Braktisja makabre e monumenteve

Braktisja makabre e monumenteve
Arkitekti dhe eksperti i trashëgimisë kulturore, Artan Shkreli thotë se rasti i fundit i prishjes së afreskeve të Onufrit ka ardhur nga indiferenca e organeve të shtetit. Shkreli thotë se plani rregullues për Tiranën neglizhon hapur standartet urbanistike dhe realitetin konkret të kryeqytetit. Ai thotë se difekti kryesor i Lulzim Bashës është ankthi për të kapur trashëgiminë që la pas Edi Rama

Zoti Shkreli, plani i ri urbanistik i Tiranës ka shkaktuar një numër reagimesh nga shoqëria civile, aktorët politikë dhe qytetarët e thjeshtë. Cilat janë rreziqet kryesore që mbart ky plan për të ardhmen e kryeqytetit të Shqipërisë?

E kam theksuar edhe në reagimet e para që ne si shoqëri civile kemi patur, se defekti kryesor që mbart Plani i Përgjithshëm Rregullues, që Bashkia ka paraqitur, është mungesa e një data-base të përditësuar në bazë të të dhënave reale. Jo se nuk ka patur data-base, por ai nuk është marrë parasysh. Kështu që edhe përfundimet e konceptit mbi të cilin është ngritur Plani, janë të komprometuara rëndë. Nëse do të rendisja këtu disa nga kolonat e gabuara, mbi të cilat mbështetet ky planifikim, ato janë:

a. Nuk janë marrë parasysh pasqyrat reale të zhvillimit demografik të kryeqytetit. Kështu mbas 20 vjetësh fshikullim të Tiranës, nga emigrime masive nga fshatrat, malësitë dhe qytezat, të cilat kishin ndikuar në uljen e cilësisë urbane të saj, dukej se po miratohej një plan i mirëqenë, i cili më shumë se një plan ndërtimi, ishte një plan rehabilitues i qytetit. Ky ishte i ashtuquajturi Plani Zviceran. Përllogaritjet e rritjes demografike të Kryeqytetit për vitet e ardhëshme qenë reale dhe të mbështetura mbi një logjikë statistikore diakronike, dhe garantohej ruajtja e një barazpeshe thuajse ideale midis zhvillimeve të reja dhe konservimeve të qytetit tradicional. Madje ky i fundit “zgjerohej” si koncept, në krahasim me planin paraardhës, atë Francez, të miratuar vetëm 5-6 vjet më parë, e që përfshinte pjesën më të kualifikuar të strukturës urbane të Tiranës-kryeqytet.

Tani, nëse vijmë te plani aktual, të cilin do parapëlqeja ta quanim Plani Basha, ky niset nga një dogëm e paracaktuar apriori, lidhur me rritjen demografike të qytetit. Plani Basha parashikon që 20 vitet e ardhme Tirana-Qytet të bëhet mbi një milion banorë. Ky është gabimi i parë metodologjik i tij, pasi përllogaritjet në terren dhe dhe matjet në kohë, nuk të shpien assesi drejt kësaj shifre. Kështu sipas Bashkisë, në 20 vitet e fundit Tirana-Qytet ka mbërritur në rreth 620.000 banorë, por nga ana tjetër, sipas censusit të bërë publik nga  qeveria, del se ajo ka rreth 420.000 syresh.

Le të mos e paragjykojmë Bashkinë dhe të parasupozojmë që Tirana-Qytet ka sot rreth 620.000 banore. Pra i bie që në 20 vite (nga 1992, kur fillojnë ardhjet e para, e deri në 2012) Tirana-Qytet të jetë shtuar me rreth 370.000 banorë. Në relacionin shoqërues të Planit Basha, parashikohet që deri në vitin 2020, popullata të shkojë në mbi 1.000.000 banorë. Pyetja është e thjeshtë: si do t’u shtuaka Tirana në 7 vitet e ardhshme me rreth 380.000 banorë të tjerë, kur në 20 vjetët e shkuara është shtuar vetëm me 370.000 banorë dhe për më tepër kur flukset migratore të brendëshme dihet se kanë renë drastikisht, e gjithaq kur lindshmëria poashtu është në renië dramatike? Nëse do të llogarisim trendin ekzistues (duke u nisur nga vetë grafikët e ofruar nga Bashkia i bie që, jo në 2020-ën sic thotë ajo, por edhe 10 vjet më vonë, në vitin 2030, popullata të shkojë nga 620.000 banorë që është sot, në vetëm 700.000 banorë.

Atëhere pyetja lind spontanisht: cili nga Bashkia mund të përgjigjet se përse i duhet Tiranës një plan zhvillimi kaq i mbidimensionuar (parashikohet ndërtimi i miliona metrave katrore të panevojshme e antiproduktive) dhe se cilat janë baza e politikave të zhvillimit të territorit të Bashkisë Tiranë? Kjo është një çeshtje shumë serioze, nga zgjidhja e së cilës përcaktohet krejt ecuria e mëtejshme jo vetëm e industrisë së ndërtimit, por edhe e planeve afatmesme të investimit të Bashkisë në fushën e infrastrukturës primare e asaj sekondare.

b. nga materialet e paraqitura, arrihet në përfundimin se planifikuesit urbanë nuk kanë patur (ose nuk kanë marrë në konsideratë) disa nga elementet e domosdoshme, mbi të cilat ndërtohen të ashtuquajturat “pengesat urbanistike”, siç janë: harta e saktë dhe e azhornuar e hapësirave muzeale dhe objekteve monumentale, në të tri shkallët e kualifikimit të tyre – mbi dhe pranë të cilave nuk mund të planifikohen zhvillime dhe realitete ndërtimore me struktura të reja; harta e lulishteve dhe parqeve ekzistuese (pavarësisht nga pronësia e tyre) mbi të cilat nuk mund të ndërtohet; harta e korridoreve ajrore, bazuar mbi trëndafilin e erërave dhe statistikat e reshjeve të ndryshme – të cilat janë përcaktuese për drejtimet, intensitetet dhe lartësitë e strukturave që do të propozohen; harta apo grafikat e siluetave dhe pejsazheve arkitekturore e urbane, të cilat duhen respektuar nëse pranë tyre planifikohen struktura të reja ndërtimore; harta e sensibiliteteve mjedisore në shkallë të gjerë dhe ajo e hot-spoteve, të cilat janë përcaktuese për zhvillimin dhe reintegrimin e zonave industriale apo atyre të ndotura në mënyra të ndryshme; harta hidrografike e rrjetit natyral të rrjedhave të përrenjve, sheheve dhe vijave të ndryshme – mbi dhe pranë të cilave nuk mund të ndërtohet; kartografia diagramatike e diellëzimit dhe hijezimit – kusht për zhvillimin e zonave të reja urbane, e kështu me rradhë.

Vetëm pas këtyre dy pilonëve të fuqishëm, nis procesi i planifikimit për ndërtime të reja në zonat e mbetura të qytetit dhe ai i rehabilitimit rivlerësues dhe konservimit të zonave “të penguara”. Kjo është “A”-ja e shkencës së urbanistikës, pa realizimin e së cilës nuk mund të realizohen gërmat e tjera. Sinqerisht nuk mund të kuptoj, pa më shkuar mendja për keq, kriteret mbi të cilat ka punuar grupi i punës. Kjo mungesë kriteresh, ka evidentuar për rrjedhojë rrezikun që i kanoset Tiranës: zhdukjen ose dëmtimin e konsiderueshëm të memories historike, artistike, arkitekturore, urbanistike e mjedisore të asaj çka e bën Tiranën Tiranë, e që e shquan prej çfarëdo qyteti tjetër, sikundër Shkodra apo Ballshi. Me këtë plan që nuk analizon aspak konsideratat e mësipërme, ky qytet rrezikon kodin gjenetik të tij.
 
Ka kaluar një vit e gjysëm qëkurse Lulzim Basha është ulur në poltronin e kryebashkiakut. Cili do të qe një bilanc i punës së tij për këtë segment kohor?

Pyetja e juaj është shumë e vështirë për mua. Di vetëm që administrata Basha, me kohën që ka patur në dispozicion, mund të krahasohet me punën e administratës Brojka. Ndërsa, sa i  përket administratës paraardhëse, mund të them se në një vit e gjysëm, pra në fillim të 2002-shit, Rama kish kryer një Revolucion të mirëfilltë. Ajo çka e dëmton punën e Bashës, mendoj se është ankthi për t’u krahasuar me Ramën, gjë që është e gabuar , pasi sekush ka qasjet e veta, si dhe doza e lartë e folklorozmit dhe anakronizmit në metodë. Stafi Basha ka nevojë të ngutshme për përtëritje konceptuale, ka nevojë për njerëz të rinj, të lirë e të pakorruptuar; ka nevojë për moderní. Puna e Bashës fatkeqësisht ende nuk ka një bilanc, në kuptimin paradigmatik të fjalës.
 
Dëmtimi makabër i një afresku të Onufrit në Elbasan, rikthen në vëmendjen e publikut urgjencën e ndërhyrjes për të mbrojtur e shpëtuar trashëgiminë kulturore. Si e shihni sjelljen e institucioneve të shtetit në këtë aspekt?

Keni përdorur një term të tmerrshëm, por të përshtatshëm. Ajo që ka ndodhur në kapërcyell të vitit të ri në kishën e izoluar të Shëne’Premtes, në Valsh të Shpatit të Elbasanit, është as më pak e as më shumë, por një makabritet kulturor. Afreskat e Onufrit nga Neokastra (siç i thonin bizantinet Elbasanit, kur qyteti po ndërtohej) janë unikale në krejt hapësirën Ballkanike. Unikale dhe pikë. Njohësja e madhe e këtij arti, Viktori Puzanova, shkriu pasionin e jetës së saj për zbulimin dhe kritikën artistike të pikturës ikonografike të Onufrit dhe i shfaqi Europës një gjeni të pashoq: Michelangelon shqiptar. Mbi veprën e tij u investuan miliona e miliona në restaurime, studime e botime dhe vjen një ditë...
E gjitha kjo, në thelb ishte një krim i paralajmëruar, e aspak një e papritur. Mund të ishte e paprecedent, por jo e papritur. Një valë e papërmbajtshme vjedhjesh e dhunimesh po i bëhet trashëgimisë sonë më autentike dhe shteti rri e vështron i pafuqishëm. Kjo pafuqishmëri, për mendimin tim, vjen nga dy faktorë:

a. Mungesa e politikave të zhdërvjellëta në drejtim të rivlerësimit dhe bërjes së vizitueshme të këtyre objektëeve monumentale të harruara e që përmbajnë vlera unikale dhe mungesa e një sistemi a rrjeti efikas vigjilance, të aftë për të lajmëruar në kohë reale kanosjet e ndryshme ndaj monumenteve. Braktisja e tyre që u bë në vitin 2007 është tashmë proverbiale, kur u hoqën financimet edhe për kujdestarin e fundit të monumenteve. Tashmë gjendja është alerte, por Ministria e Kulturës nuk po e vë aspak ujin në zjarr. Ministri Bumçi duhej t’i kishte prishur gjumin me kohe Kryeministrit për katastrofën që tashmë ka prekur thelbin e trashëgimisë sonë. Por ai ka preferuar të heshtë. Ky ështe rezultati.
b. Mungesa e masave të marra nga Ministria e Brendëshme. Hajdutët dhe dhunuesit ndihen të paprekshëm, pasi asnjehërë nuk është vërejtur ndonjë ndëshkim shembullor ndaj kriminelëve të monumenteve. Kjo gjë nuk ndodhte në kohë të Enver Hoxhës, as në kohë të Zogut, e as në kohë të Turqisë, pasi ata të thyenin dhëmbët dhe dera e burgut qe e hapur frikshëm për këso krimesh.

