Dhëmbët e shëndetshëm nuk nevojiten vetëm për të përtypur mirë ushqimin, por edhe për estetikë. Buzëqeshja është gjëja e parë që të bie në sy te një person, ndërsa dhëmbët e bardhë si bora tregojnë shëndet, rini dhe bukuri. Shkalla e lartë e kujdesit dhe higjiena dentare janë mjaft të nevojshme, por nuk mjaftojnë për të kënaqur atë që ëndërron një buzëqeshje vezulluese.
Sipas amerikanëve “Social teeth” është ortodonsia që u rezervohet vetëm fëmijëve, megjithatë kohët e fundit ka filluar të përdoret edhe nga të rriturit. Statistikat tregojnë se aparatin për drejtimin e dhëmbëve e përdorin një në tri persona, nga mosha 30-40 vjeç dhe kryesisht janë femra që punojnë menaxhere. Ndryshe nga meshkujt, femrat janë më të kujdesshme për dhëmbët. Një gojë e shëndetshme është “një pasaportë” për të pasur marrëdhënie të mira shoqërore. Dihet që një buzëqeshje e bukur varet nga forma, ngjyra dhe pastrimi korrekt i dhëmbëve. Një gjë e tillë na bën të ndihemi më të sigurt në vetvete dhe i forcon më shumë marrëdhëniet me të tjerët. Personat që dëshirojnë t’i nënshtrohen kësaj terapie i tremben faktit se mos aparati duket, por nga Amerika vjen shpikja e fundit: aparate me maskerinë të padukshme. Po ashtu edhe Gjermania ka bërë një hap përpara në fushën e ortodonsisë, tani aparati mund të vendoset në pjesën e brendshme të dhëmbëve, njësoj siç bënin dikur aktorët dhe VIP-at në fund të viteve ’80. Këto metoda kushtojnë pothuajse sa dyfishi i “zgjidhjeve tradicionale”: 4-6 mijë euro në vit.
“Për të pasur një buzëqeshje vezulluese, nevojitet një vizitë te specialisti. Aparati nuk është një mjet shërues, ai vendoset në bazë të anomalive të pacientit sipas një programi terapeutik. Këtë e vendos ortodoncisti, pacienti nuk mund të bëjë sipas kokës së tij. Aparati mund të zgjidhë disa defekte, të tjerat jo”, thekson një specialiste ortodonsie. “Nëse ka probleme maksilare (me nofullat), duhen marrë shumë gjëra parasysh, të vlerësohen pasojat funksionale dhe në këtë rast nevojitet kirurgjia ortonjatike (ripozicionimi i nofullave). Nuk është diçka e thjeshtë, megjithatë sot ndërhyrjet janë gjithnjë e në rënie”.
A mund të bëhet spostimi i dhëmbëve duke hequr dhëmbët e pranishëm në gojë? “Falë zhvillimit të teknologjisë sot gjithçka është e mundur. Dhëmbët mund të drejtohen edhe në moshën 50-vjeçare, por nëse ato nuk kurohen dhe mirëmbahen në rini, ortodonsia e ka të pamundur të ndërhyjë, kështu që pacienti duhet t’i drejtohet kirurgut maksilo-facial”, vazhdon më tej specialistja. “Te të rriturit, përveç atyre që kanë shtrembërime të mëdha të nofullave, terapia fikse mbetet ende më e mira, jep më shumë garanci dhe rezultate. Po ashtu ka edhe mbajtëse të bardha prej qeramike. Sot shumë raste zgjidhen me maskat e rezinës transparente ‘invisaling’. Në këtë rast nuk e kemi fjalën për ortopedinë (për të rregulluar keqformimet e skeletit), por për ortodonsinë (drejtimin dhe bashkimin e dhëmbëve)”. Defekti studiohet në kompjuter dhe vlerësohen spostimet që duhen korrigjuar. Në këtë mënyrë përgatiten pllakat e vogla që do të ngjiten në dhëmbë, të cilat duhen ndërruar çdo 4 ose 6 javë për 15-18 muaj.
“Teknika linguale” (të cilës mund t’i nënshtrohet mosha 17-vjeçare e lart) është më impenjative për pacientin dhe dentistin: pllakat ngjiten në pjesën e brendshme të dhëmbëve. Kjo teknikë kërkon më shumë kohë për të korrigjuar defektin dhe nuk është e përshtatshme për të gjitha rastet. Mund të irritojë gjuhën, krijon probleme në shqiptimin e fjalëve dhe pastrimi është më i vështirë, megjithatë specialistët sigurojnë se pas tri javësh aparati nuk ndihet më në gojë. Pra pacienti mësohet me të. Tani pllakat e aparatit që vendosen në dhëmbë duken më komode (pasi janë realizuar me kompjuter), mbështeten mbi të gjithë sipërfaqen e brendshme të dhëmbit dhe nuk janë shumë të dukshme në kavitetin oral. Por si mund ta kuptojmë se cila është zgjidhja e duhur? “Ortodonsia nuk është një shkencë ekzakte, është një filozofi dhe ka mijëra mendime...”, shton ekspertja.
Të lindësh me dhëmbë të bardhë dhe të ruash të njëjtën bardhësi nuk është gjithmonë një dhuratë e natyrës. Fatmirësisht sot, falë metodave gjithnjë e më të sofistikuara, mund t’i rikthejmë buzëqeshjes freskinë e dikurshme, ose t’u dhurojmë dhëmbëve një bardhësi të paimagjinueshme. Për t’ia arritur qëllimit duhet t’u drejtohemi profesionistëve që janë të specializuar në këtë fushë. Freskia e gojës është pa dyshim e rëndësishme për të gjithë, prandaj shumë njerëz mundohen të kujdesen për dhëmbët duke përdorur produkte nga më të shtrenjtat. Për të ruajtur një strukturë perfekte të dhëmbëve është e nevojshme edhe një përkujdesje e përditshme, që nga pastat zbardhuese, furçat e cilësisë së lartë, çamçakëzët dhe zbardhimi i herëpashershëm nga mjeku.