Në intervistën dhënë për gazetën, piktori Bujar Zajmi tregon se krijimin e parë të tij artistik e ka realizuar që në moshën 6 vjeçare, për të vijuar më pas në rrugën e pikturës. Për vite me radhë, piktori ka realizuar punë të cilat i ka mbajtur të fshehura, për shkak se ato nuk pëlqeheshin nga koha e komunizmit. Piktori tregon se numri i vizatime dhe i pikturave përgjatë viteve arrin mbi 5 mijë, punë të cilat nuk i ka parë askush deri në vitet e demokracisë. Piktori duke folur për jetën e tij artistike, pohon se krijimtaria e tij binte në kundërshtim me ideologjinë e kohës, gjë që e detyronte ti mbante të fshehura punët e tij artistike. Piktori tregon se i mëshiron talentet që ka pasur Shqipëria, sepse kanë qenë të imponuar me politizim.
Sipas tij, sot arti pamor shqiptar ka talente, por problematike sipas tij është se në krijimtarinë artistike të tyre ata duhet të jenë më shqiptarë, ndërsa thekson se në punët e tyre nuk duhet të imitojnë botën. Ndërsa flet për krijimtarinë artistike, Bujar Zajmi, tregon nëse ne do të shkojmë me arti në Europë duhet të shkojmë si shqiptarë, ku artistët duhet të paraqesin atë që është shqiptare, dhe nëse ata nuk e bëjmë këtë nuk janë të sinqertë. E gjithë krijimtaria e tij artistike e piktorit Bujar Zajmi është e mbështetur në subjektet e jetës së përditshme shqiptare, përfshi dhe atë kosovare e pasqyruar me mjaft shije dhe nën tisin abstrakto-gjeometrik. Thelbësorja në veprën e tij është pasqyrimi i njeriut në situata të ndryshme jetësore dhe konkrete.
Ju vini me ekspozitën “Tirana” para publikut, por çfarë prezantoni këtë herë në telajo?
Në këtë ekspozitë unë kam rreth 65 punë. Unë me origjinë jam nga Tirana dhe e kisha si detyrim të bëja një ekspozitë, të cilën arrita ta bëj. Kjo ekspozitë ka qenë një obligim i imi për tu paraqitur në Tiranë, por në këtë ekspozitë kam futur dhe pak nga zona të tjera të Shqipërisë. Ka punime nga veriu dhe nga jugu. Jam marrë vetëm me njeriun dhe unë mendoj se tiranasit janë natyrë me humor, zemërbardhë, prandaj dhe piktura ime ka shumë bardhësi. Më pëlqen bardhësia, sepse njeriun shikon më shumë ndërsa në errësirë nuk shikon.
Në punët e mia synoj që të kem kombëtaren. Për mua nuk janë tema të bëj një aksionist apo një punëtor partie, pasi janë kalimtare, por është njeriu, nëna që për mua është kryesore dhe është vazhdimësia e jetës. Në këtë ekspozitë janë punime që janë bërë gjatë 2-3 viteve të fundit, kam shumë punë të vjetra por nuk i kam nxjerrë për këtë ekspozitë. Këtu jam përpjekur të sjell natyrën e njeriut tiranas. Pikturat janë kryesisht kompozime, në të cilat jepet ideja e të gjithë banorëve të Tiranës. Në to nuk e gjejnë veten vetëm tiranasit autoktonë, por pjesë e pikturave janë edhe banorët, të cilët erdhën në Tiranë pas viteve 1944 kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. Një vend të rëndësishëm të ekspozitës zënë banorët e hershëm të kryeqytetit, si dhe banorët veriut që mbërritën vitet e fundit.
Si e kujtoni pikturën tuaj të parë?
Pikturën time të parë unë e kam bërë para se unë të mësoja germat. Isha në klasë të parë, në Shkollën e Kuqe dhe mësuese Ollga do të na mësonte të bënin vizat, sepse duhet të përgatiteshim për shkronjat. Ajo në tha se kush mund ta bënte pemën, dhe ajo filloi të bënte pemën por unë e vizatova para asaj, ajo e la shkumësin dhe më pyeti se si e bëra pemën, që më pas unë e bëra dhe me bojëra. Kjo ka qenë dhe piktura ime e parë, kam nostalgji për atë punë. Mësuesja më tha në atë kohë ti qenke piktor dhe unë u bëra piktor, më pas erdhën mësuese të tjera si Sofia Zenka Papadhimitri, dhe fotografinë e saj e mbaj në tavolinë. Unë u futa plotësisht në këtë rrugë vetëm kur ajo i thoshte babait tim se kisha prirje në pikturë. Më vonë kur mbarova klasën e shtatë më pyeti babi im se ku do të shkoja me shkollë, dhe unë i thashë se kisha dëshirë të studioja në pikturë. Pra unë kam tre angazhime, mësuese Ollgën dhe Sofien, por dhe babain tim.
Çfarë ju ka karakterizuar në punën tuaj artistike?
Mua në jetën time artistike më ka karakterizuar gjithmonë puna e shumtë. Në punën time kur erdha nga Gjermania unë u veçova, e shikoja veten që unë isha ndryshe dhe e dija që punët e mia nuk do të pranoheshin nga pushteti i kohës, edhe pse unë isha shef redaksie, isha kryetar i komisionit të grafikës në Lidhjen për gjithë Shqipërinë. Unë nuk pranoja të tregoja punët e mia në ato vite dhe i mbaja të fshehura.
Ku i mbanit ato?
I kam mbajtur të fshehura në shtëpi punët e atyre viteve. Unë nuk bëja telajo, por vizatoja në kartona, letra. Ato punë nuk mi shikonte asnjë njeri, as im vëlla.
Kur u bënë publike për herë të parë ato punime?
Për herë të parë shumë pak nga ato punë mi kanë parë në vitin 1993 në ekspozitën e parë që kam bërë në GKA, ndërsa ekspozita e dytë ishte në vitin 2007 dhe ishte më e plotë. Tek ekspozita e parë edhe im vëlla që ishte piktor i pa punët e mia që nuk i kisha treguar, mes tyre kishte dhe nudo. Disa nga ato punë më parë i kishte parë vetëm Sadik Kaceli dhe Ramadan Sokoli. Unë punoja shumë, por të tjerëve i thosha që nuk punoja.
Në aktivitetin tuaj, a keni pikturuar ndonjë udhëheqës?
Nuk kam pikturuar asnjëherë figura të tilla, janë gënjeshtra nëse thonë diçka të tillë.
E ndërkohë që pas viteve ’90 ju filluat të krijonit lirshëm?
Edhe pas atyre viteve mua sërish më shoqëronte pak frika. Jam ruajtur në ato vite me krijimtarinë time, nëse do të mi shikonin punët para viteve ’90 them se do të bëhej hataja. Unë kam punë që janë me shumë vlerë që nga viti 1956, dhe vizatime dhe piktura së bashku mund të kem rreth 5 mijë.
Çfarë mendimi keni për pikturat e realizmit socialist?
Unë i mëshiroj talentet që ka pasur Shqipëria, sepse kanë qenë të imponuar me politizim. E dyta, për mua është forma ajo që nxjerr përmbajtjen jo përmbajtja të vishet me formën. Aftësia e piktorëve në rastin tim është që nëpërmjet formës ti japësh përmbajtjen, pra figurativisht të japësh idenë dhe jo një ide ta bësh figurë, pasi kjo nuk është vlerë por është ilustrim. Forma duhet të jetë ajo që duhet të nxjerrë përmbajtjen.
Nëse sot do të flisnim për një problematikë në art, ju ku e shikoni atë?
Arti pamor shqiptar për mua ka talente, por nëse do të flisnim për një problematikë në përgjithësi, mendoj se duhet të jenë më shqiptarë në krijimet e tyre. Nuk është mirë të imitosh botën. Nëse ne do të shkojmë në Europë ne duhet të shkojmë si shqiptarë. Ne duhet të paraqesim atë shqiptare, dhe nëse ne nuk e bëjmë këtë nuk jemi më të sinqertë.
A keni pengje në jetën tuaj artistike?
Kam, koha e diktaturës mua më ka vjedhur gjënë më të çmueshme, që është koha. Merrsha me gjëra të tjera dhe nuk kisha shumë kohë të punoja. Intervistoi: Julia Vrapi