Londra dhe Parisi kanë rënë dakord dje të rrisin masat e sigurisë për të frenuar emigrantët pa dokumente, që synojnë hyrjen në Britani përmes tunelit nënujor që lidh të dyja vendet. Britania dhe Franca do të shtojnë burimet policore përmes krijimit të një qendre të përbashkët komande dhe kontrolli, që do të ngrihet në qytetin verior port të Francës në Kale (Calais) ku janë grumbulluar disa mijëra emigrantë që kërkojnë të hyjnë me çdo kusht në Britani. Kjo qendër policore do të tentojë të shkatërrojë rrjetet kriminale të krimit të organizuar që trafikojnë emigrantë në veri të Francës dhe prej andej në ishull.
Ndër masat e rëna dakord në marrëveshjen mes të dyja palëve, nënshkruar nga ministrat e Brendshëm të të dyja vendeve në një ceremoni që u mbajt dje në qytetin Kale të Francës, parashihet edhe rritja e numrit të forcave policore franceze, ngritja e gardheve penguese të financuara nga Britania, vendosja e një sistemi më të madh vëzhgimi me kamera me qark të shkurtër, si dhe pajisje të tjera të sigurisë, për të mbrojtur hyrjen në tunelin nëndetar.
Kohët e fundit, policia kufitare ka shkatërruar rreth 20 grupe kriminale që organizojnë trafikimin e emigrantëve, mes tyre edhe gjashtë grupe trafikantësh shqiptarë, që kanë dërguar disa qindra emigrantë në Britani, në harkun kohor të vetëm brenda disa muajve. Mbetet të shihet nëse masat e reja të sigurisë do të mund të eliminojnë krizën e emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në ishull, ndërkohë që Franca kërkon që të ngrihen qendra për përpunimin e kërkesave të emigrantëve në vendet hyrëse në kufijtë e Bashkimit Europian.
Deri tani, të paktën 10 emigrantë kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar “në bregun tjetër”. Sekretarja e brendshme britanike, Theresa May, dhe homologu i saj francez, Bernard Cazeneuve, vizituan terminalin e Eurotunelit, i cili këtë muaj u bë qendër e skenave kaotike, ndërkohë që qindra emigrantë u përpoqën të kalojnë gardhet e sigurisë. “Ne kemi ndërmarrë tashmë një numër hapash që kanë filluar ta përmirësojnë gjendjen këtu për sa i përket numrit të njerëzve që përpiqen të hyjnë në tunel, për të kaluar në Britani.
Por puna duhet të vazhdojë dhe ne sot do të diskutojmë mbi masat e mëtejshme që mund të marrim së bashku”, tha May. Ndërkaq, ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, tha se po bëhej përparim dhe se shumë pjesëtarë të bandave të trafikimit janë ndaluar. “Trafikantët, të cilët janë pjesë e organizatave kriminale ndërkombëtare duhet të ndiqen penalisht dhe organizatat e tyre të shkatërrohen. Ne duhet të dërgojmë një sinjal shumë të fortë nga Kaleja, se askush prej tyre nuk do ta kalojë kufirin, të cilin ne e kontrollojmë së bashku”, tha Cazeneuve.
Të dy ministrat theksuan se problemi me të cilin ata përballen është një problem ndërkombëtar që i ka rrënjët jashtë Europës. Gjendja arriti një pikë dëshpërimi muajin e kaluar, kur deri në 1700 emigrantë përpiqeshin të hipnin çdo natë në trenat e Eurotunelit. Zyrtarët thonë se mesatarja gjatë natës tani ka rënë në rreth 150. Rritja e numrit të emigrantëve që përpiqen të kalojnë për në Britani është vetëm një shembull i krizës së emigracionit me të cilën Europa po përballet gjatë këtij viti, ndërkohë që më shumë emigrantë se kurrë më parë po përpiqen të largohen nga konfliktet dhe varfëria në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.
Greqia, Italia dhe Hungaria po ndeshen që të tria me një valë të madhe emigrantësh që kërkojnë punë dhe kushte më të mira jetese brenda kufijve të Bashkimit Europian.