Bruno Telushi bast per tri pike

Bruno Telushi, bast për tri pikë

Kapiteni i Flamurtarit, Bruno Telushi, kërkon tri pikët në Shkodër.telushi Në një prononcim të dhënë për mediat, ndërsa e vlerëson si shumë të rëndësishëm takimin me Vllazninë, thotë se në këtë ndeshje do të synohen vetëm pikët e plota. "

Këto ndeshje që na kanë mbetur do të synojmë vetëm fitoren. Do të shkojmë në Shkodër dhe do t'ia dalim, pasi është një ndeshje e rëndësishme. Do të jetë një sfidë e fortë, pasi ne fituam me Laçin dhe ata do të luftojnë. Nuk e nënvlerësojmë aspak takimin, por do të bëjmë më të mirën dhe do të marrim maksimumin tonë. Ndeshja realisht është shumë e fortë, por unë kam bindjen se do të fitojmë në këtë sfidë të radhës", tha Telushi.

Kupa

Kapiteni i Flamurtarit, Bruno Telushi, mendon se Flamurtari duhet ta lërë pas eliminimin nga Kupa dhe të mendojë për kampionatin. Ai tha se në Kupë Flamurtarin nuk e ndihmoi fati, por tani duhet siguruar mbijetesa në Superiore.

"Nuk na ndihmoi fati në Kukës për ndeshjen e Kupës. Ne jemi të ndërgjegjshëm që takimi i kthimit ishte shumë i vështirë. Ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira gjatë kësaj periudhe. Na kanë akuzuar kur fituam Kupën e Shqipërisë se na e la Skënderbeu në gjysmë- finale, si dhe na e la Kukësi finalen. Këto janë vetëm thashetheme. Sepse kështu i bie që ne nuk kemi fituar asnjë ndeshje. Kukësi ka bërë shumë mirë këtë vit, pasi ka marrë edhe lojtarë cilësorë. Gjithsesi, tashmë për ne rëndësi ka të shikojmë përpara në kampionat dhe të sigurojmë mbijetesën", u shpreh kapiteni.

Laçi

Fitorja me Laçin duket se ka mbetur në kujtesën e vlonjatëve, të cilët kërkojnë që një gjë të tillë ta përsërisin edhe me Vllazninë. "Ndeshja në Laç ishte shumë e fortë. Madje, unë nuk ngurroj të them se aty ne u treguam guximtarë të vërtetë. Dihet që Laçi është një fushë shumë e vështirë, pasi lojtarët mund të shkojnë dhe të thyejnë këmbët aty. I falënderoj lojtarët e huaj, të cilët u treguan profesionistë të vërtetë dhe asnjë prej tyre nuk u tërhoq. Ndërsa vendësit patjetër që mbrojtëm ngjyrat dhe peshën e fanellës", përfundon Telushi.

Përgatiti: ERMAL SIKA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama