Bukuria qe do te vije ne te ardhmen

Bukuria që do të vijë në të ardhmen
Kur flitet për bukurinë, femrat i mundin meshkujt. Me sa duket, evolucioni ka vlerësuar më shumë seksin e dobët. Nga një studim i Universitetit të Helsinkit, të publikuar në disa të përditshme britanike, doli se ndërsa meshkujt nuk kanë ndryshuar shumë që nga kohët antike, femrat janë bërë gjithmonë e më të bukura. Shkencëtarët kanë zbuluar se më bukuroshet bëjnë më shumë fëmijë në krahasim me të shëmtuarat dhe se pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve janë të seksit femër. Për më tepër, vajzat që kanë lindur nga mamatë e bukura, janë më tërheqëse dhe për pasojë lindin më shumë fëmijë vajza. Një rreth vicioz që po çon drejt zhdukjes femrat e shëmtuara.

 Përkundrazi, sipas kërkuesve, meshkujt kanë ngelur krejtësisht të ngjashëm me paraardhësit e tyre. Ata që kanë vlerësuar “planetin rozë”, të paktën përpara pasqyrës, janë një grup studiuesish të kryesuar nga Markus Jokela, i cili ka analizuar të dhënat e mbledhura mbi 1244 gra dhe 997 burra amerikanë të monitoruar për 40 vjet.

 Bukuria e kampionit të përzgjedhur u vlerësua, duke krahasuar fotot e shkrepura katër dhjetëvjeçarë më parë, ndërsa në mënyrë paralele janë mbledhur të dhëna mbi numrin e fëmijëve dhe seksin e pasardhësve. Nga rezultatet e studimit të bërë doli se meshkujt tërheqës kanë 13 për qind mundësi më pak të kenë fëmijë në krahasim me meshkujt më pak të bukur.

Ndërkaq, kërkuesit kanë treguar se njerëzit e bukur kanë 36 për qind mundësi më shumë që ta kenë vajzë fëmijën e parë. Në fund, shkencëtarët zbuluan se gratë e bukura kanë 16 për qind më shumë mundësi për të pasur fëmijë në krahasim me gratë e shëmtuara. Ka shumë mundësi që kjo të hyjë në strategjinë evolutive, ende e paqartë, që është adoptuar nga qeniet njerëzore për të mbijetuar dhe që është e programuar tashmë në ADN-në tonë. “Tërheqja fizike është një tipar shumë i trashëgueshëm, që rrit në mënyrë të zhdrejtë suksesin riprodhues të vajzave shumë më tepër se të djemve.

Nëse prindërit me paraqitje të mirë fizike kanë më shumë fëmijë dhe nëse tërheqja fizike është e trashëgueshme, rrjedhimisht del se gratë, gjatë shumë brezave, janë bërë gradualisht më të bukura fizikisht, në krahasim me meshkujt”, ka shpjeguar Satoshi Kanazawa, një psikolog evolucioni në “London School of Economic”. Duket se ky kujtim është i destinuar të vazhdojë, duke krijuar gjithmonë e më shumë avantazhe për “planetin rozë”. Edhe në Hollivud duken qartë shembujt e grave të bukura me vajza të të njëjtit kalibër, nga bota e kinemasë tek ajo e pasarelave dhe ekranit të vogël. Mesa duket, burrat në këtë sfidë janë të destinuar të humbasin.

 Gayle Brewer, një pedagog psikologjie në “University of Central” në Lancashire, thotë: “Burrat dhe gratë kërkojnë gjëra të ndryshme te partnerët. “Për femrat, paraqitja është më pak e rëndësishme te një burrë, se sa aftësia e tij për t’u kujdesur për të kur ajo është shtatzënë, apo sëmurë, periudha kur gratë janë më të dobëta. Historikisht është parë dhe vërtetuar se burrat e pasur tentojnë të kenë më shumë gra dhe shumë fëmijë. Kështu që presioni për të qenë i suksesshëm është mbi burrat”.

Kështu, nëse studimi i Markus Jokelas të Universitetit të Helsinkit do të ishte plotësisht i vërtetë, në të ardhmen do të kishim gra shumë të bukura, që dashurohen me meshkuj të cilët nuk mund t’i shohësh dot në fytyrë. Në një seri studimesh të publikuara në “Journal of Theoretical Biology”, mes viteve 2005-2008, Saroshi Kanazawa kishte arritur në përfundime të ngjashme me ato të Jokelas: që çiftet më të bukura kanë rreth 26 për qind më pak mundësi për të sjellë në jetë fëmijë meshkuj dhe të bukur, në krahasim me ata më pak tërheqës, ndërsa meshkujt e dhunshëm “tentojnë” të gjenerojnë më shumë meshkuj. Rreth 200 vjet më vonë, pas lindjes së Charles Darwin, babait të teorisë së seleksionimit natyror, duket se evolucioni na rezervon një surprizë, duke na treguar se në shekullin XII do të ketë burra të dhunshëm dhe bukuroshe grindavece, që zihen mes tyre për të qenë në qendër të vëmendjes. Ndoshta meshkujt do të përfundojnë duke u dashuruar me vajzat e “shëmtuara”, por me lëvizje seksi dhe zë sensual, duke hedhur poshtë kështu gjithë studimin finlandez të bërë nga Jokela.

Shpëtimi i femrave

Studimi i Jokela-s i bën femrat të ndihen tej mase të lehtësuara, sepse për shumë prej tyre bukuria është gjithçka. Pothuajse gjysma e vajzave sot do të bënin me shumë dëshirë një ndërhyrje kirurgjikale për t’u dukur perfekte. “Mesazhi i mediave është se bukuria shihet si rrugëdalja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të arritur suksesin e ëndërruar”, thotë një sociologe, e cila është në përfundim të librit “Dieta, fizkultura dhe burgjet e tjera”. “Qëllimi? Një trup që në jetën e përditshme nuk është i mundur. Për të arritur këtë objektiv, asnjë sakrificë nuk është e madhe, asnjë substancë nuk është e rrezikshme dhe asnjë dietë nuk është e vështirë. Por ajo që i demoralizon shpeshherë femrat, është se edhe pas një diete të fortë, rezultatet nuk janë kurrë të kënaqshme”. Fatkeqësisht, bisturia, ashtu si paratë dhe droga, nuk të jep kënaqësi, por vetëm iluzione.

 Edhe pse mund të të fshijë për pak kohë rrudhat, nuk mund ta ndalë kohën. Buzëqeshja venitet nëse nuk je e bukur. Në këtë pikë, medoemos ia vlen të mendosh për një “investim” të rëndësishëm që të ketë afat skadence të gjatë. Duhet të shohim thellë brenda vetes për të parë se kujt dëshirojmë t’i ngjajmë më shumë, vajzës së fiksuar pas pasqyrës, apo asaj që qesh vazhdimisht dhe është tip çapkëneje”.

Më e trishtueshme është dëshira e pashpresë për t’iu drejtuar një kirurgu, i cili përmes bisturisë eliminon ato pjesë që ua shëmtojnë paraqitjen, me qëllim që kur të zgjoheni në mëngjes të keni një trup më tepër pranë perfektes, se sa atij që u ka dhënë nëna natyrë. Por tani zgjidhjen ia ka dhënë evolucioni, më shumë se sa kirurgjia estetike apo kremrat e bukurisë. Në të ardhmen, femrat do të jenë shumë herë më të bukura se meshkujt, pa e ndier fare nevojën e operacioneve të vështira, të mundimshme dhe të kushtueshme plastike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama