Pesë trupa teatrore nga Spanja, Bullgaria, SHBA, Ukraina dhe Italia, nga 18-23 korrik rikthejnë traditën e munguar për dy vjet, Festivalin e “Butrintit 2000”. Në një intervistë për “Shekullin” drejtori ekzekutiv i festivalit, Alfred Bualoti thotë se Teatri Antik i Butrintit është gati që të pres publikun artdashës. Festivali nis nesër, ora 21:30, me shfaqjen e trupës bullgare “Spiunë në epokën e gurit”.Me një lojë interesante ku dy fise, në një epokë të caktuar kanë urrejtje ndaj njëri-tjetrit, pasi njëri ushqehet e jeton mirë, ndërsa tjetri është në gjendje të mjerueshme. Shfaqja e dytë është “Shtëpia e Bernarda Albës” vjen nga Madridi dhe do të prezantohet pasnesër, ora 21:30. Nga ShBA-ja, ditën e shtunë prezantohet drama “Shtrëngata” me regjisor John Blondell. Është vepër e Shekspirit e inskenuar nga një teatër amerikan. Me një histori dashurie vjen trupa nga Ukraina, Kievi, duke prurë thellësinë e muzikës së tyre, me Vivaldin. Shfaqja e fundit vjen nga Bergamoja e Italisë, një trupë italiane që sjell teatrin e rrugës në qytetin e Sarandës. Buxheti i edicionit të 12-të të Festivalit Teatror “Butrint 2000” që është akorduar nga Qendra Kombëtare e Artit për këtë vit është katër milionë lekë të reja.
Zoti Bualoti, si kanë ecur përgatitjet për Festivalin Teatror “Butrint 2000” deri tani?
Çdo gjë ka shkuar mirë. Ka pasur probleme të vogla teknike, por ashtu sikurse e kishim parashikuar gjërat po ecin për së mbari. Në mbrëmje presim që të na vinë të gjitha trupat teatrore. Nesër jemi gati që të fillojmë festivalin, pas dy vitesh mungesë.
Cili do të jetë program për këtë vit?
Festivali fillon nesër me shfaqjen “Spiunia e epokës së gurit” e trupës bullgare. Është një shfaqje shumë interesante, ka shumë vajza në skenë, rreth 14. Janë dy fise që përplasen, në epokën e gurit. Është një shfaqje satirë, me humorin, me këngën, ritin. Në thelb është një fis që jeton shumë mirë, kap peshk, ndërsa tjetri jo. Kështu fisi i dytë çon një spiune në fisin e parë që të zbulojë se si ia dalin mbanë. Natën e dytë Spanja prezantohet me “Bernarda Albën” që është e njohur për të gjithë, por pa tekst. Ka vetëm muzikë dhe lëvizje. Është një dramë e fortë, afër tragjedisë, e jashtëzakonshme sepse nuk mund ta imagjinosh sesi një shfaqje e tillë të realizohet pa tekst. Më pas në natën e tretë prezantohet shfaqja “Shtrëngata” e Shekspirit me regjisor Xhon Blondell që vjen nga ShBA-ja. Regjisori është i njohur për publikun shqiptar me “Ëndrra e një nate vere” të Shekspirit, të cilën e vuri në skenën e Teatrit Kombëtar para se të luajë në Maqedoni, në festivalin e parë të Shekspirit që bëjnë ata, do të vijnë këtu. Ka pranuar të vijë, vetëm me aq sa ka dëgjuar për Butrintin.
Kësaj radhe në festival, Ukraina prezantohet me “Danse theatre” dhe Italia me një shfaqje të ndërtuar për teatër rruge?
Në natën e katërt të festivalit, prezantohet një histori dashurie e futur thellë në historinë e këtij vendi dhe interpretohet vetëm me dhe lëvizje. Është “Katër Stinët” e Vivaldit, pantomimë dhe dance teatër që vjen nga Ukraina. Në fund, shfaqja e pestë vjen nga Bergamo, Itali, me një shfaqje qyteti. Do të ikim nga teatri dhe do të bëjmë një teatër rruge. Ata janë të specializuar për këtë, ndaj dhe shfaqja “Engjëjt” uroj të mirëpritet nga publiku dhe pse ne nuk jemi mësuar me teatrin e rrugës.
Deri tani dimë se Shqipëria nuk do të përfaqësohet në Butrint. A keni insistuar më për ndryshim të programit?
Ne ftesën Teatrit Kombëtar e kemi bërë qëkurse morëm mbështetjen financiare, të parën ftuam shfaqjen e Teatrit Kombëtar “Edipi mbret”. E kishim parë dhe na u duk sikur ishte një shfaqje e ndërtuar enkas për Butrintin. Aq më tepër që ishte një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe atij të Prishtinës, kështu i kishim të dyja trupat. I kam bërë kërkesë drejtorit të Teatrit, Kristaq Skramit, por në momentin e fundit morëm një përgjigje negative se nuk do të marrin pjesë. Gjithashtu teatri na ka kthyer përgjigje negative dhe për pjesëmarrjen tonë me Henri VI i Shekspirit në teatrin e Maqedonisë, as atje nuk e di përse nuk do të shkojmë. Por nëse për pjesëmarrjen e tyre në Butrint do të na i kishin kthyer përgjigjen më parë, ne do të kishim pasur mundësin që ta zëvendësonim me një shfaqje të Teatrit të Metropolit, apo Komedisë, ka pasur disa vënie në skenë si “14 vjeç dhëndër”, “Karnavalet e Korçës” etj.
Festivali "Butrinti 2000"
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit "Butrinti 2000" është zhvilluar për herë të parë në vitin 2000 në ambientet e qytetit antik të Butrintit, pranë qytetit të Sarandës. Në 11 edicione të këtij festivali kanë marrë pjesë shume trupa teatrore profesioniste nga mbarë bota. Në skenën magjike të këtij teatri kanë pasur fatin të luajnë mbi 2250 artistë dhe janë ndjekur nga rreth 45.000 spektatorë vendës e të huaj. Teatri i qytetit antik të Butrintit ka pasur një kapacitet prej 1500 vendesh. Ai u ndërtua në shek IV - III para Krishtit. Teatri ndodhet në anën jugore të Akropolit të qytetit dhe përbëhet nga vendet e ndenjes, skena dhe orkestra. Kishte 19 rreshta me blloqe guri që shërbenin si ndenjëse dhe 3-4 radhë në krye. Festivali organizohet me mbështetjen e MTKRS-së, Qendrës Kombëtare të Artit.