Britania prane terheqjes nga Eurovision

Britania prane terheqjes nga Eurovision
Britania mund të mos konkurrojë më në edicionet e ardhshme të “Eurovision”, pasi rezultati veçanërisht i dobët i javës së shkuar ka ngjallur një irritim kombëtar ndaj festivalit që bashkon këngët fituese të festivaleve shteterore. Të përfaqësuar nga veterani 76-vjeçar, Engelbert Humperdink, britanikët u renditën të dytët nga fundi në natën finale, ku u kualifikuan automatikisht në cilësinë e një prej sponsorve kryesore të aktivitetit.

Midis 42 vendeve pjesëmarrëse, vetëm Irlanda, Letonia, Belgjika dhe Estonia akorduan pikë për baladën “Love will set you free”. Si rrjedhojë, me mijëra anglezë i janë drejtuar “BBC”-së duke i kërkuar që të bojkotojë edicionet e ardhshme, për shkak të votimit tejet të politizuar, që e pengon vendin që të ketë ndonjë shans real për sukses.

Nga “Twitter”, një prej prezantuesve më të njohur në Britani, Philip Schofield, udhëhoqi “kryqëzatën”, duke thënë: “Është koha që të tërhiqemi një herë e përgjithmonë. Edhe sikur të dërgojmë Robbie Williams nuk kemi asnjë shans për fitore me këtë votim politik”. Sipas shtypit britanik, burime pranë “BBC” kanë konfirmuar se kjo çështje po studiohet. Megjithatë, zyrtarisht, një zëdhënës i “British Broadcasting Corporation” hodhi poshtë këto spekulime, duke thënë se: “Votimi politik mund të ketë ndonjë lloj ndikimi në pozicionet e mesit të renditjes, por pothuajse gjithmonë fituese arrin të shpallet kënga më e mirë”. Në këtë edicion, Rona Nishliu me këngën e saj “Suus” u rendit në vendin e pestë, që është edhe rezultati më i mirë në historinë e pjesëmarrjeve shqiptare në “Eurovision”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama