Britani Mbreteresha vulos ligjin per martesat homoseksuale

Britani, Mbreteresha vulos ligjin per martesat homoseksuale

Britania legalizoi dje martesat mes të njëjtit seks, duke u lejuar këtyre çifteve të martohen si në ceremoni civile edhe në ato fetare, pasi Mbretëresha Elisabeta II vendosi vulën mbretërore të aprovimit. Ligjvënësit britanikë e kanë përshëndetur miratimin e ligjit në Angli dhe Uells. Aprovimi nga Mbretëresha ishte hapi i fundit zyrtar për kthimin e projektligjit në ligj. Edhe ceremonitë fetare janë të lejuara për këto çifte, megjithëse Kisha e Anglisë e ndalon bashkimin në martesë mes personave të të njëjtit seks.

Ligji u lejon edhe çifteve që kanë hyrë më parë në partneritet civil, një procedurë që u jep të drejta e përgjegjësi të ngjashme me martesën që nga viti 2005, që t’i konvertojnë këto procedura në martesë. Ligji është diskutuar që në muajin janar. Kryeministri David Kameron e mbështeti atë, por konservatorët që ai drejton, kanë debatuar fort për moslejimin e kësaj procedure. Para nënshkrimit mbretëror, drafti u mbështet nga laburistët dhe liberal-demokratët në Parlament. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve kaloi me 225 vota pro, nga 400 deputetë. Martesat e para pritet të mbahen në verën e vitit 2014, për të sqaruar edhe pikat e fundit ligjore. Ligji nuk hyn në fuqi për Irlandën dhe Skocinë, pasi ato kanë ligjet e tyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama