Jo shumë larg qendrës së Tiranës, në periferi të saj, përkatësisht në zonën e Paskuqanit, dy vëllezër kanë ndërmarrë një nismë shumë humane. Ata japin bukën falas për këdo që nuk ka mundësi ta blejë. Në supermarketin e tyre, në vendin ku tregtohet buka, shkruhet: “Nëse keni nevojë për bukë dhe nuk keni mundësi ta blini, ju lutem merreni falas”. Një rast sa human dhe i veçantë. Sipas Sefedin Ahmatit, njëri prej vëllezërve, kjo ishte një nismë e tij dhe e vëllait Hasimit, pas një vendimi familjar të tyre.
“Ajo nuk ka qenë thjesht një ide, ka qenë një obligim që ne kemi, një detyrë fetare që ne të ndihmojmë të varfrit dhe ata që janë më pak të privilegjuar”, shprehet Sefedini. Kjo iniciativë e tyre ka rreth dy muaj e gjysmë që është vënë në zbatim dhe, sipas tij, do të vazhdojë. Më tej, ai thekson se ideja për këtë gjest lindi nga një banor i lagjes, në zonën e Paskuqanit. “Ideja që të kontribuojmë në këtë fushë, pra për të shpërndarë bukë, ka ardhur nga dikush që na tha se i kishte dërguar fëmijët e tyre në gjumë pa i ushqyer, sepse nuk kishte pasur me çfarë t’i ushqente. Na erdhi vërtet keq dhe menduam të bëjmë diçka. Meqë ne kishim dhe supermarketin tonë, vendosëm ta realizojmë idenë tonë”.
Një numër i konsiderueshëm njerëzish marrin bukë këtu çdo ditë. Janë familje të cilat kanë vërtet një nevojë të madhe për ushqim dhe që vuajnë për bukën e gojës. Në derën e këtij supermarketi, kryesisht në mëngjes, por edhe në drekë, drejtohen familje të cilat varfëria i ka “robëruar”. Një familje merr aq bukë sa asaj i nevojiten në bazë të numrit të anëtarëve. Ahmati sqaron: “Një familje merr 1, 2, 3 bukë, sipas numrit të pjesëtarëve. Kemi pasur familje që kemi shkuar vetë për t’i ndihmuar, nga rekomandimet që kemi marrë nga njerëzit e tjerë. Një pjesë të familjeve në nevojë i njohim edhe vetë, pasi jetojmë në një zonë, ndërkohë të tjerë janë drejtuar për te supermarketi, por ne e kuptojmë që ata nuk kanë lekë për të paguar dhe ua kemi dhënë bukën falas”.
Me modestinë që e karakterizon, Ahmati u shpreh se qëllimi i tij është i pastër dhe nuk ka aspak qëllime promocioni, pasi është detyrë e tij dhe e gjithsecilit të kontribuojë për më të varfrit. Pavarësisht se nuk kanë një furrë buke të tyren dhe kostoja është më e lartë, ata nuk shqetësohen për këtë fakt. Sefedin Ahmati, njëri prej pronarëve, shpjegon se nuk është aq i pasur, por ndihma për më të varfrit ka qenë gjithmonë synimi i familjes së tij. “Edhe çmimin e bukës e kemi vendosur pa fitim fare, pra siç e marrim e shesim, sepse mendojmë që buka është një e drejtë themelore që çdo njeri ka nevojë. Ajo është diçka e nevojshme, pak rëndësi ka nëse je i pasur apo i varfër, të gjithë duan bukë. Menduam që kjo nuk do të kishte efekt negativ në të ardhurat tona”, tregon ai.
Përveç kësaj, ata kanë menduar edhe diçka tjetër: një kuti ku mbledhin lekë për t’ua shpërndarë të varfërve. Kushdo që dëshiron mund të kontribuojë me pak lekë për t’u ardhur në nevojë familjeve që jetojnë në kushte të këqija ekonomike. Madje edhe bakshishet i depozitojnë në këtë “arkë” të vogël. Ka kontribute të vogla nga pjesa më e madhe e klientëve të këtij supermarketi, pasi në Paskuqan, përveç familjeve ekstremisht të varfra ka edhe nga ata të cilët jetojnë në kushte mjaft të mira ekonomike.
Familja në nevojë
Një ndër banoret e zonës, e cila jeton në kushte shumë të vështira ekonomike, është edhe T. Mema. Ajo shprehet se jeton në kushte të mjerueshme, ku streha e saj është vetëm një dhomë. Në këtë hapësirë nuk ka krevate, janë vetëm dy divane të vjetra dhe tre fëmijët e saj janë të detyruar të flenë në “dysheme”. Kjo as dysheme nuk mund të quhet, pasi e gjitha është e shtruar vetëm me beton. Zonja Mema shton se dhoma e saj nuk i ka parametrat dhe kushtet për t’u quajtur e tillë, pasi aty mungojnë elementet kryesore, nuk ka asnjë lloj gjëje që të përbëjë një dhomë normale për të jetuar një familje. “Edhe këtë dhomë të vetme që kemi, na e kanë dhënë disa të afërm, pasi ne nuk kishim asgjë”, shton ajo.
Familja e saj përbëhet nga pesë anëtarë, tre fëmijët dhe bashkëshorti i zonjës Mema. “Jetesa jonë është mjaft e vështirë. Ne jemi të papunë dhe mundësi për të blerë qoftë edhe gjërat minimale nuk ekziston. I ushqej fëmijët duke më falur njerëzit ndonjë gjë. Falë Zotit bukën na e japin falas çdo ditë”, shprehet ajo. T. Mema gjithashtu tregon se jo rrallëherë fëmijët e saj shtrihen pa ngrënë. “Shumicën e rasteve fëmijët më bien në gjumë dhe pa ngrënë”, tregon T. Mema e përlotur. Zonja, e thyer në moshë tashmë, tregon se asnjëherë nuk janë ngopur me ushqim, asnjëherë nuk e kanë shuar urinë, prej 15 vitesh jetojnë në këtë situatë mjaft të vështirë.
Dita e saj kalon duke lypur nga një shtëpi në tjetrën, pasi edhe mosha e thyer, por më shumë e “vrarë” nga vuajtjet e jetës, nuk i krijon mundësi për të punuar. “Burri im herë punon, herë jo, në punë të zezë gjithë jetën. Nuk e marrin më, sepse nuk e ka më moshën për punë. Ka vuajtur një jetë. Fëmijët nuk mund të punojnë, sepse janë të vegjël”, tregon ajo. Më tej shton se janë të zhytur në borxhe. Sipas saj, ka një listë të gjatë borxhesh në dyqanet ku merr ushqimet, po ashtu edhe te të afërmit apo komshinjtë. Ajo nuk kërkon luks, komoditet, as edhe një shtëpi. Dëshira e vetme që ka është të sigurojë gjënë minimale për fëmijët e saj. Kërkon të sigurojë vetëm jetesën e tyre, të arrijë t’i ngopë me ushqim. “Dëshira ime e vetme është që të siguroj vetëm ushqimin e fëmijëve”, përfundon zonja Mema, duke kthyer sytë lart nga qielli me shpresën se e nesërmja do të jetë më e mirë për të dhe familjen e saj.