Bujar Hudhri Ja te fshehtat e bashkepunimit tim me Ismail Kadarene

Bujar Hudhri: Ja te fshehtat e bashkepunimit tim me Ismail Kadarene
Si e  keni filluar punën tuaj si botues?

Para se të themeloja shtëpinë botuese “Onufri” kisha hapur një gazetë të pavarur në atë kohë, pikërisht  në 1991 që quhej “Fjala e lirë”. Pas një viti unë kam themeluar shtypshkronjën e parë private në Shqipëri, me një kredi të Programit Phare të Bashkimit Europian. Pastaj shtëpinë botuese.

Cili është libri i parë që keni nxjerr prej kësaj shtëpie botuese?

Libri i parë është ”Abeli” i autorit elbasanas, Ethem Haxhiademi, një shkrimtar që diktatura e la në burg, i njohur për studiuesit e letërsisë, por jo aq shumë nga lexuesi shqiptarë.

Si ka filluar bashkëpunimi juaj me Kadarenë?

15 vite me Kadarenë është një përvojë e shkëlqyer e imja si botues. Ishte një fat i madh fakti se si unë një botues i ri,  pata fatin të bashkëpunoja  me një shkrimtar të klasit të parë.  Synimi për të arritur cilësinë e tij të lartë që kisha unë për ta realizuar  një gjë të tillë ka bërë që unë çdo ditë ta shoh punën time me një sy kritik.

Si ka qenë takimi juaj i parë me Kadarenë?

Takimi me të nuk ishte shumë i lehtë, sepse ai jetonte në Paris, unë jetoja në Elbasan megjithse , vija çdo ditë në Tiranë.Ka qenë im vëlla Ferid Hudhri, i cili ka punuar me Kadarenë në lidhjen e shkrimtarëve, ai që ndërhyri për këtë bashkëpunim. E lamë të takoheshim do ketë qenë 14 nëntor i 1995. Në orën gjashtë mbasdite u la takimi. Ishte hera e parë që unë e takoja Kadarenë, për më tepër në shtëpinë e tij, ku ishte një emocion krejt tjetër, një gjë që unë nuk e kisha imagjinuar. Sepse ai e kishte një botues, që ishte Brikena Çabej sepse ajo jetonte në Paris dhe marrëdhëniet e tyre ishin më komode më të lehta në raport me mua që jetoja në Elbasan. Dhe duke u nisur dhe nga cilësitë profesionale që kishte Çabej nuk do të kishte botues tjetër që mund t’i ofrohej Kadaresë. Unë i fola Kadaresë për punën time dhe mesa unë vura re ai kishte dijeni se çfarë unë kisha botuar. Dhe kur bisedës po i vinte fundi vëllai i tha “Bujari ka dëshirë të botojë një libër nga ju. Dhe Kadare, pa folur fare,  u ngrit mga kolltuku në hollin e pritjes dhe shkoi në studion e tij dhe erdhi me një libër me kapak të bardhë me titull “Dialog me Alen Boske.”, i cili ishte në frëngjisht. E  fillojmë me këtë libër, shtoi pastaj. E mora librin dhe im vëlla ndërhyri për së dyti: shkruaji  diçka Bujarit sepse ky takim atij mund t’i duket si ëndërr dhe ai mori stilolapsin e tij dhe shkroi  “Zotit Bujar Hudhri duke i uruar suksese në rrugën e tij fisnike dhe si fillim i bashkëpunimit tonë. Ismail Kadare,  14 nëndor 1995”

Cila ka qenë marrdhënia njeri, njeri dhe botues shkrimtarë me Kadarnë?

I pandryshueshëm është adhurimi im për Kadarenë si shkrimtar. Dikur Kadareja më ka thënë që shtëpia botuese është shtëpia e dytë e shkrimtarit ose, në rastin më të mirë, është shtëpia e vërtetë e shkrimarit. Synimi im ka qenë kurdoherë që Onufri të jetë një  shtëpi e vërtetë për të gjithë shkrimtarët shqiptarë dhe aq më tepër për Kadarenë.

A mund të na kujtoni se cilat kanë qenë çastet më të lumtura të këtij bashkëpunimi?

Ju përmendët fjalën lumturi, por unë do të preferoja më tepër të thoja:  qetësi. Pasi dy vëllimet e para i paraqitëm në panairin e librit para dy vjetësh. Ka qenë një ditë shumë e vështirë për ne, puntorët e ndërrmarjes punuan dy ditë 24 orë pa pushim, sepse materialet u dorzuan me vonesë, librat kërkoheshin të bëheshin  me cilësi shumë të lartë, dhe kjo kërkontë kohën e vet, se janë shumë procedura që kalojnë në shumë etapa. Unë nuk isha i pranishëm kur libri u promovua. Nuk kisha mundësi të shkoja, se ishte trafiku i dendur, ishte një ditë me shi por e rëndësishme ishte që librat vajtën në kohë dhe mbaj mend telefonatën e Kadaresë që do të ketë qenë nga ora tetë që më përgëzoi, që nuk kishte ndodhur kurrë ndonjëherë.Kjo më dukej një befasi shumë   e madhe dhe më tha se nuk e mendoja se do të dilte kaq bukur gjithashtu më tha “vetëm të jesh i lig të mos e pëlqesh këtë libër”. Pra ky ka qenë çasti më emocionues që mua më ka qetësuar tërësisht. Duke patur parasysh marrëdhëniet e mia me atë që nuk mund të jenë të qeta dhe s’do të jenë asnjëherë të qeta. Sepse kurrë nuk mund të gjesh qetësi të thuash se t’i e ke kryer këtë punë.

A mund të na thoni ndonjë detaj që nga fillimi i veprës së tij dhe në përfundim të saj, pra si është procedura në marrdhëniet tuaj shkrimtarë botues në procesin qoftë dhe teknik të botimit të tij?

Unë kam ribotuar botimet e tij të themi, por gjatë kësaj kohe që unë bashkëpunoj me të ka dhe libra të rinj, kuptohet. Në natyrën e tij ai nuk para tregon se çfarë ai shkruan, por sigurisht që flasim dhe për këto diskutojmë shpesh. Përsa i përket  dorëshkrimit Kadare është nga ata shkrimtarë që shkruan me dorë nuk ka besim te kompjuteri. Më pas shkrimi hidhet në kompjuter pastaj ja kalojmë për t’u korrektuar. Ai i merr sërisht në dorë dhe shton, mbase heq,  përmirëson, pra janë disa etapa deri sa vepra del për botim. Shembulli më i qartë se si një shkrimtarë punon deri në sekondën e fundit, qoftë dhe me një fjalë të vetme . Sidomos kur është një vepër e re ka një përgjegjsi shumë të madhe sepse vëmendja e publikut përballë nesh është shumë e madhe. Hallka e dobët këtu jam unë, si botues dhe unë bëj maksimumin që t’i afrohem cilësisë së tij. Kjo është ajo që ma bënë jetën absolutisht të tensionuar dhe janë të pakta rastet kur ndjehem i qetë në bashkëpunimin me të.

A keni patur çaste të vshtira apo ndonjë debat në punën tuaj me Kadarenë ?

Sigurisht që ka shumë debate dhe probleme, këto kanë qenë në fillimet e mia, por më vonë këto kanë ardhur duke u fashitur. Për mua ka qenë një shkollë më vete, një marrëdhënie shumë e vështirë për t’u përballuar, aq më tepër që unë jam tip krejt tjetër nga ai, por ndoshta kështu duhet ndodhte.

Veprimtaritaria paraqiste e librit të Kadaresë juve ju ka çuar në shumë vende të Shqipërisë madje dhe përtej vendit tonë. Në këto veprimtari ju e keni shoqëruar atë në komunikim me lexuesin dhe elitën e letërsisë të këtyre vendeve. Cila ka qenë njëri nga momentet ose një episod që ju keni qenë dëshmitarë i atij momenti në komunikim me këto veprimtari?

Shumë emocionuese janë takimet e Kadaresë me lexuesin në Kosovë. Kjo është një lidhje që do ta kishte zili çdo shkrimtrë me lexuesin e tij. Dhe ai këtë e ka arritur në Kosovë në Maqedoni, në Mal të ZI. Madje në Mal të Zi mund t’ju tregoj një histori të shkurtër. Në Panairin e Librit në Ulqin, aty ishte i pranishëm Kadareja dhe zonja Kadare dhe mbrapa nesh ishte një stendë tjetër që kishte vetëm një libër, i cili ishte botuar në tre gjuhë. Libri kishte titullin “Fytyra e vërtetë e Kadaresë” dhe ishte  në shqip, serbisht, frëngjisht. Në këtë stendë që kishter vetëm këtë libër në tre gjuhë rrinte një njeri gjithë ditën, po unë nuk e njihja. Në darkë erdhi dikush te stenda jonë dhe më pyeti: ai është  Ismail Kadare? Po i thashë unë. A guxoj, më tha,  ta përqafoj? Unë duke e ditur vështirësinë që është me Kadarenë në këto raste, u drejtova nga ai për t’i marrë leje.

Çuditërisht, pashë që Kadare u tregua i përzemërt me të. Ikën ky  personi dhe kthehet pas pesë minutash me një grua dhe me një vajzë bukuroshe dhe më thotë “a guxojmë me dal në fotografi me Kadarenë?” Kadareja nuk i pëlqen fotot, aq më tepër që ishte perëndim dielli dhe rrezet të binin në sy, por  megjithatë u kalua dhe kjo. I lumturuar, ky person shkoi dhe u ul te stenda pas nesh, aty ku ishte libri në tre gjuhë. Nuk durova dhe jo pa nerva e pyeta, më falni, po cili jeni ju. Ai më tha se jam vëllai prej nëne dhe babe i këtij, dhe mbështeti pëllëmbën në supin e njeriut të stendës. Ky është Kapllan Resuli.Ne jemi rritur me veprat e Kadaresë, gruaja ime ka dhënë gjithë jetën mësim për Kadarenë në shkollat këtu në Mal të Zi, vajza është studente në Podgoricë.  Po ky është i çmendur, tha për të vëllanë. Ju në Shqipëri e çmendët atë në për burgje,  e m’u drejtua mua sikur të më kërkonte llogari.

Si e shikoni marrëdhënien e Kadaresë me lexuesin shqiptarë, por jo vetëm shqiptarë. Pas 90-ës e këtej ka mendime të ndryshme, sikur Kadareja ka ulur nivelin e tij artistik në veprën e tij, sikur Kadareja  nuk e merr Nobelin për arsye politike. Si e shikoni ju këtë realitet?

Kam dëgjuar shpesh mendime të tilla se Kadare nuk shkruan më si para viteve 90. Jam i sigurt se ata që i përhapin këto fjalë janë pikërisht ata që nuk kapin libër me dorë që nga ky vit. Janë botuar pas viteve 90, nga shtëpia botuese Onufri mbi 70 tituj, ribotime por dhe shumë vepra të reja, pa harruar kolanën me 20 vëllime. Kadare ka marrë dy çmime prestigjioze si “Man booker Prize 2005” dhe “Princi i Asturias”. Dy çmime që i rrijnë krah Nobelit. Në lidhje me çmimin Nobel do të shtoja se Kadare është pretendent prej më shumë se tre dekada. Se sa afër këtij çmimi ishte Kadare, mjafton të përmendim intervistën e sekretarit të përhershëm të Akademisë Suedeze ku tha shprehimisht: në se çmimi mbetet në Europë atëhere atë e merr Ismail Kadare i Shqipërisë ose poeti Transtromer i Suedisë. Pra Kadareja ynë përfaqësonte kontinentin europian. Kjo besoj është një përgjigje për ata që dyshojnë në nivelin e letërsisë së Kadaresë.

A keni një lloj konkurrimi me botuesit francezë në drejtim të veprës së tij si e ndjeni këtë partneritet apo konkurrencë?

Nuk mund të jetë asnjëra as tjetra, për një arsye të thjesht pasi kemi dy lexues krejt të ndryshëm kemi interesa paralele, ajo që boton të shkojë te çdo lexues. Unë marrë shembull nga kolegët e huaj në lidhje me cilësinë e botimit, përgatitjen e librave që dhe lexuesi shqiptarë të kenë në dorë libra me një nivel të lartë të shtypi. Dhe unë besoj së e kam arritur këtë me veprën e tij.  
   
Si keni arritur të botoni veprën e Martin Canajt që i ka munguar letërsisë së sotme shqiptare?

Thjesht, ka qenë vëmendja ime ndaj letërsisë Shqipe. Që në fillimet e mia si botues unë zgjodha letërsinë shqipe, ndryshe nga tendence që ishte në ato vite. Sepse unë vija nga radhët e gazetarëve, pra e kisha atë dozën e idealizmit që do t’ju duhej botuesve ta kishin në raport me letërsinë  shqipe.Lexuesit shqiptar donin të lexonin vepra që i mungonin prej vitesh dhe unë e mirëkuptoj etjen e tyre si kundër kontributin e kolegëve të mi që botuan shumë vepra të letërsisë së huaj. Unë e kam bërë këtë gjë me ndërgjegje dhe bindje. Përkushtimi im ndaj këtyre shkrimtarëve ka dhe shpërblimin që nuk vjen rastësisht. Tashmë Onufri ka dy autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe.

Cili është bashkëpunimi ardhshëm me Kadarenë?

-Në të ardhmen kemi një sfidë të madhe me Kadarenë, vitin që vjen. E para është ribotimi i veprës së plotë të Kadaresë, në një paraqitje dhe në një variant tjetër. I cili nuk do të jetë një ripodhim kopje  i opusit  të mëparshëm të tij të botuar në 20 vëllime. Por do të jetë diçka krejt e re. Vepra do të ribotohet në 7 vëllime të një formati tjetër, me nga 1 mijë faqe secili. Vëllimi i 7-të do të përmbledhë arkivin e panjohur të Kadaresë, i cilin, siç thotë edhe vetë shkrimtari, ende nuk e ka hapur fare. Dhe une e bësoj këtë, duke pasur parasysh se Kadareja është aq prodhimtar, sa nuk i del radhë të merret me krijimtarinë e re, e jo më të marret me të mëparshmen. Siç më ka thënë Kadareja, janë dy romane të tij të shkruara shumë vite më parë, njeri prej të cilëve e ka titullin: “Tirana në mjegull”, që e ka përfunduarpasi kaq mbaruar fakultetin në Tiranë dhe një roman tjetër që ka shkruar në vit të parë, kur ka qenë student.

Me këtë rast, lexesi do të mësoj se romani tij i parë nuk është “Qyteti pa reklama”. Po ashtu, në këtë vëllim do të përfshihen skica, synopsise, tregime, fillesa romanesh, etyde, mbase ndonjë letërkëmbim. Sifda ime si botues do të jetë cilësia e paraqitjes së botimit të këtij opusi, do të ketë cilësinë më të lartë që kanë njohur deri më sot botimet shqiptare. Pëervoja ime deritanishme do të më ndihmojë për këtë. Veç kësaj, nga shtëpia botuese “Onufri” lexuesi do të ketë mundësi të marrë në dorë edhe një libër me kujtime nga bashkëshortja e shkrimatrit të madh, Helena Kadare, me titull “Koha e pamjaftueshme”, i cili këto ditë del në qarkullim në Francë. Ky do  të jetë një libër me rreth 700-800 faqe, ku përfshihen 50 vjet jetë të çiftit Kadare, në sfondin e historisë së trazuar shqiptare.  Këto dy botime kaq të rëndësishme, të cilat për mua si shtpëi botuese, përbëjnë sfidën më të afërt, do të realizohen në nëntor të vitit të ardhshëm. 
-Ju faleminderit!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama