Kur Indro Montanelli, një prej personazheve më interesantë të gazetarisë italiane, mbërriti për herë të parë në Portin e Durrësit nuk i kishte kaluar të 30-at. I riu, që karakterizohej nga një ironi therëse, dhe ishte i pagabueshëm në instinktin e tij do ta kuptonte shumë shpejt përse ky vend kaq pranë vendit të tij të lindjes, mbante emrin e një shqiponje. Në të mund të shihje në një kohë të shkurtër malet dhe detin.
Në librin që shkroi më pas më 1935-n, “Shqipëria një e njëmijë” që është dhe libri i parë i botuar prej tij, teksa përshkruan Ahmetin, shoferin që e shoqëroi gjatë këtij turi të pazakontë, shkruan: “Shoferi që më shoqëronte quhej Ahmet, por, ndryshe nga ç’mund të të shtynte për të hamendësuar, emri siç ndodh rëndom në Shqipëri, ai ishte katolik: katolik dhe malësor, me origjinë nga Mirdita, më pas i shpërngulur nga fshati në qytet ku ishte bërë mekanik, një djalosh i bukur, tip i pastër shqiptari, i gjatë, zeshkan, me flokë të shndritshëm, hundëshkabë, i veshur me kostumin kombëtar ngjyra-ngjyra që binte në sy: qeleshe e bardhë, jelek i zi, këmishë e kuqe, ca larime të çuditshme me ngjyrë të hapur në fund të pantallonave të zeza dhe të gjata. Ky, njëfarësoj, është kostumi i të gjithë shqiptarëve të veriut, që quhen gegë”.
Një nga tregimet e para që ai mësoi për Shqipërinë ishte ndarja e saj në dy krahina, gegë dhe toskë. Ahmeti, djaloshi që dikur kishte jetuar në Romë, ishte pasqyra më e mirë për të njohur gegët. Më pas, udhëtimet në Veriun e Shqipërisë, do ta bënte të njihte më mirë, se pse kjo pjesë e vendit ku natyra ishte disi e ashpër dhe njerëzit mbanin veshur qeleshe, apo veshje krahinore mbante këtë emër. Në Shqipërinë e para Luftës së Dytë Botërore, karakterizimi i vendeve dhe njerëzve sipas krahinave ishte diçka më se normale. Librat e parë në gjuhën shqipe u shkruan nga shkrimtarë që vinin nga pjesa veriore e vendit, çka e bënte gegërishten një proces natyral në të shkruar. “Formula e pagëzimit”, dokumenti i parë shqip, apo “Meshari” i Gjon Buzukut, “Çeta e Profetëve” nga Pjetër Bogdani, veprat e Pjetër Budit, “Lahuta e malcis” e Gjergj Fishtës, apo shkrimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit nga Shtjefën Gjeçovi. Deri me mbarimin e Luftës dhe nisjes së regjimit komunist në Shqipëri, dukej sikur ndarja e shqiptarëve në gegë dhe toskë ishte diçka normale, e cila pranohej lehtësisht nga të dyja palët. Me standardizimin e gjuhës shqipe dhe censurës që sistemi komunist vuri ndaj gegërishtes, duke e mënjanuar si dialekt duket se u krijua një mur, i cili do ta bënte për më shumë se 40 vjet një gjuhë disi të ndaluar. Është e vështirë të gjejmë pas Kongresit të Drejtshkrimit tekste shqipe të cilat u referohen dialekteve apo i përmendin ato qoftë edhe shkarazi. Pas viteve ‘90, çështja gegë toskë është rikthyer sërish në horizont herë në formën e një debati, herë duke portretizuar çështje të caktuara.
Nëse para viteve ‘90 përmendja e ndarjes krahinore bëhej thjesht si një ndarje natyrale fizike, këto 20 vitet e fundit përmendja e ndarjes krahinore shpeshherë ka qenë dhe tendencioze, si për të ndarë dy botë, brenda një vendi të vogël. Jo rrallëherë politika e ka ushqyer këtë ndarje për të nxitur tensione nga njëra anë. Pakkush nga studiuesit e shqipes pas viteve ‘90, janë ulur të shkruajnë për çështjen toskë-gegë. Dhe debati i nxehtë disa muaj më parë për ndryshimet, Këshilli Ndërakademik për Gjuhën donte të bënte në standard, duket se e ka zanafillën në mënjanimin e gegërishtes. Në këtë atmosferë keqkuptimesh, analisti Mustafa Nano shfaqet me një anë tjetër të tij, atë të një studiuesi i cili nuk trembet të marrë në dorë një temë ndaj së cilës janë stepur dhe akademikë, për të treguar historikisht se gjuha duhet të jetë ajo që duhet të na bashkojë, e jo të na ndajë. Libri i tij, i cili sapo ka dalë në treg “Unë jam gegë”, nga UET, është një analizë e kujdesshme e toskëve dhe gegëve të Shqipërisë, i shqiptarëve në të dyja anët e Shkumbinit.
Duke ruajtur stilin me të cilin jemi mësuar ta lexojmë, Nano, sjell një rrëfim të munguar në studimet shqipe mbi këtë çështje, duke i parë dy dialektet, apo dy krahinat si një pasuri për vendin, pavarësisht se mes rreshtash gjejmë dhe fjali tipike të tij të cilat kërkojnë të provokojnë debate. Ky i fundit është dhe qëllimi i një autori, i cili kërkon të zgjojë pjesën e fjetur prej vitesh në lëmin e studimeve shkencore apo historike. Sa më shumë flitet për një çështje, aq më shumë merr formë zgjedhja e saj. Nëse karakterizimi më i mirë i dy krahinave identifikohet tek gjuha, dy dialektet janë një element që e pasurojnë atë. Duke lënë mënjanë epitetet që shpesh ia kemi vënë vetes, qoftë toskët apo gegët, dhe anasjelltas, apo të huajt që janë marrë shumë me këtë tipar të strukturës sonë gjuhësore, dy format e shqipes duhet t’i shohim si dy njësi që na identifikojnë si komb. Për të çuar deri në fund tezën e tij, Nano ndalet tek personazhe të njohur të letrave shqipe si Arshi Pipa, Gjergj Fishta, Buzuku, Bardhi, Bogdani, Budi, Vehbiu apo Kadare. Libri i Nanos është tablo e Shqipërisë së tij, e Shqipërisë sonë, e cila duket se gjithnjë keqkuptimet i ka pasur mëveti. Nano ka bërë hapin e parë, për të njohur dy pjesët e Shkumbinit, që pavarësisht divergjencave bashkë janë një trup, e duhet të shihet si i tillë.