“Anders Behring Breivik, njeriu i masakrës së Oslos është i çmendur”. Së paku ky është përfundimi që kanë nxjerrë sot psikiatrit, gjatë publikimit të raportit për gjendjen e tij mendore. Lajmi është publikuar në të përditshmen norvegjeze VG, e cila raporton për detaje të raportit të psikiatërve. Ata, pas kontrollit të norvegjezit Anders Behring Breivik arritën në përfundimin se ky ishte i çmendur në kohën kur vrau 77 njerëz në Oslo me 22 korrik. E përditshmja bëri të ditur se raporti tregonte se Breivik vuante nga një “çrregullim psikik” që mund ta ketë ndryshuar gjykimin e tij. Sipas raportit të psikiatërve, nëse gjithçka konfirmohet, Breivik mund të mbyllet në një institucion mental e jo të dërgohet në burg.