Andrea është një 17-vjeçar që kalon shumë orë të ditës online, madje disa herë bëhet fjalë edhe për orët e natës. Dritarja e mesazheve të tij online është thuajse gjatë gjithë kohës e hapur në ekranin e kompjuterit të tij dhe ndërkohë në të majtë të tij renditen të gjithë shokët, miqtë dhe të njohurit me të cilët ai ka vendosur një rrjet lidhjeje. Herë pas here ai hedh ndonjë fjali, apo sentencë të tijën online dhe komunikon me njerëzit që janë gjithashtu të gatshëm për të komunikuar.
Ai është i lumtur që mund të kontaktojë sa herë që të dojë me një pjesë të mirë prej tyre. Kësisoj mund të thuhet me bindje se interneti luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën e Andreas dhe në mënyrën se si ai komunikon me botën e jashtme. Megjithatë, kohët e fundit edhe pse vazhdon që ta përdorë internetin dhe rrjetet sociale në mënyrë të vazhdueshme, nuk po ndien ndaj një bote të tillë virtuale vartësinë që ka ndier më parë. Dhe në fund i thotë vetes, por edhe të tjerëve, se ndryshe nga sa mendonte në fillim, “interneti nuk mund të zëvendësojë realitetin”. Dhe nuk bëhet fjalë për një individ të vetëm, por për një tendencë të re që është vënë re në botën e adoleshentëve, të paktën ky është edhe rezultati i disa studimeve të kryera së fundi në Perëndim në lidhje me shkallën e varësisë që kanë adoleshentët ndaj botës dhe lidhjeve virtuale të internetit.
Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme pikërisht ai brez që nuk mund ta konsideronte jetën e tij pa ekzistencën e internetit, sot aktualisht nuk e konsideron më këtë mjet tepër të rëndësishëm dhe jetik dhe madje ka nisur që të braktisë edhe disa nga teknologjitë e fundit që ofron rrjeti. Vetëm 3% e të rinjve që përdorin internetin kanë blogjet e tyre dhe vetëm 2% janë kontribuues të rregullt të Wikipedia-s apo projekteve të tjerë të ngjashme me këtë.
Ndërkaq, edhe rrjetet e ndryshme sociale që mbinë si kërpudhat pas shiut pas suksesit të madh që pati “Facebook” nuk po kanë një sukses dhe një frekuentim të madh nga të rinjtë që mendohej se do të krijonin një bum të vërtetë anëtarësimesh. Nëse do t’i referoheshin edhe njëherë rastit të Andreas që është student në shkollë të mesme dhe që përbën një tendencë dhe jo një rast të shkëputur mund të thoshim se atij ka filluar që t’i pëlqejë sërish aktiviteti në natyrë, lojërat e basketbollit dhe futbollit në vend të kalimit të pafund të orëve përballë shokëve virtualë të internetit.
Për vite me radhë, studiuesit kishin vënë re një tjetër tendencë tek adoleshentët dhe të rinjtë duke i konsideruar ata si të “pandashëm” me internetin, celularët dhe pajisje të tjera elektronike. Por gjërat duket se kanë filluar që të ndryshojnë. Dhe ky është mendimi i një sërë studiuesish që kanë kryer sondazhe në grupe shumë të ndryshme të rinjsh për të parë se cila është tendenca, shtrirja e saj dhe mbi të gjitha arsyet e një ndryshimi në sjelljen e të rinjve ndaj aparaturave pa të cilat më parë nuk mund të kuptonin ekzistencën. Përfundimet e këtyre studimeve thonë madje se janë shumë të pakët ata që me të vërtetë dinë të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe risitë e internetit dhe se në të kundërt zakonisht përdoruesit e tij kufizohen te lojërat e bisedat dhe jo tek eksplorimi i kësaj mundësie të pafund. Ajo çka është e qartë është se media vazhdon që të luajë një rol shumë të rëndësishëm në aktivitetin e njerëzve dhe interneti është pjesë e kësaj bote mediatike. Për sa i përket varësisë për të cilën është folur gjithnjë, në fakt ajo nuk është një varësi e të rinjve ndaj internetit, apo celularit e mjeteve të tjera teknologjike, por varësi ndaj komunikimit me të tjerët.
Ky është dhe qëllimi kryesor që mban ende një pjesë të madhe të rinjsh, online. Dhe vetë interneti u jep mundësinë të rinjve, por edhe të tjerëve për një tërësi përdorimesh dhe funksionesh. Dikush e përdor si telefon, dikush si televizion përmes YouTube, apo sajteve të tjera në të cilat mund të gjenden të gjitha gjërat e kërkuara. Përveç komunikimit, arsyeja e dytë e përdorimit të internetit është zbavitja. Sipas një sondazhi të fundit pjesa më e madhe e të rinjve kur duan që të dëgjojnë muzikën e tyre të preferuar nuk i drejtohen më radios aq shpejt sa në të shkuarën, por e kanë këmbyer këtë të fundit me internetin. Si pasojë, YouTube është shndërruar në motorin e kërkimit më të klikuar dhe më të përdorur nga të rinjtë në botë, sepse jo vetëm që plotëson të gjitha kërkesat e të rinjve, por është edhe falas dhe shumë i lehtë për t’u përdorur. Interneti ka bërë bashkë shumëllojshmërinë e produkteve dhe lehtësinë e përdorimit sigurisht edhe fakti që është falas luan një rol shumë të rëndësishëm në përdorimin e tij.
Në njëfarë mënyre ai po zëvendëson median duke qenë se veç të tjerash aty gjen edhe lajme të të gjitha natyrave. Por duke iu rikthyer të rinjve, qëllimi i tyre kryesor i eksplorimit të internetit është shoqërizimi. Por ajo që po vihet re është se në shumë raste, tashmë ky shoqërizim që nis me internetin po kalon në kontakte të drejtpërdrejta si në aktivitete të ndryshme e takime dhe më pas vazhdohet në mënyrë reale një miqësi e nisur nga kushtet virtuale. Dhe ajo çka është më e bukur ka filluar që të shijohet më shumë të qenët me miqtë jashtë nëpër aktivitete sesa gjithë kohës para ekranit të kompjuterit. Gjithnjë e më tepër po shtohet numri i të rinjve që thonë se shkojnë online kur nuk kanë gjë tjetër për të bërë dhe ndoshta fatkeqësisht u hyn në hak orëve të gjumit. Ajo çka të rinjtë po kuptojnë është se gjëja më e çmuar në fakt është koha dhe ajo duhet përdorur në më të mirën e mundshme. Kjo ka bërë që sipas një sondazhi në vendet perëndimore 31% e të rinjve dhe adoleshentëve të vizitojnë shumë rrallë, apo thuajse fare rrjetet sociale në vendet e punës dhe kjo për zgjedhjen e tyre të lirë dhe jo për faktin se u imponohet nga punëdhënësi.
Shumë të rinj mendojnë se një 10 minutësh në ditë në “Facebook” është më se i mjaftueshëm për të kontrolluar postën dhe ndonjë informacion apo hyrje të re dhe se nëse do të kalohet e gjithë koha online do të humbet shumë nga koha e gjërave të tjera. Janë të shumtë ata që e kanë ndier dhe kuptuar se sa kohë të kotë kanë humbur duke qëndruar pafundësisht online në pritje të mesazheve edhe më të kota nga njerëz me të cilët nuk i ka lidhur gjë. Tashmë është krijuar një komunitet i kufizuar dhe thuajse i përcaktuar njerëzish që mund t’i gjesh vazhdimisht online, dhe të tjerë që marrin pjesë në mënyrë shumë sporadike në rrjete sociale, ndërkohë që e shfrytëzojnë internetin për gjëra të tjera zbavitëse dhe herë pas here edhe kreative.
Por edhe ata që janë më të dhënë pas rrjetit jo gjithmonë mund të konsiderohen ekspertë të tij. Për të përdorur internetin duhet që në radhë të parë të kuptosh se si funksionon bota virtuale dhe shpesh kjo është një çështje e komplikuar dhe një moment që bën diferencën te përdoruesit e internetit dhe lloji i varësisë që ata krijojnë me këtë mjet. Adoleshentët dhe të rinjtë duke qenë se janë më të freskët për të kapur gjërat e reja, por janë nga ana tjetër ende të papërvojë kujtojnë se kanë arritur majat në internet dhe nuk e dinë se për ta përdorur atë është e nevojshme një njohje e thellë për mënyrën e përdorimit. Shpesh ata janë aq të shpejtë dhe të nxituar në përdorimin e internetit dhe kryesisht të motorëve të kërkimit sa nuk arrijnë që të marrin maksimumin ndaj shërbimit që i ofrohet dhe jo gjithmonë kanë një vlerësim të mirë të informacionit.
Në këtë drejtim, në shumë shkolla në Perëndim është futur lënda e përdorimit të internetit në të cilën nxënësit mësojnë se si ta përdorin internetin në mënyrë të gjithanshme dhe me efikasitet dhe jo vetëm ta përdorin në mënyrë të përciptë sa për të klikuar lart e poshtë. Një nga gjërat me vlerë në këtë drejtim është dhe mësimi i mënyrës së gjetjes së materialeve të vlefshme në internet dhe mbi të gjitha të besueshëm. Por gjithsesi, ajo që të bie në sy është se të rinjtë tashmë janë shumë më të dhënë dhe të prirur ndaj miqësisë dhe shoqërizimit të vërtetë në vend të atij lloj shoqërizimi që ofron interneti dhe sajtet sociale.
Për shumë studiues kjo përbën një pikë kthese të madhe në marrëdhënien e të rinjve me internetin, rrjetet sociale dhe shoqërizimin e tyre me të tjerët në përgjithësi. Interneti nuk është më për ta diçka me të cilën duan që të humbasin kohë dhe se euforia fillestare për botën virtuale tashmë nga piku i saj ka arritur në një pozicion më të stabilizuar dhe të qetë. Për një periudhë relativisht të shkurtër interneti u duk se ishte diçka shumë e re që do të ndryshonte marrëdhëniet njerëzore, në fakt ajo që interneti mund të ndryshojë është vetëm sasia dhe cilësia e informacionit dhe mënyra e zbavitjes.