Parlamenti Evropian ka miratuar sot rezolutën, ku kërkohet që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE. Me 49 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, Komisioni i Jashtëm i Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën e raportuesit për Shqipërinë, Nikola Vuljaniç.
Ndërkohë pak më herët se të miratohej rezoluta, europarlamentarët kanë diskutuar në lidhje me rrugën që Shqipëria ka bërë për t’u integruar në Bashkimin Evropian, ku vlerësojnë këtu, zgjedhjet e 23 qershorit dhe faktin që rezultati i tyre u pranua nga opozita.
"Janë tejkaluar të gjitha çështjet politike dhe ka një bashkëpunim për sa i përket integrimit në Shqipëri. Ndërsa, për sa i përket zgjedhjeve, mund të them se është hera e parë që opozita pranon rezultatin”, -shprehet europarlamentari, Volfgang Grossruck.
Por ky qëndrim i Grossruck-ut ka hasur në kundërshtimin e kryetarit të Parlamentit Evropian, i cili tha se nuk ka rëndësi se cila parti i ka pranuar zgjedhjet, por e rëndësishme është bashkëpunimi ndërmjet palëve.
Kryeparlamentari kërkoi që mazhoranca dhe opozita të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën, ndërsa vlerëson bashkëpunimin e të dyja palëve për çështjet e integrimit.