Brukseli pergezon miratimin e ligjit per Arsimin e Larte ne Parlament

Monne1TIRANE, 24 Korrik/ATSH/- Ligji për Arsimin e Lartë që u miratua në parlament në një seancë të posaçme me shumë debate është përshëndetur sot nga Komisioni Evropian.

Drejtori i Përgjithshme për Arsimin dhe Kulturën në KE, Xavier Prats Monne nëpërmjet një mesazhi dërguar ministresë së Arsimit, Lindita Nikolla vlerëson për kalimin e ligjit duke u shprehur se duhet të ndihet krenare për këtë gjë.

"Ju keni drejtuar një proces tepër të gjatë, të vështirë dhe kompleks mbledhjesh faktesh e argumentesh, duke u konsultuar me të gjithë grupet e interesit dhe politikbërësit, ku dhe unë personalisht, kam qenë dëshmitar sesa shumë ju dhe Kryeministri Edi Rama keni investuar personalisht në këtë përpjekje të madhe. Ndaj duhet të jeni krenare për çka keni arritur", thuhet në mesazhin e Monne.

Gjithashtu, shton ai, "e di se ky është vetëm fillimi, jo fundi. Që nga diskutimi ynë në Tiranë, tani që ligji i ri po shkon drejt implementimit, kjo mbetet sfida e radhës. Por unë nuk kam dyshime, se ju do të tregoni sërish që jeni të aftë për të mbajtur barrë mbi supe".

Në përfundim, Drejtori i Përgjithshme për Arsimin dhe Kulturën në KE deklaron se "ne do t'ju ndjekim nga afër në hapat tuaj të radhës, dhe, ndoshta e panevojshme për ta thënë, ne do të qëndrojmë në dispozicionin tuaj për bashkëpunime të mëtejshme.Ju përcjellim përshëndetjet tona të përzemërta nga Brukseli"./a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama