Islanda është duke bërë mrekullinë në futboll, por në fillim të qershorit u kurorëzua si kampione në spektaklin e bukurisë. Bukuroshja 21-vjeçare Arna Jonsdotir i sfidoi të gjitha vajzat e tjera pjesëmarrëse duke fituar kurorën si "Miss"-i i kampionatit europian.
Ajo ka folur për mediat gjermane pas këtij suksesi që po kalon vendi edhe në aspektin futbollistik dhe thotë se triumfi i saj në konkursin e bukurisë të shërbejë si frymëzim edhe për suksesin e skuadrës. Islanda eliminoi Anglinë pak ditë më parë dhe tani e pret një sfidë shumë delikate ndaj Francës, por Arna beson se ekipi mund t'ia dalë.
"Është mahnitëse. Një ekip i vogël si Islanda fitoi ndaj Anglisë, por shpresoj që të vazhdojë rrugën. Është diçka shumë e bukur ajo që po ndodh në futbollin e ditëve të fundit. Unë dhe të gjithë qytetarët e Islandës ndihemi shumë të lumtur për këtë ecuri të skuadrës.
Ne po u tregojmë të gjithëve se futbolli është pasion dhe me sakrificë mund të arrish gjithçka", thotë 21-vjeçarja. Kjo nuk është hera e parë që Islanda ka triumfuar në konkurset e bukurisë. Vendi i vogël që po bën mrekulli në futboll ka konkurruar denjësisht në shumë spektakle dhe ka zënë vendet e para.
Skuadra e Lagerbak është duke u përgatitur për një tjetër surprizë ndaj vendit organizator, ndërsa Arna Jonsdotir thotë se e ndjek çdo ndeshje në qendrën e kryeqytetit e rrethuar nga shumë njerëz të tjerë dhe tifozë të mrekullueshëm.
Ndeshja ndaj Anglisë kishte arritur një rekord shikuesish për Islandën dhe vetëm 680 persona nuk e kishin parë ndeshjen.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI