Broki Milani im po merr forme nuk dua te largohem

Broki: Milani im po merr formë, nuk dua të largohem

Kristian Broki u gëzohet vetëm tri pikëve në përfundim të sfidës kundër Bolonjës. "Është normale të pres më shumë nga ekipi, gjithsesi të rëndësishme ishin tri pikët dhe jam i lumtur për fitoren", tha italiani. broki

Më tej, trajneri i Milanit shtoi: "Jam i vetëdijshëm që mund të kishim bërë më shumë në epërsi numerike, mirëpo në fund u larguam nga fusha me një fitore dhe kjo është ajo që më intereson më shumë. Duhet që të bëjmë një paraqitje deri në fund të kampionatit për ta përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme finalen kundër Juventusit".

Gjatë fjalës së tij, italiani është mbrojtur duke thënë: "Kush na kritikoi për pësimin e tre golave kundër Frozinones, sot (dje) nuk ka çfarë të thotë, pasi fituam pa u ndëshkuar. Loja? Nuk është e thjeshtë që të aplikosh filozofinë tënde të lojës qysh në fillim. Edhe Montela e Sarri kishin probleme në fillimin e aventurës së tyre, por më pas gjithçka shkoi mirë.

Unë po punoj jo vetëm në aspektin tekniko-taktik, por edhe mbi atë mental dhe jam i bindur që skuadra po vjen duke u përmirësuar. E ardhmja? Nuk më del koha as të mendoj për të ardhmen. Çdo ditë për mua është një ditë e rëndësishme. Për lojën time dua futbollistë të uritur, nuk është nevoja të kem në skuadër 'top player'. Për mua, Milani është si një familje nga e cila nuk dua kurrë që të ndahem".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama