdoshmërisht formë e paketës mbështetëse. Në paketën fiskale 2014 u rishikuan, me heqje, të gjitha lehtësitë fiskale në sektorin hidrokarbur (të shoqërive naftënxjerrëse).
Tashmë, pas një analize të kujdesshme të tërësisë së këtij sektori, propozohet heqja e lehtësisë fiskale edhe në sektorin e biokarburanteve. Periudha 7-vjeçare e marrjes së kësaj lehtësie është cilësuar më se e mjaftueshme në përfundimin e të gjitha investimeve në këtë sektor. Kjo lehtësi fiskale e akorduar nga viti 2008 për stimulimin e biokarburanteve në vend ka qenë më se e mjaftueshme për përfundimin e investimeve në vend. Vetëm për vitin 2013, kjo lehtësi ka qenë në masën 1.2 miliardë lekë akcizë të rimbursuara për biokarburantet. Ky propozim mbyll heqjen e çdo lehtësie fiskale në sektorin e hidrokarbureve dhe politika e qeverisë është drejt analizimit të dhënies së lehtësirave fiskale në sektorë të tjerë të ekonomisë, siç është sektori i bujqësisë (skema e kompensimit të TVSH-së së fermerëve në masën 20 për qind.