Përqasja është e butë. Pritshmëria është e madhe. Kristian Broki ka zgjedhur këtë linjë në vigjilje të debutimit të tij, sot kundër Sampdorias, në stol. Trajneri nuk ka pasur shumë kohë në dispozicion për të aplikuar filozofinë e tij, mirëpo është i bindur se kuqezinjtë i kanë të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv kundër ekipit të Montelës: "Koha në dispozicion nuk është e madhe, por e mjaftueshme.
Nëse unë do të mendoj që Milani do të luajë 100% futbollin që kam në mendje, do të isha arrogant. Nuk ekzistojnë magjistarët që në pak ditë mund të ndryshojnë situatën. Më mjafton të shikoj 5% të asaj që kam në kokë dhe jam i bindur që rezultati do të jetë pozitiv".
Realizimi
Trajneri i ri i Milanit e di shumë mirë që ndryshimi i trajnerit i jep një shkundje skuadrës, por në të njëjtën kohë krijon edhe konfuzion brenda grupit: "Kërkesa e parë që i kam bërë skuadrës, ka qenë ajo që të luajmë gjithmonë të bashkuar. Mihajloviç ka bërë një punë shumë të mirë dhe uroj që fryma e bashkëpunimit të vijojë sa më gjatë. Shpresoj që futbollistët e mi të japin maksimumin ndaj Sampdorias. Kam besim tek ata. Baloteli? Për sa i përket Marios, mund të them se kam folur me të dhe më ka premtuar se do të përpiqet maksimalisht. Nuk pres të bëjë rolin e Kuçkës, por të kontribuojë për të mirën e ekipit. Tani duhet të tregojë se sa i lidhur është me Milanin".
Formacioni
Broki ka folur edhe për rreshtimin e skuadrës në fushën e lojës: "Besoj se kundër Sampdorias do të luajmë me formacionin 4-3-2-1. Sigurisht që jo në çdo takim të mbetur ne do të luajmë me këtë skemë. Në rolin e fantazistit besoj se do të vendos Bonaventurën ose Keisuke Hondën. Dua nga lojtarët e mi një lojë me pasa në mesfushë. Nuk më pëlqen pjesa ku topi nis me një krosim që nga mbrojtja në drejtim të sulmit".
Përgatiti: LEAR MAÇI