Bufon Isha fare prane firmes me Milanin

Bufon: Isha fare pranë firmës me Milanin

Ai i portierit është një zanat për burra të fortë. Duhet të kesh një karakter të fortë, të jesh i sigurt në vetvete, por edhe një veti që të mos mërzitesh nga mendimet personale që të kalojnë në kokë. bufonDuhet të dish të drejtosh ata që luajnë përpara teje, por edhe të frikësosh ata që kërkojnë të godasin portën tënde.

Por, mbi të gjitha, duhet të kesh vizionin e duhur dhe të jesh i ndërgjegjshëm për rolin që ke në skuadër. Fundja, futbolli është një sport, i cili shpesh përbëhet nga poetë dhe prozatorë, por në shumë raste, ai ka nevojë edhe për filozofë. Persona të zotë që të njohin punën e tyre dhe të jenë të pagabueshëm, por në të njëjtën kohë të zotët që t'i japin një përgjigje ndërgjegjes së tyre, se nuk mund të jenë kurrë të tillë. Portieri është vërtet numri 1 i skuadrës.

Siç e tregon jeta sportive dhe fjalët e Bufonit: "Nëse nuk ke karakter, mendim dhe vizion, është më mirë që atë portë, në vend që ta mbrosh, bën mirë ta mbyllësh me çelës dhe të largohesh prej saj".

Bufon, ju gjithmonë keni qenë një portier? Është një dëshirë antike?

Jo. E kam nisur si mesfushor dhe madje isha edhe shumë i zoti në atë rol. Në Karrara luanim në mes të rrugëve, sepse makinat ishin të pakta dhe improvizonim porta imagjinare me çfarë të mundeshim. Mua më pëlqente të luaja edhe si sulmues, më pëlqente të shënoja, derisa u pranova në një skuadër të provincës së Masas, ku luaja përkrah Kristiano Zanetit (ish-lojtar i Juves, Interit etj.) dhe Marko Rosit (ishkapiteni i Xhenoas), të cilët arritën të kapnin Serinë A, ashtu si unë. Isha i fortë, por nëse do të kisha vazhduar në atë rol, nuk besoj se do të kisha bërë karrierën që kam bërë.

Por kur vendosët të ndërronit të rol?

Ndodhi rastësisht, një nga dyert e shumta të lëvizshme me të cilat të përball jeta. Portieri titullar i skuadrës u dëmtua dhe unë vura dorezat. Tregova menjëherë disa dhunti, të cilat më mahnitën edhe mua. Por ndërgjegjësimin e plotë, rrufeja e cila më kthjelloi mendjen, më goditi gjatë Botërorit 1990, në Itali. Isha 12 vjeç dhe papritur u dashurova, jo me Maradonën e Linekerin, as me Millën, por me një që quhej Tomas N'Kono, portieri i Kamerunit, një 34- vjeçar, i cili u bë menjëherë pjesë e ëndrrave të mia.

Prandaj, nëse sot kam bërë këtë karrierë, është meritë e N'Konos që më frymëzoi, por edhe e babait tim, i cili më shtyu të provoja këtë rol, duke besuar tek unë. Kur kaluat te Parma?

Një nga vëzhguesit e Parmës, që mbulonte të gjithë krahinën e Toskanës, më ndiqte prej kohësh dhe më takoi. Ai ishte në dijeni se unë kisha bërë edhe dy "provime" me klubin e Bolonjës dhe atë të Milanit, dhe që të dy kishin shkuar shumë mirë, sidomos ai me kuqezinjtë, me të cilët po punoja për detajet e fundit. Por ai këmbënguli që të bëja një provë edhe me Parmën dhe unë e pranova. Në një ditë prilli, ai që do të udhëhiqte këtë stërvitje të veçantë, ku pjesëmarrës ishin vetëm portierë, ishte Ermes Fulgoni, një trajner portierësh, i cili dallohej qartë se nga futbolli kuptonte shumë. Me të mbaruar këtë seancë, Fulgoni nuk më foli, por kishte vajtur direkt te drejtori sportiv i Parmës dhe i tha: "Nëse nuk e blejmë që në këtë moment këtë djalë, do të bëjmë një gabim madhor". Dhe menjëherë më vunë letrat përpara, aq sa unë nuk ngurova dhe i firmosa.

Si mund ta përkufizoni rolin e portierit?

Pa dyshim rolin më të vështirë të këtij sporti. Duhet një ndjenjë gati mazokiste për të pranuar këtë rol, ndonëse unë mburrem pa frikë dhe jam krenar që bëj portierin. Portierët janë personat më inteligjentë të futbollit? Mendoj se po, madje jam i sigurt. Edhe kur mund të jesh duke fituar, edhe kur skuadra jote të mban larg kundërshtarin, ti duhet të planifikosh gjithçka, duhet të urdhërosh dhe të lëvizësh gjeometrikisht shokët e tu të skuadrës, për të paraprirë një aksion të mundshëm të rivalit. Mbi të gjitha nuk duhet të shpërqendrohesh kur nuk je i impenjuar, sepse në një stadium kjo është e lehtë të ndodhë. Ka momente kur në kokë të kalojnë shumë gjëra, por një portier i madh, edhe pse mund të shkëpusë mendjen nga ndeshja për disa sekonda, nuk shpërqendrohet kurrë.

Cilat janë dhuntitë kryesore që duhet të ketë një portier?

Pikësëpari, siguria që duhet t'i transmetojë skuadrës. Edhe kur të mungon, duhet të tregosh gjithmonë se e ke situatën në dorë, sepse ndryshe i shton presionin të gjithë repartit, të gjithë skuadrës. Duhet të jesh i fortë, duhet të dish të ringrihesh, sepse sa më shumë gabon, aq më shumë mund të vazhdosh të gabosh nëse nuk e boshatis mendjen dhe reagon. Një gol, një pritje e munguar, apo akoma më keq një gafë mund të të presë gjunjët, por pikërisht këtu tregohet sesa i fortë je dhe si duhet t'u kundërpërgjigjesh vështirësive. Për mua kjo ka qenë sfida që kam fituar, por, mbi të gjitha, të qenët pjesë e ciklonit, pjesë e gabimeve, e akuzave dhe e gjërave si këto, ka qenë stimuli më i madh, i cili më ka bërë portierin më të mirë që mund të isha. Madje, me kalimin e viteve ndihem edhe më i fortë, i sigurt.

Ju janë dridhur këmbët ndonjëherë?

Po, disa herë, por më shpesh kur isha në moshë të vogël. Sidomos kur gaboja, por unë isha i ndërgjegjshëm për çfarë kisha bërë, për çfarë roli kisha. Prandaj arrita të bind veten se vetëm kështu mund të përmirësohesha, pra, duke gabuar dhe duke e kuptuar se ku.

Cili ka qenë gabimi më i madh që keni bërë dhe pritja më e bukur e karrierës?

Gabimi më i madh ka qenë ai në një ndeshje me Anglinë, me bluzën e Shpresave të Italisë. Ishte diçka e turpshme, por atë gabim e kërkova vetë dhe e meritova të ndihesha keq. Ndonëse nga ai gabim dola më i fortë, sepse kuptova një tjetër situatë që nuk duhej ta bëja. Ndërsa pritja më e bukur e karrierës mendoj se ka qenë ajo në finalen e Ligës së Kampioneve, në Mançester, kundër Milanit, pas një goditjeje me kokë të Filipo Inzagit. Gjithashtu mbaj mend një kundër Paraguait, me bluzën e Kombëtares. Isha vetëm 19 vjeç atëherë.

Ju jeni kapiteni dhe i Kombëtares. Një kapiten i vërtetë, sepse e tregoni gjithmonë këtë. Nga ju buron kjo?

Kapiteni është një futbollist që vihet në dispozicion të skuadrës, sidomos ndaj më të rinjve. Eksperienca bën punën e saj, por mbi të gjitha me të rinjtë, por edhe me moshatarët dhe lojtarët e formuar duhet të dish të zgjedhësh fjalët e duhura, në momentin e duhur.

Siç bëtë ju, për shembull, pas humbjes me Sasuolon, e cila ringjalli Juventusin?

Normalisht. Po, ai ishte një moment ku nuk mund të qëndroja pa thënë. Fundja, ai ishte edhe mendimi i shumë prej nesh në grup. Nuk mund të vazhdonim të bënim të njëjtën figurë të shëmtuar, por në të njëjtën kohë bëmë edhe llogaritë se me 25-26 fitore mund të kishim fituar titullin dhe ia kemi dalë deri më sot.

Te ju dallohet qartë një dashuri e madhe për fanellën bardhezi, sepse kur Juventusi ra në Serinë B, ju mund të kishit shkuar te Barcelona, Reali i Madridit... Por ndërkohë pranuat të qëndronit në Torino. Pse?

Atëherë mund të shkoja ku të doja, në çdo skuadër të madhe të kontinentit, por unë vendosa të qëndroj si shenjë mirënjohjeje për gjithçka kishte bërë Juventusi për mua, për të risjellë në sipërfaqe që ka humbur në futbollin modern. Futbolli nuk është vetëm parà dhe famë, por është ndjenjë, korrektesë. Nëse rivalët apo skuadrat që të ndjekin në këtë betëjë vdesin, atëherë edhe i pari nuk ka më vlerë, edhe ai do të vdesë.

Çfarë mendoni për situatën e Totit te Roma?

Për Totin mendoj atë që mendojnë të gjithë. Që është unik dhe që një histori si e tija nuk do ta shkruajë më askush. Por në të njëjtën kohë mendoj se Roma, klubi, vjen përpara kujtdo. Vetë Toti e di këtë dhe normalisht që si futbollist, askush nuk mund ta detyrojë që të vendosë të tërhiqet. Por nga ana tjetër jam i sigurt se edhe Spaleti do ta bëjë detyrën e tij dhe do të gjejë rrugën më të mirë për Totin dhe skuadrën.

Po sulmuesi që të ka bërë më shumë të vuajë, kush ka qenë?

Bobo Vieri në periudhën e tij të artë dhe Ronaldo, "Fenomeni". Ata të dy ma kanë prishur shpesh gjumin e natës.

Po Bufoni, si e sheh të ardhmen e tij?

Për dy vitet e ardhshme dua të vazhdoj të luaj siç po bëj tani. Do më pëlqente të isha protagonist edhe në një Botëror të gjashtë. Për mua do të ishte një rekord historik, njësoj si Lotar Mateus me Gjermaninë, apo ish-portieri i Meksikës, Karbahal. Më pas do të bëj vlerësimet e mia, në bazë të stimujve dhe situatës sime dhe mundësive që do më jepen.

Përgatiti: JETON STAMOLLA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama