Bukurine e ka vete fjala

Bukurine e ka vete fjala
Nasho Jorgaqi me vëllimet “Nën hiret e bukurisë” (2005), “Momente” (2007) dhe “Nën zë” (2010) ka sjellë lirshëm në letërsinë shqiptare hajkun, një prej formave origjinale më jetëgjata e më popullore të poezisë japoneze, e cila, edhe kur është pandehur e vjetruar dhe e braktisur, është përtërirë duke u bërë ballë me sukses zhvillimeve historike e letrare të më se tre shekujve dhe vazhdon të lulëzojë edhe në ditët tona.

Hajk (fillimisht hakku) do të thotë “strofë fillestare”, meqenëse kjo formë poetike është e prejardhur nga një lloj sonete japoneze (tanku) që përbëhej nga një trevargësh dhe një dyvargësh të ndarë në mes tyre jo vetëm formalisht, po shpesh edhe në kuptim si strofa e antistrofa e lashtësisë helene.

“Strofa fillestare” e tankës, edhe me bjerrjen e dyvargëshit fundor, ndonëse u demokratizua në brendi me zhvillimin e qyteteve, mbeti një formë e karfosur, në të cilën gjithçka jepet në tri vargje të parimuar, i pari dhe i fundit me nga pesë rrokje dhe i mesit me shtatë. Pra, e gjithë lënda poetike, mendimi dhe ndjenja jepen detyrimisht përmes pak fjalësh, që te hakku nuk duhet të kenë më shumë se shtatëmbëdhjetë rrokje. Ky harmonizim, përveçse kërkon mjeshtëri të madhe në zgjedhjen e fjalës dhe në përdorimin e një sintakse sa më të thjeshtë, herë-herë me fjali mungesore, parakupton poetë vrojtues të hollë të natyrës, të jetës e të shpirtit, të cilët pa krahasime, epitete e zbukurime të tjera stilistike të përfshijnë në ato pak fjalë e hapësira të gjera të realitetit natyror e shoqëror dhe depërtojnë në thellësi të dukshme e të padukshme përjetimesh gjithfarëshe të njeriut, duke i lënë kurdoherë lexuesit pengun e të drejtën e plotësimit të së pathënës, të mbushjes së tablove me detaje, të zbulimit të nëntekstit të hajkëve e të paralelizmave natyrë-njeri aq të zakonshme e mbresëlënëse për këtë formë poezie.

Në dukje mbetesh me përshtypjen se përmbajtja e hajkëve në përgjithësi ka si pikë mbështetjeje ideo-emocionale përballjen dramatike e të trishtueshme të metafizikës së gjithësisë e të natyrës me jetën kalimtare të njeriut, me qëllimet që ky i vë vetvetes, me ambiciet që ka dhe me çastet efemere të gëzimeve e brengave që provon e heq. Por, sado që këtu përmbahet një pjesë e së vërtetës, përshtypja është e sipërfaqshme. Hajku, në evolucionin që ka pësuar nga shekulli 17 deri në kohën e sotme, krahas demokratizimit në brendi e në gjuhë dhe çlirimit prej kanonesh e konvencionesh aristokratike të epokës feudale, ka fituar dinamizëm. Në të ndihet lëvizja, rroket gjallëria, pasqyrohen kundërthënie, shfaqet optimizëm, ekzaltohen bukuria e dashuria, ndihen grishjet për ta gëzuar jetën, për të ironizuar e satirizuar.

U pa e udhës të bëhej ky karakterizim i hajkut japonez, jo aq për të shuar kureshtjen e lexuesve që nuk njihen me këtë formë poezie lirike, se sa për të hedhur dritë në shkaqet pse Nasho Jorgaqi iu drejtua kësaj tradite të lashtë e të largët pikërisht në agun e shekullit 21, deri ku ka arritur ta bëjë të vetën teknikën e këtij kompozimi interesant dhe me ç’tingëllim e me ç’ngjyra e ka sjellë atë në gjuhën shqipe e me përshtatje me kërkesa të kohës e me shijet letrare bashkëkohore.

Pasi lexova dhe rilexova disa herë përmbledhjen “Nën zë” (Hajkët nuk lexohen me një frymë, sepse secili si njësi më vete do kohë për reflektime mbi të) arrita në përfundimin se kjo ndihmesë në pasurimin e poezisë shqiptare me një formë të huazuar e të përshtatur mirë, ka ardhur në një kohë të trazuar, kur njerëzit rreken të gjejnë domethënien e çdo gjëje që ndodh e të vetë ekzistencës me prirjen për të thithur me sa mundin nektarin e luleve të jetës. Ky më duket është shkaku i parë, shtysa shoqërore drejt hajkut.

Shkaku i dytë është mosha e autorit, jo vetëm në kuptimin e vjetëve të kaluar deri tani, por sidomos në kuptimin e shndërrimeve historike mbarë e mbrapshtë, nëpër të cilat i ka rrjedhur lumi i jetës, në mundësitë që i janë dhënë për të depërtuar në shpirtin e në marrëdhëniet e ndërsjella të njerëzve, në begatimin e përvojës krijuese dhe në prirjen e aftësinë e kalimit prej pasqyrimeve analitike të realitetit në sinteza në të cilat shkrihen konture tablosh reale, përjetime të tanishme e të evokuara si kujtime dhe mençuri që u jep hajkëve jo rrallë trajtën dhe vlerën e aforizmës.

Besoj se nuk gabohem. Do të mjaftonte si përligjje që lexuesi të sjellë ndër mend veprat e Nasho Jorgaqit për të vërejtur kalimet e tij prej tregimeve e novelave ndërtuar mbi subjekte dramatike në ndërthurje përmasash të gjera novele e romani (“Mërgata e qyqeve”) apo në proza të shkurtra ndjesie të hollë poetike dhe, në të gjitha format e përmasat e veprës, rrezaton mbi gjithçka një humanizëm i natyrshëm e pa eksklamacione që të gjallëron e të ngërthen si dielli në fillim të pranverës. Pikërisht kjo frymë e përgjithshme dhe e sinqertë rrjedh edhe në hajkët me zanafillë të njëjtin burim dhe me objektiv të njëjtin qëllim.

Autori a botuesi i vëllimit “Nën zë” ka zgjedhur të fiksojë në syprinën e pasme një hajk me përmbajtje disi fataliste, ndonëse rrëqethëse në bukurinë e vet: “Ç’janë ata kuaj të paemër / që tërheqin karrocën time të fatit / në këtë botë kalimtare?”

Kurse unë si kryefjalë të hajkëve të N. Jorgaqit, nisur dhe nga e gjithë jeta e tij, do të veçoja katër prej tyre:
“Ku tjetër / veç në zemrën e njeriut të mirë / fillon mbretëria e qiejve?”
“Më ndih, o Zot, / më shumë se të këqijat, / të mirat e njerëzve të shoh.”
“Hej, të shitoftë zana? / Mos e shkel atë zambak: / ke shkelur bukurinë.”
“S’ka më të frikshme stuhi / se sa stuhia e syve / që zgjon urrejtja.”

Mirësia, dashuria, e bukuria janë ndjenjat që përshkojnë tejendanë vëllimin, si në përthyerje mbresash e përjetimesh konkrete, edhe në formë shprehjesh lakonike aforistike apo dhe meditimesh mbi shfaqje e dukuri që zgjojnë te lexuesi kënaqësi estetike, ngazëllim, prehje shpirtërore, mallëngjim, trishtim e dhembje, po kurrë urrejtje, përçmim a neveri. Jo se nuk ekzistojnë dukuri të urrejtshme e të përbuzshme, po sepse në këtë kohë të trazuar plot strese e trauma, autori i hajkëve ka synuar t’u përcjellë lexuesve përmes reflektimesh lirike vetjake mesazhe jete, shprese dhe burrërie në përballimin e fatkeqësive e të vetë vdekjes.

Hajkët kanë kuptim e bukuri në vetvete cilido qoftë mendimi a ndjenja që përcjellin, por vetëm të kundruara si gurët shumëngjyrësh të një mozaiku na japin portretin e autorit në sfondin e kohës e të gjendjeve shpirtërore kur janë shkruar, në një kombinim përgjithësisht të arrirë të mendimit të matur e të shfaqjes me vetëpërmbajtje të ndjenjave, me reflekse nga më të natyrshmet. Në natyrën e hajkut është karakteristikë dalja kurdoherë në plan të parë e autorit përjetues, vrojtues e meditues. Këto tri elemente shkojnë dora-dorës me njëri-tjetrin, pavarësisht se cili prej tyre ka përparësinë në secilin hajk. Kjo arrihet, veç të tjerash, edhe në mënyrë asociative e përmbajtur në nëntekstet e në hapësirat që autori le të plotësohen prej lexuesit.

Poezia në përgjithësi, hajku me autorin protagonist veçanërisht nuk e durojnë pozimin dhe artificialitetin. Ai ose është shprehje çiltërsie ose nuk është gjë. Parë me këtë sy, Nasho Jorgaqi, me të cilin autorin e këtij shënimi e lidh një miqësi 60-vjeçare, është plotësisht i besueshëm kur shkruan: “Në sytë e brezit tim, jam unë origjinali / dikush tjetër ndoshta dukem / para brezave që kanë ardhur.” Ai, në frymën e përgjithshme që përshkon vëllimin e në çdo bulëz mendimi e ndjenje, është vetvetja e shndërruar në fjalë, që përthyejnë shtegtimin e tij në jetë nga hovet e lektisjet rinore, deri në përmallime pleqërie, nga gëzimi i çeljes së gjethit të ri, deri te trishtimi thellësisht njerëzor për gjethet e zverdhura vjeshtake që i merr lumi e te bora që të kall dridhma.

Por, përtej caqeve të kohës e të brezit, të cilit i përket autori, në hajkët e tij përmbahen vlera njerëzore e artistike që nuk janë thjesht përvojë, po tipare gjenotipi njerëzor, sa i miridentifikuar, aq dhe jetëgjatë, sepse në hajkët e vëllimit “Nën zë”, sado konkrete brendia e tyre, ka përjetime, ndjenja, mendime dhe ide që them se kurrë s’kanë për të perënduar derisa njeriu ka për të qenë njeri dhe do të ekzistojë shoqëria njerëzore. Mund të ketë nuanca që “brezave që kanë ardhur” ne t’u dukemi “dikush tjetër” (nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë, thuhej në lashtësi), por lumi sidoqoftë mbetet lumë dhe ne, brez pas brezi, notojmë në rrjedhën e tij, të mësuar prej paraardhësve e duke trashëguar prej tyre ndjenjën e të bukurës, dashurinë për natyrën, respektin për njeriun, trishtimin e kalimin të pa kthim të kohës, mall e brengë për çdo gjë të bukur që nuk është më e për këdo që kemi dashur e na ka dashur, peng për ëndrra, dëshira e aspirata të parealizuara, qofshin këto të një rëndësie shoqërore a thjesht intime.

Në një farë kuptimi është e drejtë të thuhet: “Jeta, rrugë e pafund. / Secili niset vetëm / dhe vetëm mbërrin.”, por s’mund të nisemi këtej për t’u fryrë erërave të individualizmit, të egoizmit e të mbylljes në vetvete. Përkundrazi, të bukurën e të mirën, kënaqësinë dhe gëzimin, kujtimet e përmallimet dhe gjithçka tjetër njerëzore N. Jorgaqi e shikon si marrëdhënie përkimesh e kontrastimesh, dëshirash e prirjesh të përbashkëta nga ndërthurja e të cilave me përpjekje “ditë e natë pa pushim ngjyrën e dashurisë të përftojmë.” Ideali i tij ende hipotetik është dhënë fort mirë në hajkun: “Ç’mrekulli do të ishte / të shpërndanim në qiell dertet e tokës / të zbrisnim në tokë paqen e qiellit.”

Egoizëm ka vetëm në dashuri, qoftë kur është kundruar si joshje kalimtare, çast, pamundësi e kujtim, qoftë kur autori depërton në thelbin e bukurisë, të cilën e trajton si “lakmi zotërimi e nënshtrim përkushtimi. Janë vërejtje të holla psikologjike, që thyejnë kornizat e egoizmit e të erotizmit, mendimet e ndjenjat e shfaqura në hajkët: “Aq lart të ngjit dashuria / sa fjalët të ngrijnë / edhe pse zemra digjet” dhe: “Ishte malli yt ai / që zbriti hënën e plotë / nga qielli mbi liqen.” Apo në këtë tablo piktoreske magjepsëse: “Përqafuar rri çifti / mes hënës varur në qiell / dhe hënës kredhur në liqen”, ku bukuria e dashurisë “merr përmasën humaniste të kënaqësisë pa interes që përftohet prej lumturisë së të tjerëve.

Në përmbajtjen e hajkëve, përveçse tek-tuk, zënë vend nxitje e përjetime erotike instiktive, kurse si rregull ndjenjat e qëndrueshme, sado vetjake, burojnë prej të menduarit ose të shtinë në mendime. Jo në arsyetime logjike formale, por në mendime me ngjyrime emocionale, sado të ngjashme, por gjithsesi me mëvetësi të papërsëritshme e të drejtpërdrejtë kur kanë formë aforizmi, të nënkuptuar kur bazohen në paralelizma, dhe asociativë kur dukuria e pasqyruar ka domethënie metaforike a simbolike. N. Jorgaqi ka parapëlqyer formën aforistike pa ndonjë rregullsi në masën e vargjeve dhe pa veçim kurdoherë të vargut të tretë, që në hajkun klasik japonez, duke qenë befasues e në dukje i shkëputur, u lë hapësirë fantazisë së lexuesve. Këto ndryshime, në rastin më të mirë, janë veçori që meritojnë analizë më të hollësishme dhe jo dobësi.

Të marrim shembull një hajk ndër më të thjeshtët në dukje:

“Kur e theve atë degë të lofatës / krahu sa s’më lëvizi nga vendi / dhembje ndjej akoma.”
E merrni me mend ç’ka dashur të thotë autori me dhembjen që i ka shkaktuar thyerja e degës së lofatës? Dhunim i të bukurës, thyerje e lajmëtares së pranverës, gjymtim i njeriut e i vetë jetës, lëndim i një të dashuri, brengë e dhimbje për prishjen, qortim i hedhur për prishësin, grishje për t’iu shmangur dhunës.

Ka raste kur ç’është thënë fshihet thuajse hermetikisht në përfytyrime evazive, që i japin më shumë liri të menduarit e imagjinatës së lexuesve, më shumë të drejtë interpretimi. I mbetet lexuesit, jo të hamendësojë ç’ka dashur të thotë autori, por nisur prej një formimi e përvoje vetjake, t’u japë domethënie mendimeve të trishtuara të hajkëve: “Pa ty, yll i vetmuar, / që rri e vështron trishtueshëm / mbi humnerë.” “Ti ike prej këndej përgjithmonë. / Mbyllur janë kanatet e dritares / Kujtimi yt shpuzë nën hi.”

Gjuha e përdorur prej Nasho Jorgaqit i përmbahet shkurtësisë së hajkut dhe domosdoshmërisë që me pak fjalë të thuhet shumë, gjë që kërkon mund e mjeshtëri përzgjedhjeje, në mënyrë që çdo fjalë të ndihet e lirë, e plotë në kuptimin që përmban, e pazëvendësueshme në kontekst dhe e zhveshur prej stolisjesh të panevojshme. “Mos e stolis kot fjalën / kur gjithë bukurinë / ajo vet e ka” – këshillohet në një prej hajkëve.

Ky përdorim i pastilizuar i fjalës i bën më të prekshme objektet materiale e shpirtërore, e nxjerr më në pah tingëllimin muzikor të çdo fjale, u jep marrëdhënieve në mes tyre kontekst poetik dhe ritmin përcjellës të dukurive e gjendjeve shpirtërore të ndryshme. Por, nga ana tjetër, fjala, siç është përdorur tradicionalisht dhe në hajkun japonez, përveç kuptimit konkret, është përdorur në mënyrë të përsëritur edhe konvencionalisht si metaforë e si simbol, apo si shkak përfitimi paralelizmash e përqasjesh: lumi – jeta; qielli – prirja drejt hapësirash të lira; lulja – gëzimi i jetës; gjethet e vjeshtës – trishtimi; ngricat e dimrit – pleqëria etj., etj.

Përmbledhtas, në hajkët e Nasho Jorgaqit lexuesi gjen mirësi e rrëzëllime dashurie për çdo gjë të bukur njerëzore, shkrirje të estetikes me etikën, një poezi lirike të një lloji të veçantë, realizuar përmes një gjuhe të përpunuar e një shprehjeje lakonike, një poezi që të emocionon e të shtyn në mendime.

23–26 korrik 2010

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama