Bronx - buke e kripe e zemer te bardhe

Bronx - bukë e kripë e zemër të bardhë

Shënime udhëtimi

Ditari i New York-ut

Diçka si Lapraka në Tiranë apo si shumica e qyteteve industriale të ndërtuara gjatë Shqipërisë komuniste. Ajo që më interesonte ishte një pjesë e komunitetit shqiptar e emigracinit të ri e të vjetër: kosovarë, shqiptarë të Malit të Zi e të Shqipërisë. E veç kësaj më interesonte gjithashtu edhe një kishë katolike shqiptare e pagëzuar me emrin e Zojës së Shkodrës. Pra mjaft argumenta për të marrë një rrugë me tren e për ta braktisur për një ditë Manhatanin

XI. Bronx - bukë e kripë e zemër të bardhë

1. Kuriozitetin për të shkuar në Bronx e kisha po aq sa edhe për Manhatanin. E dija mirë se ndryshimi mes tyre ishte i madh, por kjo s'më shqetësonte aspak. Nuk më interesonte pejsazhi urban. Atë e kisha vënë re për të parën herë në 1994 dhe, siç qeshë i bindur, nuk kishte ndryshuar. Diçka si Lapraka në Tiranë apo si shumica e qyteteve industriale të ndërtuara gjatë Shqipërisë komuniste. Ajo që më interesonte ishte një pjesë e komunitetit shqiptar e emigracinit të ri e të vjetër: kosovarë, shqiptarë të Malit të Zi e të Shqipërisë. E veç kësaj më interesonte gjithashtu edhe një kishë katolike shqiptare e pagëzuar me emrin e Zojës së Shkodrës. Pra mjaft argumenta për të marrë një rrugë me tren e për ta braktisur për një ditë Manhatanin. Antoni më kishtë dhënë numrin e një miku të tij prej Hoti, Prelës. Me Prelën u takuam lehtë. Ai kishte dalë te stacioni ku ndalova bashkë me baxhanakun e vet Kolën dhe me një furgon të bardhë që ja ka dhënë firma e ndërtimit ku punon.

-Në fillim po pijmë një kafe a çka të don zemra tjetër, - tha Prela, - mandej shkojmë te kisha.

Hipa te furgoni i Prelës dhe mbas pak u ndalëm para një bari mbi të cilën qe shkruar "Portofino". Prela po më çon te nje bar italian, thashë me vete. Si çdo shqiptar që e ndjen veten rehat me stilin dhe kulturën italiane. Sa mirë!

Kur hymë brenda mbeta. Një kafene e mbushur dingas me burra. Tym duhani si do Zoti dhe një ekran i madh televizioni me siglën e Top Chanel dhe lajme në shqip.

-Ku jemi këtu Prel? Në Bajzë, a?

2. "Our Lady of Shkodra Church" gjendet në 361 W. Hartsdale Avenue në Westchester Co, diku më shumë se gjysëm ore me makinë nga kafeneja italo-shqiptare "Portofino".

Me Prelen e me Kolen arritëm kur mesha ishte kah fundi. Hyra dhe pashë diku rreth 500-600 frymë, o ndoshta më shumë. Ishte mesha e orës 11. Sërish burra. Gra jo më shumë se 20% e atij kallaballëku e pak fëmijë.

Mbaroi mesha e të gjithë dolën me u përshëndetë me shoqishojn para kishës, ku dhe gjendej parkingu i madh e i mbushun me makina luksi, thuajse të gjithë ato shqiptarë punonin bankiera apo kishin bizneset e tyre në lulëzim e sipër.

Duke i ndenjur derës përballë e shikuar me kujdes portretet, sytë më zunë një tip që e njihja. Fëtyrën e tij e kisha parë herët, këtu e pembëdhjet vjet më parë në Shkodër, me gjasë me rastin e vizitës së Papa Gjon Palit të Dytë. Fëtyrën e këtij burri të shkurtër e kujtoj të hipur në një makinë të hapur, të madhe e të zezë e me një flamur amerikan, tamam para hyrjes së Kishës së Madhe. Po tamam. Nuk kisha gabuar. Ky ishte ish-kongresmeni amerikan Joseph J. DioGuardi.

Joseph J. DioGuardi pat ardhur në Westchester County me prindërit e tij emigrant, vëllain e motrën më 1957. Prindërit e tij kishin origjinë shqiptare dhe ai vetë qe marrë e merret seriozisht me çështjet shqiptare.

Siç mora vesh më vonë prej kryetarit të këshillit të Kishës, Mark Shkrelit, ai gjendej aty për të biseduar me komunitetin katolik shqiptar të New Yorkut e ndoshta edhe për të mbledhë fonde për ndërtimin e katedrales në Prishtinë.

3.

-Boll marre po më vjen që të prita me këtë furgon e si mora dikujt një veturë përsmbarit, - tha Prela tek po ktheheshim për Bronx.

E qetësova Prelën dhe i thashë se ndjehem më mirë në këtë furgon me të e me Kolën, se në shumë makina të tjera bashkë.

Mu duk se ai u ndje mirë prej kësaj dhe ia nisëm muhabetit ala shqiptarçe.

-Më len te stacioni ku më more Prel.

-Jo për atë Zot! Ti po vjen te shtëpia, se kam do raki Shqipnijet e po bajmë do muhabet ma ndejshëm.

E pashë se i shndritën sytë tek thoshte këto fjalëMë erdhi mirë. Shumë mirë. Ja çfarë na ka ngelë të ruajm fort në këtë globalizim marramendës: mikpritje dhe bujari. Do Zoti e na ndihmon të mos i humbasim.

Këto sërish i thashë me vete se e kuptova se nëse ishte dikush që s'kishte nevojë t'ia thoja ishin Prela me Kolën.

XII. Në Boston… I love New York

1.

Në Boston u nisa heret në mëngjes me tren. Nga Penn Station i New Yorkut në South Station të Bostonit, plot katër orë. E zgjodha këtë qytet mbasi Steven më tha se kishin planifikuar për mua Washington DC. E meqënëse unë në Washington kisha qenë njëherë më 1994 atëhere mendova të zgjedh një tjetër qytet. Zgjodha Bostonin. Pse? Po ja, thashë, kam dëgjuar aq shumë të flitet për të: Universiteti i Harvardit, ngulmimet e para shqiptare, Imzot Fan Noli, kisha ortodokse shqiptare, At Artur Liolini etj.

Siç thashë u nisa në mëngjes herët. New Yorku po zgjohej. Nuk po zgjohej nga gjumi, por nga një lloj dremitje e lehtë, një lloj "gjumi dreke" edhe pse ishte natë. Hyra në metro për të shkuar në Penn Station. Frymë njerëzish ndën tokë. Ekspresi që të çon në rrugën 34 erdhi menjëherë. Njerëzit populluan vagonet: disa me sy gjysëm të mbyllur nga "dremitja", disa me flokë të shpupurishur, të tjerë me këpucë të zgjidhura, gra pa tualet.

Për aq sa i duhet një treni të shkojë nga rruga 14 deri te 34 ndodhën gjëra të thjeshta: fërkime sysh dhe hapje e tyre në masë të plotë; këpucë që lidheshin;

flokë që kriheshin; pulla xhaketash që mbërtheheshin; buzë grashë që lyheshin…

Treni për Boston u nis fiks. U ula dhe nxora një hartë të Bostonit. Çudi, qeshë mësuar me hartën e Manhattan-it, me formën e organit seksual mashkullor, mbi të cilin dikush me vizore kishte hequr vija pingule me njëra-tjetrën në formën e një tatuje. Jo. harta e Bostonit qe krejt ndryshe. Si një guackë rrumbullake e vendosur krejt përballë dhe shumë afër oqeanit, thua ta kenë nxjerrë ujërat e tij. Ja dhe South Station, ja edhe hoteli mu në mes të qytetit "Millenium Bostonian". O.K do ta bëj në këmbë rrugën sado e gjatë të jetë dhe u përpoqa të imagjinoj diçka të ngjashme me rrugët e Manhatanit.

2.

Në Boston sërish treni arrin fiks. Dal. Nxjerr sërish hartën dhe nis të orientohem. Bën ftohtë, por ka diell. Duke shikuar hartën dikush afrohet dhe pyet nëse kisha nevojë për ndihmë. Hera e parë në Amerikë që dikush afrohet pa e kërkuar. Këndshëm. Po, i them, dhe ai më shpjegon menjëherë drejtimin.

-Është larg prej këtu?

-Jo, - thotë ai, - vetëm pesë minuta.

Vetëm pesë minuta dhe unë arrij në vend. Si ka mundësi?! Ç'është kjo hartë?!

Hy brenda në hollin e hotelit dhe recepsionisti ngrihet në këmbë duke buzëqeshur dhe më pyet menjëherë:

-How are you today?

How I am today?!!! I do not know. How I was yesterday? E dini? E pyeta recepsionistin me mendjen time.

Asgjë. Lashë çantën në dhomë dhe dola ta përceptoja edhe më mirë hapësirën e re. Thuajse askush në rrugë për mua që vija nga New Yorku. Por duhet të kishte njerëz sepse një kalimtar u kthye dhe më foli:

-Nice weather, - tha ai

-Yes. Nice weather,- thashë unë

Më pas dy vajza që po ecnin bri meje. Njëra syresh sërish u kthye nga unë dhe më tha:

-Exscuse me for my mouth.

Si duket ajo paskësh thënë me zë të lartë ndonjë shprehje jo fort të edukuar, por të cilën unë as që e kisha marrë vesh.

-Asgjë. S'keni pse të më kërkoni të falur. Ju keni një gojë të bukur- thashë unë prapë me mendjën time dhe i dhashë vetëm një buzëqeshje gjysëmindiferente.

Pastaj darka. Pastaj askush në rrugë. Pastaj gjumi i thellë.

3.

Të nesërmen shi në formë çikrrash akulli, erë e tërbuar nga oqeani. E pamundur të ecësh në rrugë. Dorëzoj dhomën dhe dal. Bileta ime e kthimit është në orën 10 të darkës. Pra unë duhej të shtyja në këtë qytet fntazmash gjithë ditën. I ritelefonoj Greg Williams, profesorit të dramës nga Bostoni, emrin e të cilit ma pat dhënë Matt, e me të cilin që një ditë më parë kishim lënë të takoheshim. Atij i kish dalë një punë e papritur.

Atëhere sërish në South Station. Kërkoj që të spostoj orarin e biletës dhe të nisem më herët. Më duhet të paguaj për këtë një taksë të përafërt me çmimin e një bilete të re dhe nuk hezitoj.

Kësaj rradhë më shumë se katër orë me tren. Me të njëjtin tren që më kish çuar në Boston. S'është e lehtë të rihysh në New York, them me vete dhe më në fund arrij.

Penn Station i mbushur dingas me njerëz. Dal mbi tokë dhe prapë rrugët e mbushura me njerëz. Eci. Diku para Bibliotekës së Madhe, disa zezakë po japin një shfaqje në rrugë: muzikë e përformuar me kërcime fantastike.

Eci prapë dhe s'kam të ngopur. Shtyhem dhe përplasem butë me njerëz. Është kohë e bukur, por askush s'më thotë "Nice weather" e as "How are you today".

Jam në shtëpinë time.

Stefan Capaliku  : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama