Budva Madona cmend ballkanasit

Budva, Madona cmend ballkanasit

Shiu i lehtë është ndalur në Budva vetëm pak para se ylli i muzikës pop të ngjitej në skenën e realizuar posaçërisht për koncertin e saj rreth orës 22:00. Madonna erdhi me helikopter nga hoteli "Becici", ku do të qëndrojë tri ditë bashkë me familjen.

Me një veshje karakteristike të stilit të saj, që të sjell joshjen erotike dhe një kapele cilindrike në kokë, Madonna elektrizoi rreth 80 mijë fansa, që prej disa orësh kishin mbërritur në plazhin Jaz për dëgjuar interpretimin live të "mbretëreshës së popit". Me karrigen e saj me shkronjën "M", e cila është bërë pjesë e turneut të saj botëror, "Sticky and sweet", në temperaturë tepër të ulët për këtë vend bregdetar, Madonna ka interpretuar hitet e albumit të saj më të ri, "Hard Candy", por dhe këngë që ajo i quante "old" (të vjetra), duke ndezur mijëra fansa që kishin mbërritur nga vendet fqinje, por edhe nga Ballkani dhe Evropa.

Vetëm disa orë para fillimit të koncertit, menaxheri malazez, Aleksandar Rados, u shpreh se parashikimet e tyre për shitjet e biletave janë tejkaluar. Numri i biletave të shitura deri në fillim të koncertit ishte afro 80 mijë.

Përfaqësuesja e agjencisë "Konkort", Luiza, tregon se numri i biletave që janë shitur në Shqipëri është rreth 2 mijë. Rreth 2500 bileta mendohen të jenë shitur në Kosovë, një pjesë e madhe e biletave janë shitur në Malin e Zi (malazezët duket se nuk e kanë humbur rastin ta shohin nga afër divën e muzikës), ndërsa pjesa tjetër e biletave janë prenotuar online prej fansave të këngëtares nga Ballkani dhe Evropa.

Teksa kërcente nën ritmet e "Candy Shop", Sasha tregon se ka ardhur nga Rusia për të ndjekur këtë koncert dhe për të kaluar ca ditë pushimi në bregdetin e Budvës.

"Është një femër ikonë dhe kam ëndërruar gjithmonë të jem në një koncert të saj", thotë Artani nga Prishtina, duke thënë se do të donte që këtë koncert ta kishte parë në Prishtinë.

Por këtë fat nuk e kanë pasur një numër i madh fansash nga Shqipëria, që për arsye të moskoordinimit të orareve nga ana e agjencive që kishin marrë përsipër udhëtimin e tyre drejt Budvës, u është dashur ta shohin Madonnën vetëm në këngët e fundit të saj. Ndërsa mijëra adhurues të tjerë të këngëtares në pamundësi për të hyrë në vendin ku mbahej koncerti (për shkak të shitjes së biletave) e kanë përjetuar koncertin nga larg, duke mbushur kështu rrugën që zbret nga disa kodra të buta drejt plazhit të Jazit.

Mbrëmja e së enjtes në plazhin Jaz nuk ndryshonte nga performancat e jashtëzakonshme që jemi mësuar të shohim në TV në koncerte që Madonna ka mbajtur në vende të ndryshme të Evropës.

Ylli i popit tregoi se ishte ende në formë, pavarësisht viteve (ajo është 50 vjeç), duke performuar hitet e saj.

E shoqëruar nga 20 kërcimtarë dhe një bandë muzikore prej 12 vetash, Madonna solli ritmet që ndryshuan epokën e popit, me një skenografi plot drita, që e shfaqte atë në ekrane të mëdha për të gjithë ata që nuk kishin mundësi të ishin pranë skenës. Veshjet që ajo ndryshoi gjatë koncertit janë dizajnuar nga stilistë të ndryshëm posaçërisht për këtë performancë.

Në muzikë Madonna nuk ka limite. Ajo flet me këngët dhe me lëvizjet trupore, duke e parë erosin si një pjesë të qenësishme të jetës. Nuk kanë munguar dhe frazat e saj "të nxehta" për të gjithë ata fansa që prisnin që ylli i muzikës pop të përsëriste skena të njëjta dhe në Budva. Nga puthja në buzë me një balerinë dhe shprehjet "hot", ylli i muzikës pop tregoi se "në skenë ajo mund të bëjë gjithçka".

"Nuk kam kufij e nuk kam limite/ Po, ka ekstazë, e pranoj/ Nëse është e kundërligjshme, arrestomë/ Nëse arrin të më përballosh më zhvish" janë vargjet e këngës "Give it to me", me të cilën Madonna përfundoi show-n e saj prej gati dy orësh.

Ajo është larguar me helikopter vetëm pak minuta pas mbarimit të koncertit, bashkë me bandën e saj, nën vështrimin e mijëra fansave që e ndoqën helikopterin deri sa ai humbi në qiellin plot yje të Budvës.

Më shumë se 400 gazetarë dhe fotografë ishin akredituar për të ndjekur nga afër koncertin e Madonnës.

Ikona e pop-it mbërriti në Malin e Zi në kuadër të turneut botëror, "Sticky & Sweet Tours", pas disa koncertesh në më shumë se 10 shtete të Evropës si: Francë, Gjermani, Angli, Austri, Itali etj.

Një vit më parë, në skenën ku këndoi ylli i muzikës pop performoi

grupi britanik, "Rolling Stones", njëkohësisht dhe legjenda të rokut kudo në botë, me zërin e mrekullueshëm të vokalistit Mick Jagger.

19 autotrena janë përdorur për të sjellë në Budva të gjitha mjetet e nevojshme për realizimin e koncertit, i cili u mbajt në një sipërfaqe prej 73000 metra katrorë.

Pas Budvës, këngëtarja do vazhdojë turneun e saj në SHBA, Kanada, për të përfunduar më 21 dhjetor 2008 në Sao Paulo, Brazil.


Box


Madonna ka lindur më 16 gusht 1958, në qytetin Bay të shtetit Michigan (SHBA). Këngëtares amerikane, veç titullit si "Mbretëresha e pop-muzikës", i shtohen dhe një sërë veprimtarish të tjera të rëndësishme, si shkrimtare tekstesh muzikore, aktore etj.

Ajo deri më sot ka arritur të realizojë 11 albume diskografike, 3 përmbledhje dhe disa singla, ndër të cilët: "Madonna" (1983), "Like a Virgin" (1984), "True Blue" (1986), "Like a Prayer" (1989), "I‘m Breathless" (1990), "The Immaculate" "Collection" (1990), "Erotica" (1992), "Bed time stories" (1994), "Something to Remember" (1995), "Evita", "Ray of Light" (1998) dhe "Music" (2000). Disa nga filmat e saj më të njohur janë "Body of evidence" (1993), "Dangerous Games"(1993) dhe filmi "Shanghai Surprise" (1986), ku këngëtarja interpreton përkrah ish-bashkëshortit të saj, aktorit të mirënjohur, Sean Penn.


Box

 

Që pas ndarjes nga Serbia, në vitin 2006, Mali i Zi po jeton një rritje të ndjeshme ekonomike. Plazhi që shtrihet poshtë maleve të errët është shndërruar në zonën turistike që po kthehet në "perlën e Ballkanit"

 

 

Budva me flokët e verdhë

 

Ratko i njeh nga larg turistët. Banakieri i "Cafe bar Trofej", një kafe tipike ballkanike nga mënyra e vendosjes së orendive, të vendos në tavolinë, vetëm pak minuta pasi je ulur, një ekspres. "Në këtë orë të natës, një ekspres të bën të rimarrësh fuqitë dhe të vazhdosh shëtitjen tënde në rrugën nga ku poshtë duket Adriatiku dhe ku në qiell vezullojnë mijëra yje".

Një turist anglez na thotë të shohim në mur një fotografi. "Janë dy djem të gjatë malazezë, që mbajnë në duar një pushkë, dhe në bagazhin e makinës ndodhen dy derra të egër". Gjuetia është në modë jo vetëm për malazezët, por dhe për evropianët që zgjedhin pyjet e pafundme të Malit të Zi për të bërë gjueti. Për djemtë malazezë gjuetia nuk është thjesht një pasion, por një ves që lidhet me legjendat, që sipas grave të moshuara malazeze "gjuetia të bën burrë".

Por Xhon nuk ka ardhur në këtë pjesë të Ballkanit për të blerë diku një pushkë dhe të marrë udhën drejt kodrave me pisha të murrme. Ashtu si miqtë e tij që e presin jashtë, ku një trafik ka bllokuar gjithë rrugën që të çon drejt plazhin të Jazit, ku pop-stari Madonna do të mbajë një koncert, dhe Xhon ndodhet në Budva thjesht si një fans. Por qyteti i vogël që shtrihet në këmbët e maleve që lagen nga ujërat e kaltra di t‘i joshë turistët. Mjafton kjo foto për të grishur kureshtjen e një burri, që muaj më pas të udhëtojë sërish drejt Budvës, por këtë herë destinacioni të jenë malet.

Që pas ndarjes nga Serbia, në vitin 2006, Mali i Zi po jeton një rritje të ndjeshme ekonomike. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, përfshi këtu dhe vendin tonë, politika nuk është e orientuar drejt hyrjes me "forcë" në Bashkimin Evropian, por ka zgjedhur strategji se si ky shtet i vogël të kthehet në faktor nëpërmjet resurseve që ka. Dhe bregdeti që gjarpëron në këmbët e maleve është një nga mënyrat që ky vend ka gjetur për t‘iu imponuar botës me bukuritë e tij.

Nëse u referohemi mediave, Rusia dhe Britania kanë investuar për ngritjen e hoteleve dhe fshatrave turistikë që të bëhen të njohura nëpërmjet tabelave të mëdha në serbokroatisht në rrugën e ngushtë që shtrihet përmes maleve nga Murriqani, drejt Ulqinit, Tivarit dhe Budvës. Hotelet luksoze dhe vetë bukuria që ky vend mbart kanë sjellë këtë verë një shifër marramendëse pushuesish.

Por banorët e kësaj zone tregojnë se pushuesit këtu nuk i gjen vetëm në verë. Si një vend malor (nga kjo ka marrë dhe emrin) Mali i Zi është destinacioni i duhur për të kaluar pushime mes erës së maleve dhe joshjes së detit.

Hyrja e investimeve gjigande në këtë cep juglindor të Evropës ka sjellë dhe pakënaqësi nga analistët, të cilët mendojnë se për pak vite ky vend do të bëhet i ngjashëm me vendet e tjera të Evropës turistike, që ofrojnë ndërtime gjigande dhe pak natyrë. Por në një kohë kur njerëzit e kërkojnë natyrën të alternuar me kushtet komode për disa ditë pushimesh, dhe ky vend ka gjetur këtë strategji për t‘iu afruar pushuesve që përveç natyrës të gjejnë këtu dhe ato ndërtesa të bukura që gjenden në plazhet e Turqisë.

Rritja e numrit të pushuesve po ndikon dhe në rritjen e mirëqenieve të njerëzve, të cilët e shohin më të rritur biznesin e tyre në krahasim me vite më parë.

Por Budva nuk është vetëm një qytet ku ti mund të shkosh të shijosh detin dhe natyrën, por edhe historinë. Ashtu si në Dubrovnik, ku të pëlqen të shikosh gjatë ndërtesat e vjetra që datojnë kohë më parë, dhe në këtë vend ndodhen plazhe që ruajnë ndërtesa të së shkuarës. Sveti Stefan është një fshat ku ndodhet një kompleks hotelerie që daton në vitin 1960. Po dhe një pjesë e mirë e qytetit të shfaqet me shtëpitë prej guri që shkojnë me fasadën bashkëkohore që ky qytet po merr.

Për mediat e Ballkanit dhe koncerti i yllit të muzikës pop pikërisht në Budva nuk është një rastësi e zgjedhur prej saj në kuadër të turit që ka nisur prej disa kohësh, por një fushatë e mirë promovimi për qytetin ku vetë këngëtarja do ta shijojë për tri ditë bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.

Një pjesë e mirë e fansave që kanë ardhur për të parë koncertin nuk do të largohen pa shijuar ato çfarë kanë lexuar për Budvën.

Duket se qyteti që dikur ishte pjesë e "trishtimit ballkanik" si pjesë e Ish-Jugosllavisë, duke u përfshirë dhe në luftëra, tashmë ndodhet në kohën më të mirë të tij.

Këtë gjë e tregon dhe vargu i madh i makinave që kanë zënë gjithë rrugën që kalon nga një tunel i madh për të zbritur në Jaz.

Mbi 8 mijë njerëz ndodheshin këtë të enjte në Budva, në qytetin që dikur jetonte të njëjtën histori ballkanike si të fqinjëve të tij, dhe ku muzika pop ishte thjesht një "ëndërr" që shfaqej në ekrane për të rinjtë e dikurshëm që sot janë "50 vjeç".

Të gjithë rendnin në plazhin nga ku yjet dukeshin aq bukur dhe nga larg dëgjohej zëri i "zonjës me flokët e verdhë".

"Is your time Budva" (Është koha jote Budva) u shpreh Madonna, ndërsa mijëra njerëz zgjasnin duar lart nën ritmin e muzikës së saj. Nga ky koncert, Budva pritet të fitojë rreth 6 milionë euro.

Madonna pa peshqirë

Zyrtarët e Doganës në Mal të Zi i kanë sekuestruar këngëtares 300 peshqirë personalë, të cilat ajo do t‘i përdorte gjatë koncertit. Madonna ishte nisur drejt Budvës, duke marrë me vete jo pak, por 300 peshqirë. "Doganierët dyshuan për sasinë e madhe të peshqirëve. Atyre iu dukën shumë për një njeri të vetëm", thotë gazeta "Sun". "Ata dyshuan në faktin se si një njeri i vetëm mund të shpenzojë kaq shumë për një artikull të këtij lloji. Në Mal të Zi nuk ndodh shpesh që të shpenzohet kaq shumë vetëm për peshqirë".


Box


Tri ditë dashuri me Guy Ritchie në Budva


"Tri ditë dashuri në Budva". Kështu i kanë komentuar mediat pushimet e Madonnës në plazhin e Budvës, bashkë me bashkëshortin e saj, Guy Ritchie. Ata do të qëndrojnë në apartamentin presidencial të hotelit "Splendid" në Budvë.

Madonna dhe Ritchie janë lidhur në martesë prej vitit 2000. Së bashku ata kanë një djalë, Rocco-n. Guy Ritchie është dhjetë vjet më i ri se këngëtarja. Disa herë janë përhapur zërat se martesa e tyre ka kaluar në krizë, por gjithnjë ato janë përgënjeshtruar nga vetë ikona e popit. Vetë bashkëshorti i Madonnës pak ditë më parë ka deklaruar se marrëdhënia e bashkëjetesa me të shoqen i ka ndryshuar jetën. "Në fillim nuk e kuptoja se sa do të ndryshonte jeta ime pas martesës me Madonnën. Unë isha fare i papërgatitur për t‘u përballur me këtë jetë kaq nën vëmendje të të gjithëve", duke shtuar megjithatë se popullariteti dhe fama që ka arritur tani ka ardhur edhe si rrjedhojë e martesës së tij me këngëtaren e famshme.

Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama