Bujar Kapexhiu takimi i pare karikaturat dhe propozimi Honoris Causa per Driteroin

Bujar Kapexhiu: takimi i pare, karikaturat dhe propozimi 'Honoris Causa' per Driteroin
Regjisori rrëfen për vargjet, librin dhe kontaktet njerëzore me shkrimtarin e shquar. Karikaturat për të dhe sesi ndryshoi gjatë viteve patriarku socialist. Pse Dritëro Agolli është një model shoqëror dhe si i propozoi UET-it titullin e nderit për të.

Cili ka qenë kontakti i parë me letërsinë apo shkrimet gazetareske të Dritëroit? E mbani mend se çfarë keni lexuar së pari prej tij? Ku dhe kur?

Shkrimet e Dritëroit mbaj mend që i kam lexuar në vitet e para në gjimnaz. Të them të drejtën, ekzaktësisht nuk mbaj mend se cili ka qenë materiali i parë letrar që kam lexuar, ashtu siç nuk mbaj mend cila ka qenë poezia ime e parë që kam shkruar, por jam i sigurt që më kanë pëlqyer fillimisht vargjet e Dritëroit të shkruara për dashurinë.

Po kontaktin e parë ballë për ballë si e mbani mend?

Takimin ballë për ballë e mbaj mend. Kam qenë nxënës në gjimnazin ‘Petro Nini Luarasi’ në Tiranë. Në shkollë qe organizuar një grup letrar me nxënës pasionantë pas letërsisë dhe veprimtarinë tonë letrare e afishonim në një gazetë muri. Udhëheqësi i këtij grupi ishte profesori i letërsisë, shkrimtari i njohur në atë kohë Gjergj Zheji. Dua të shtoj këtu që, kur profesori lexonte hartimet e mia në klasë apo në këshillin pedagogjik, deklaronte që unë të vazhdoja për letërsi. Nga ky grup letrarësh qemë zgjedhur disa që profesor Gjergji herë pas here na merrte me vete për të marrë pjesë në mbledhjet krijuese që bëheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve. Aty diskutoheshin probleme të ndryshme të krijimtarisë artistike. Kam parë e takuar aty shumë shkrimtarë e poetë që ishin të njohur në atë kohë dhe profesor Gjergji na prezantonte si letrarë të rinj e me perspektivë. Pikërisht në klubin e Lidhjes, që në atë kohë ndodhej pranë godinës së Teatrit Kombëtar, në një takim me letrarët e rinj kam takuar Dritëro Agollin. Elegant, me kostum dhe jakën e këmishës së bardhë mbi jakën e kostumit, model i huazuar nga sovjetikët, flokë të dendur, me një cullufe të lartë të ngritur mbi ballin e gjerë, mesa duket për të balancuar dimensionin e hundës. I kam dhënë dorën, e kam uruar për sukseset dhe ai më ka thënë ‘faleminderit!’. Njohja në vazhdimësi qe më e afërt dhe më profesionale. Unë fillova studimet e larta në shkollën për aktor e jo për letërsi, siç dëshironte profesori im Gjergj Zheji; e as për inxhinieri, siç dëshironin prindërit e mi. Karikaturat që bëja në klasë, në tabelën e zezë dhe në gazetën e murit të shkollës, i vazhdova në shtypin periodik, sidomos në revistën ‘Hosteni’ dhe në gazetën ‘Drita’. Këtu pikërisht qe njohja më e afërt me Dritëroin. Takimet dhe bisedat qenë më të afërta dhe më të shpeshta në redaksinë e revistës ‘Hosteni’, ku unë botoja karikaturat dhe Dritëroi shkrimet e tij humoristike. Më vonë u pranova dhe unë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe kështu takimet tona qenë jo vetëm shoqërore, por edhe zyrtare.

Cilin do të vlerësonit si librin më të mirë të Dritëroit?

Ndoshta, meqë anoj me krijimtarinë time nga humori, më bën që të them pa u menduar gjatë se më pëlqen libri ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’. Origjinaliteti i temës, humori, guximi i rrallë për kohën, karakteret e tipizuar bukur e mjaft jetësorë, më bënë që ta lexoja disa herë e të zbuloj forma interesante, këndvështrime të situatave, trajtimin humoristik, duke më shtuar dhe mua bagazhin artistik për krijimtarinë time në zhanrin e humorit. Fillova dhe unë të shkruaj e të botoj shkrime humoristike.

Cilat vargje të tij dini përmendësh?

Në kohën që kam qenë pedagog në Akademinë e Arteve, vazhdimisht u rekomandoja studentëve, materialin letrar për lëndën e të folurit skenik, poezi dhe prozë nga Dritëro Agolli. Mund të them shumë tituj, subjekte, tema, figura, por ajo që në këtë çast më vjen në mend janë vargjet me të cilat unë kam krijuar karikaturën e parë për Dritëro Agollin: Mora baltën tënde arave/ për t’ia sjellë Lidhjes së Shkrimtarëve...

Sa karikatura keni bërë për Dritëroin? Cila ka qenë e para dhe cili ka qenë reagimi i tij?

Nuk jam i sigurt në saktësimin e numrit, por po them se afërsisht janë shtatë a tetë karikatura. Por sot për gazetën tuaj gjeta vetëm pesë. E para karikaturë për Dritëroin ka qenë ditën e diel 13 prill 1969. Ishte koha që nuk praktikohej në botim karikatura e një personaliteti, por u gjet leja e kalimit me një fjalë magjike. Quhej karikaturë miqësore. Fjala miqësore u bë pasaportë kalimi për çdo deformacion apo pozicion komik në të cilin mund të vendosje personazhin e vizatuar. Ditëroi e pëlqeu shumë dhe sot e kujton në bisedat tona. E dyta karikaturë është në një përvjetor jubile të revistës ‘Hosteni’ dhe tjetra është në vitin 1995, në gazetën ‘Aks’ dhe më tutje janë këto të fundit, një telefonatë me prokuroren e përgjithshme Ina Rama, me kryetarin e opozitës Edi Rama për protestat në gazetën dhe revistën ‘Mapo’, dhe e fundit më përgjithësuese si shkrimtar dhe familjar, në gazetën ‘Standard’. Diçka interesante që dhe unë e vura re në çastin që i grumbullova karikaturat. Shikoj me kujdes si ka ndryshuar pamja e jashtme. Në karikaturën me trastën me baltë Dritëroi shfaqet me flokë të shkurtra, në karikaturën tjetër të vitit 1995 flokët i ka më të gjatë, dhe sot me flokët e bardhë, të gjatë mbi supe, ashtu si ne në kohën e diktaturës i quanim kapelon. Mesa duket, edhe Dritëroi e ndjeu erën e lirisë, dhe me flokët e gjatë plotësoi dëshirën që kishte në rini, atë që nuk ia lejonin pozicioni zyrtar dhe rregullat strikte të regjimit. Në atë kohë jo vetëm flokët e gjatë që nuk lejoheshin, por dhe mustaqet shiheshin me sy kritik, si të papëlqyeshme për portretin e njeriut të ri të realizmit socialist.

Bashkë me Çapajev Gjokutajn ishit pedagogët e UET-it që i rekomanduat Senatit të këtij Universiteti dhënien e titullit ‘Honoris Causa’ Dritëro Agollit. Pse pikërisht atë dhe jo një personalitet tjetër?

Sikur t’ia kishim dhënë një tjetri, dhe ju përsëri do të bënit të njëjtën pyetje, pse atij e jo një tjetri. Dhe unë po them direkt se askush tjetër, sipas mendimit tonë në këtë çast që vendosëm, nuk e meritonte më shumë se Dritëroi. Qe një listë me emra. Të shquar. Me vlera. Të përshtatshëm dhe të merituar për këtë titull. Në diskutimet tona dashamirëse dhe profesionale, si në ato konkurset se kush grumbullon më shumë pikë, në fund bëmë bilancin dhe rezultoi se më shumë pikë kishte grumbulluar Dritëro Agolli. Sot ka historianë, pedagogë, teoricienë, shkrimtarë, politikanë, por Agolli i ka të gjitha këto së bashku, poet, shkrimtar, teoricien, publicist, dramaturg, skenarist, politikan dhe mbi të gjitha ajo cilësi që i ambalazhon të gjitha këto cilësi dhe që i vuri vulën qe përcaktimi Njeriu i Mirë, simbol i mirësisë, ikonë e kulturës shqiptare.

Ditëroi njihet përveçse si shkrimtar edhe si hokatar i thekur. Cilën do të veçonit si më pikanten në deklaratat e tij publike?

Kur ka një, ose dy, ndoshta dhe tre, i mban mend dhe i thua sapo të pyesin. Kur ka shumë e ke të vështirë të zgjedhësh, prandaj dhe unë, në këtë çast po them njërën, më të fundit, më pranë në kohë, më pikantja, më origjinalja për politikën aktuale shqiptare... “meritokraci apo shkërdhatokraci?” Përcaktim i rrallë.

Përveç atributeve të një personaliteti në akordimin e titullit ‘Honoris Causa’, a patët në mendje edhe përzgjedhjen e një modeli që duhet ndjekur nga studentet e UET-it dhe më gjerë nga të rinjtë shqiptarë?

Sigurisht dhe ky qe një këndvështrim dhe kriter i rëndësishëm në përcaktimin e emrit. Dritëro Agolli, një personalitet shumëdimensional, është dhe do të jetë një shembull për t’u ndjekur nga të rinjtë shqiptarë. Rruga e gjatë në jetën shoqërore, politike dhe familjare është një rrugë tashmë e hapur prej tij si një shembull i përsosur në të cilën mund të ecë çdo i ri. Çdo fjalë e tij është një gur kilometrazhi në rrugën e gjatë e të vështirë të artit dhe kulturës. Në qoftë se çdo i ri dallon e respekton sinjalistikën e kësaj rruge, me siguri do të jetë i suksesshëm në udhëtimin e tij artistik e njerëzor drejt destinacionit që i ka shenjuar vetes. Të gjithë të rinjve u rekomandoj të ndjekin këtë rrugë, që hapi dhe ndoqi Dritëro Agolli.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama