Brace ofendon shefin e Rrugores polici Skam konflikt me deputetin

Brace ofendon shefin e Rrugores, polici: S'kam konflikt me deputetin

Qytetarët shprehën hapur shqetësimin e tyre lidhur me shefin e Qarkullimit Rrugor në Lushnjë, gjatë një takimi elektoral me deputetin e majtë, Erjon Braçe. Ankesat për kreun e Rrugores së Lushnjës, Braçe u shpreh se i kishte marrë edhe më parë nga qytetarët, për të cilat kishte kërkuar një reagim nga ana e qeverisë.

 

Gjatë dëgjesës, një qytetar i kërkon shkarkimin e tij, për të cilën deputeti socialist Erjon Braçe shprehet se, ka gjashtë muaj që ia kërkon qeverisë së tij.

 

Ja debati i Braçes me qytetarin:

 

Brace: Pse mo me një rrugaç siç është ai shefi i Qarkullimit të Lushnjës do merrem unë. Po jo mo, nuk e komandoj unë fare. Unë kam gjashtë muaj që i them qeverisë sime: "Ma hiq atë rrugaç nga Lushnja".

 

Qytetari: Duhet ta kishe hequr. Të kemi dhënë votën, për këtë gjë.

 

Braçe: Ma ke dhënë mua votën, por unë nuk jam komandant i policëve. Unë s’merrem me policët. Unë merrem në Parlament atje të flas, të ngre shqetësimet dhe me radhë. Dhe shqetësimet që kam marrë nga banorët e Lushnjës për shefin e qarkullimit rrugor të Lushnjës, është shumë i madh. Është abuziv, është arrogant, është gojështhurur, është rrugaç, policët e qarkullimit marrin gjobat e me radhë.

 

Qytetari: Zotëri kur i keni dëgjuar këto ankesa pse nuk është marrë masë

 

Braçe: Zotëria ka marrë një masë paralajmërimi për të gjitha këto. Pasi unë i kam bërë gjërat atje ku duhet, i kam çuar gjërat atje ku duhet, kam marr një masë.

 

Kreu i Rrugores së Lushnjës: S'kam konflikte me deputetin Braçe

 

Një ditë pas denoncimit të qytetarëve dhe deklaratës së Braçe, që e cilësoi si ‘rrugaç’ kreun e Rrugores së Lushnjës, ky i fundit reagoi për gazetën “Shqiptarja.com”.

 

Shefi i Rrugores së Lushnjës, Julian Balliu, thotë se nuk ka konflikte me deputetin Braçe. Ai thekson se, video e publikuar nuk ka nevojë për koment.

 

“Nuk kam asnjë konflikt personal me deputetin Erjon Braçe dhe nuk e di arsyen se përse është shprehur në atë mënyrë për mua. Ajo video nuk ka nevojë për koment. Deputeti ashtu e ka menduar ashtu u shpreh, nuk kam koment”, thotë Balliu.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama