Deputeti i Partisë Socialiste ka reaguar sërish lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 mln lekëve nga banka e Shqipërisë pas arrestimit të 7 personave të tjerë ditën e djeshme.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Braçe akuzon guvernatorin Fullani se ka gënjyer deputetët e komisionit të ekonomisë lidhur me inventarizimin.
“Deputeti Ervin Koçi e pyeti guvernatorin nëse ishte bërë vit për vit, për efekt edhe të bilancit të Bankës, inventarizimi fizik i vlerave monetare të administruara në arkat e vjedhura. Guvernatori iu përgjigj se ky inventar është bërë, por sipas standardeve të reja të BQE, inventari bëhet me zgjedhje në 5% të
arkave. Kjo është edhe arsyeja pse nuk janë zbuluar më parë arkat e vjedhura”, thotë Braçe.
Sipas tij, deputeti Koçi insistoi i habitur se si mund të bëhet bilanci e të certifikohet pa u bërë inventari fizik dhe guvernatori serish insistoi se kjo është tani praktika evropiane e inventarizimit për shkak të volumit të madh.
“Sot, Prokuroria paska zbuluar se një rregullore e vitit 2006 paska sanksionuar inventarizimin fizik të çdo kolie me para dhe referuar kolive të shqyera thotë se ato kanë qenë lehtësisht të dallueshme nga çdo inventarizues”, shkruan Braçe.