Por kjo sot nuk ndodh. Shteti nuk i del më për zot thesareve të veta dhe hajdutët e dhunuesit po masakrojnë me shpejtësi gjithçka. Do kish qenë e ndershme, nëse administrata përkatëse do fillonte të analizonte përgjegjësitë, në vend se të thoshte që veprimtarët e Shoqërisë Civile po e politizojnë çeshtjen. Dikush nga drejtuesit e lartë duhet të dorëhiqet, e dikush nga përgjegjësit e dëmtimit duhet të përfundojë pas hekurave. Kjo do ta ulte furinë vrastare, ndonëse Onufri nuk vjen më.
 
Duket se ka një indiferencë të përgjithshme të shoqërisë ndaj ruajtjes së vlerave historike e kulturore. Ju, si person aktiv i shoqërisë civile në mbrojtje të këtij fondi, si e komentoni këtë pasivitet të publikut?

Po, është e vërtetë. E dhimbshme. Shoqeria Civile ushqehet nga reagimi i Opinionit Publik dhe pastaj bëhet zëdhënëse të tij. Por kjo nuk mjafton. Edhe vetë opinioni publik ushqehet nga reagimi i Shtetit dhe respekti që ai tregon ndaj tij. Nëse shteti nuk vepron, ky respekt mungon, Opinioni mpihet. Kjo e vret dhe Shoqërinë Civile, gjë që shpie në një arbitraritet të Shtetit e kështu me rradhë. Eshtë rreth vicioz, i cili nuk duhet çarë. Qeverisjet demokratike këtë e dinë mirë dhe e kanë ngritur në standart, ndërsa ne kemi ende shumë rrugë për të bërë. Ajo çka është më themelorja sot, është emancipimi i shtetit, i cili ndodhet në një batak që shoqëria jonë ndofta nuk e meriton.
 
Çfarë mendoni, si arkitekt, për mënyrën, vendin dhe cilësinë e ndërtimeve në Shqipëri, në dy dekadat e fundit? Cilat janë sipas jush, defektet kryesore që ka shfaqur stili dhe cilësia e ndërtimeve në vendin tonë?


Cilësia e ndërtimeve padyshim që ka ardhur duke u rritur në dhjetëvjecarin e fundit. Por duhet thënë se mënyra dhe cilësia e ndërtimit varet shumë edhe nga niveli socio-ekonomik i vendit. Në këtë drejtim, Arkitektura edhe mund të bëjë përpara në mënyrë spontane (të paktën deri në një fare stadi), por Urbanistika është thuajse krejtësisht e varur nga niveli i përfaqësimit politik të një vendi të caktuar.

Kështu kur niveli i përfaqësimit bie, si në rastin e Bashkisë Tiranë, bie edhe niveli i administrimit të problemeve urbane. Tani psh, gjysma e Tiranës po ndërtohet pa leje dhe administrata bashkiake është e pafuqishme të frenojë këtë fenomen. Pasojat e kësaj periudhe për fat të këq do të jenë afatgjata. Në fund të fundit këto janë ndeshtrashat (ngjarjet) e një qyteti dhe Tirana ka të sajat. Rigoroziteti i administratës shtetërore ndikon drejtpërdrejt në Urbanistikë, prandaj dhe rëndom thuhet se nga planimetritë e qyteteve, shihet rendi politik i një qytetërimi të caktuar.

Ndërsa sa i takon Arkitekturës, këtu roli i privatit është më përcaktues  - ndonëse jo krejtësisht. E them këtë të fundit, pasi edhe te privati ndikojnë kodet shtetërore të projektimit. Mungesa apo parregullsia e kodeve krijon kakofoni edhe në arkitekturë, kjo vërehet kudo në Tiranë. Kujtoj fjalët e Daniel Libeskind-it, që kur pa hotelin në trajtë aeroplani pranë Rinasit, tha: Për Zotin, ju shqiptarët keni një fantazi prej arkitekti!

Gjithsesi, përtej shakave, ironive e të vërtetave, ka ardhur koha që projektuesit të orientohen rigorozisht nga standartet europiane, qoftë sa i pëërket normativave të projektimit, qoftë sa i përket normave teknike mbi detajet, efiçensën e energjisë, eurokodeve etj. Ajo që pritet nga konsumatori sot, është jo dhe aq që të ndërtohet bukur, se sa të ndërtohet mirë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama