Përplasje deklarimesh për makinën e ish-ministres.
Bregu: Jaguari im 6000 euro, fansat: Na trego faturën!
“Znj.Majlinda, që të bëheni më bindëse për ne që lexojmë gazetat, tregoni librezën e makinës”
Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka dashur dje që të “sqarojë me dy fj-alë”, siç tha edhe vetë ajo, çmimin e makinës së saj, tip “Jaguar”.
Ajo la të kuptohet se automjeti i ka kushtuar vetëm 6 000 euro, ndërkohë që një markë e tillë, prodhim i viteve të fundit, në treg vërtitet nga 60 000 euro deri në 90 000 euro. Reagimi i saj përmes profilit personal në Facebook ka ardhur pas publikimit të disa fotove të Bregut me makinën e shtrenjtë dhe çmimin e saj në gazetën “Panorama”, për të cilat ish-ministrja duket se ka rezerva. “Po ju them dy fjalë: Ju ftoj të gjithëve ju që nuk dini se çfarë çante kam në dorë, por i besoni gazetës se bën 20 mijë euro, që nuk dini se e kujt viti është makina që kam blerë, sa km ka bërë, çfarë opsionesh ka, elementë të cilat çmimin e largojnë më shumë se 10 herë nga vlera që të përditshmet e pavarura ju servirin për t’ju lënduar, të kërkoni informacion për të vërtetuar sa, ku, si është e vërteta.
Unë e bëj këtë çdo vit zyrtarisht, në përgjigje të ligjit e jo të pallavrave që duan të shesin gazetat”, ka shkruar Bregu në FB, ndërsa aludon edhe për “pse-të” e këtyre lajmeve. “Ndoshta për të tërhequr vëmendjen nga mënyra se si po ‘i mban premtimet’ qeveria. Për të manipuluar opinionin me sajime, në mënyrë që sa herë të dëgjoni për pasuritë e padeklaruara të Ramës apo Koços, për emërimet pa kriter, për rregullimin e ambienteve të KM pa procedurë, me fonde që nuk dihet nga vijnë, nga kush e pse u bëkan dhuratë etj., t’ju bëjnë të mendoni se fajin e kanë ata që sot janë në opozitë e se të gjithë janë njëlloj”.
Reagimet
Pas statusit të saj në FB, kanë vërshuar reagimet pro dhe kundër. Në profilin e saj personal komentet kanë qenë me superlativa se sa zonjë e hijshme dhe fisnike ngjan ish-ministrja, ose se sa duhet ajo në popull kur blen gjëra të shtrenjta, siç është rasti i fanses Joana Josifi: “Znj. Majlinda, nëse janë të vërteta çmimet që përmenden nëpër gazeta, po më shtohet dashuria për ju akoma më shumë, jeni idhulli im! Ju nuk meritoni aq, por akoma më shumë, se keni qenë e për mua vazhdon të jesh Kokë Shteti”. Por, shumë nga komentuesit i kanë kërkuar drejtpërdrejt Bregut që të publikojë faturën e blerjes së makinës “Jaguar”. “Na e sill pak atë deklaratën e pasurisë që ta shohim dhe ta besojmë, se me fjale je e zonja”, i shkruan një fans me emrin “Ditari Shvejkut”, ndërsa mbështetet nga një tjetër i quajtur Bledar Myftaraj: “Zgjidhje shumë e thjeshtë. Bravo! S’ka nevojë për llafe të kota”. Rrubjeka Durrës është një tjetër komentues që i sugjeron Bregut: “Znj.Majlinda, që të bëhet më bindëse për ne që lexojmë gazetat, na e tregoni librezën e automjetit (fotokopje)”. Këtyre personave Bregu u është përgjigjur: “Mund t’ia kërkoni ILDKP. E keni publikisht në internet”. Por, te sajti i ILDKP-së nuk ekziston ndonjë deklarim i tillë dhe këtë fakt ia kanë vënë në dukje komentuesit e tjerë, të cilët kanë vijuar më tej debatin se sa kushton një makinë e tillë në treg, madje duke iu referuar okazioneve më të mira.
Çmimi i “Jaguar”
Klodian Mitro i shkruan Bregut se “në faqen e MOBILE.DE qenka e lira moj Maji(Majlinda) vetëm për 35 000 euro”. Ndërsa Xhezar Blloshmi, ndër të tjera, i thotë: “Para se të komentoja, bëra një kërkim në internet dhe më del që makina juaj, edhe e përdorur, është shumë e kushtueshme. Këtu nuk shoh publikime gënjeshtrash”. Këto janë citime të shkëputura direkt nga komentet e faqes personale të Bregut në Facebook, ndërsa nëse do t’u referoheshim sajteve të tjera të internetit ku është publikuar reagimi i saj, fjalori dhe pyetjet që i bëhen ish-ministres nuk janë kaq të moderuara. Në gjithë këtë debat nuk kanë munguar as batutat. Pas deklarimit të Bregut se “Jaguar”-i i saj ka kushtuar rreth 6000 euro, dikush ka nxituar t’i ofrojë asaj “në dorë” 12 000 euro për t’ia blerë. Ndërsa dikush tjetër i ka dhënë “të drejtë” Bregut për çmimin 6000 euro, nëse “Jaguar”-i është blerë i vjedhur.
Skepticizmi
Pas publikimit të deklaratës të Bregut në Facebook, komentuesit nëpër sajte të ndryshme dhe blogje kanë shprehur masivisht skepticizmin për çmimin që ish-ministrja thotë se e ka blerë “Jaguar”-in. Ata kanë postuar dhjetëra linqe ku shiten makinat e përdorura, ku në asnjë rast nuk rezulton të gjendet me 6 000 euro një markë e tillë automjeti. Gjithashtu, duke vëzhguar makinën e Bregut, komentuesit shkruajnë se ai “Jaguar” është prodhim i vitit 2011, megjithatë, të tjerë lëkunden deri në vitin 2009. Por, jo prodhim më i vjetër se kaq…
Sa kushton “Jaguar”-i i ish-ministres Bregu
Duke iu referuar tregut të makinave në internet në sajtet më në emër, si www.autoscout24.ch/de/autos/jaguar—xf?, http://veicoli.autoscout24.it/, www.mobile.de, www.secondamano.it etj. rezulton se një “Jaguar” i përdorur, si i ish-ministres, kushton jo më pak se 27 000 euro, pa llogaritur këtu zhdoganimin dhe taksat. Janë edhe disa oferta me nga 19 000-21 000 euro, por që këto makina janë të lajmëruara për defekte dhe që i kanë kaluar më së paku 120 mijë km. Ndërsa në Shqipëri, në ato pak okazione që janë, “Jaguar”-i i përdorur dhe i vitit 2008-2009 shitet diku te 35 mijë euro.