Në këtë bulevard u ndërtuan objektet më të rëndësishme të Korçës si Katedralja e Shën Gjergjit, Shkolla e Parë Shqipe, Bashkia (tani Pallati i Kulturës), Hotel Pallasi, shtëpia e Themistokli Gërmenjit, Gjykata (ku u shpall Republika e Korçës), shtëpia Rumune, banesa e Rrakove, ajo e Bopit, Konsullata Greke si dhe monumenti më i rëndësishëm i qytetit, ai i Luftëtarit Kombëtar. Kisha e vjetër e Shën Gjergjit e ndërtuar me smërç në shek.13 u prish në vitin 1875 për të ngritur katedralen e re, e cila u ndërtua e tëra me blloqe guri (ishobjekti më i madh në Shqipëri tërësisht me gurë).
Kemi një paradë veprash me funksione dhe stile të ndryshme ndërtimi. Ky bulevard u bë simbol i qytetit. Tri herë i është ndërruar emri: Shën-Gjergj, Lenin, pastaj “Themistokli Gërmenji” dhe së fundi prapë Shën-Gjergj. Asnjë qytet nuk mban aq objekte me rëndësi në një distancë aq të shkurtër, saç i mbante ky bulevard. Ishte shtylla kurrizore e qytetit, që tani nuk është më. Është një shesh, një pllakë, një fushë. Punimet që u bënë gjatë vitit 2012 e transformuan rrënjësisht. Dëmi është në plan, pastaj në hapësirë. Dëmi është praktik, por dhe teorik dhe prek shumë fusha të mendimit dhe veprimit. Është një fakt shumë i rëndësishëm për t’u analizuar gjatë. Planimetria e vjetër e bulevardit ishte e ndarë me tre shirita gjatësore, majtas dhe djathtas ishin trotuaret, në mes ishte rruga. Në prerje trotuaret ishin më lart se rruga, rruga ishte me kurriz dhe kullime anash. Më parë kishte një trotuar në të majtë dhe një në të djathtë, sot nuk ka më. Bulevardi dukej më i gjatë për shkak të tre rripave paralele. Tani që u bë një pllakë katërkëndëshe duket më i shkurtër dhe i paproporcionuar.
Është një shesh fare i paproporcionuar sepse ai që në fillim nuk ishte konceptuar si shesh por si rrugë. Sot në praktikën e projektimit hapësinor janë me qindra rastet e bërjes së hapësirave të gjera dhe të sheshta, ato që quhen pedonale, pa trotuare, vetëm për këmbësorë. Por nuk është ky rast në Korçë. Si gjithmonë ne kopjojmë gabim. Kjo bëhet në rastin e qyteteve të rinj, me godina shumëkatëshe, parqe, trena ajrorë, autostrada që kryqëzohen. Në mes tyre krijohen oaze qetësie që janë pedonalet. Kjo është tjetër gjë. Kjo nuk mund të aplikohet në çdo qytet, sidomos në qytete me një urbanistikë të vjetër e cila në vetvete është pjesë e trashëgimisë. Arkitektura lind nga urbanistika, dhe anasjelltas: urbanistika përcaktohet nga mendimi arkitektonik që do të realizohet.
Të dyja janë të lidhura dhe nuk mund të ndërrosh radikalisht vetëm njërën. Prishja e kësaj ndërlidhjeje, e bën të pakuptimtë si njërën ashtu edhe tjetrën. Tani kjo lidhje është prerë dhe uniteti urbanistikë-arkitekturë mungon. Kjo prerje është e dhunshme, antishkencore dhe dëmtoi rëndë gjithë sistemin urban të qytetit. Kjo fatkeqësisht shihet qartë tani në atë që ishte më parë Bulevardi i Shën-Gjergjit.
Nuk ka më sens, as pllaka, as objekte. Në qytete të tilla si Venecia, Dubrovniku, Ohri, Korça, Gjirokastra, Berati, struktura urbane është pjesë e rëndësishme e vet trashëgimisë dhe nuk mund të ndryshohet. Nuk mund të konservosh objekte dhe të prishësh elementet kryesore të sistemit urban që janë rruga dhe trotuari. Ky shndërrim radikal prish tipologjinë e gjithë sistemit rrugor të qytetit. Sepse lind pyetja: nëse ky shndërrim u bë në bulevardin kryesor të qytetit, përse të mos shtrihet në gjithë rrugicat, të ndërhyjmë kudo dhe të heqim trotuaret? Dua të theksoj se studimet urbanistike të viteve 1965, 1970 dhe 1980 ruajtën po të njëjtën strukturë të bulevardit.
* * *
Aksi që është perceptimi primar i një rruge apo bulevardi tani mungon. Aksi si një vijë e padukshme ndan në mënyrë simetrike çdo shirit urban. Aksi duhet të jetë gjithmonë i lirë vizualisht. Tani nuk ka më aks simetrie të lirë sepse këtë e kanë zëvendësuar ndriçuesit. Aksi është si shtylla kurrizore në një organizëm të gjallë. Tani bulevardi nuk ka shtyllë kurrizore. Aksi në një rrugë duhet të jetë i lirë, i papenguar, i dukshëm. Aksi tani është i okupuar nga një pikëzim aksesorësh ndriçimi. Ndriçimi që në fakt duhet të jetë vetëm dritë, është bërë një trupëzim pengues.
Më parë ishin dy sheshe, ai para teatrit dhe ai para katedrales, të lidhura me një arterie të rëndësishme, bulevardin. Tani janë tre sheshe të xhuntuara pa kuptim. Kjo prish nga ana tipologjike hapësirën. Është prishur raporti njeri-hapësirë. Tani njeriu humb. Nga banka te katedralja, kemi tani një hapësirë të stërmadhe, të frikshme, të pakuptimtë. Ruajtja e mashtabit të njeriut me hapësirën dhe objektet përreth është parësore. Në qytetet e vogla krijohen qëllimisht më tepër hapësira intime, të vogla në mashtab, kjo dhe i dallon nga qytetet e mëdha, kjo dhe është vlera e shtuar e tyre.
Kjo dhe është ana më humane e qyteteve provinciale si Korça. Zhdukja e kësaj është humbje e madhe për qytetin. Të dëmtosh këtë do të thotë ta zhveshësh qytetin nga vlerat e tij më thelbësore, me të veçanta, me autentike. Trotuaret krijojnë një tunel ajror ku njeriu detyrimisht e ka afër dhe pranë tjetrin, e sheh e përshëndet. Në shesh ky ritual minimizohet nga distanca. Prishja e këtyre ritualeve, gërryen vlerat qytetare.
* * *
Ky bulevard ishte udha kryesore e qytetit dhe në rastin e manifestimeve ceremoniale. Karvani i Pashkëve dhe ai i karnavaleve kalonin aty mes përmes dhe njerëzit që sodisnin rrinin në të dy trotuaret si në dy tribuna natyrale. Tani mesin e kanë zënë ndriçuesit dhe karvanët nuk mund të kalojnë në mesin e artë. As spektatorët nuk e kanë më atë tribunë natyrale. Kështu ato ngjarje madhore po edhe të tjera të rastësishme, (si manifestime, parakalime me bande etj.) ishin ndarë bukur: ata që manifestonin dhe ata që admironin. Ishin ngjarje që mbahen mend për gjithë jetën.
Tani kjo nuk mund të ndodhë: tribuna nuk është më. Hapësira gjigante e krijuar nga banka në katedrale është në disproporcion me plotin e godinave. Trotuaret kanë pasë përcaktuar gjithashtu edhe përkulshmërinë dhe plasticitetin e godinave përbri si p.sh. Godina e Rrakove apo e Bopit. Tani ky kontribut nuk mund të identifikohet më. Trotuaret kanalizojnë lëvizjen njerëzore. Më parë ishe i detyruar t’u shkoje afër objekteve me të cilat krijohej një raport tjetër. Si në një film. Tani ti shkon pa asnjë lidhje të detyruar, duke notuar në një hapësirë pa repere. Atëhere kishin kuptim edhe pemët, sot janë si të mbjella në një fushë, notojnë në hapësirë. Ndriçimi i futur në mes është i bezdisshëm, të duket sikur do të përpiqesh me shtyllat. Ato kanë marrë një vlerë që nuk u takon duke u kthyer në protagonistë të sheshit. Është si të vësh një abazhur në mes të dhomës, megjithëse të pengon lëvizjen.
Ka humbur krejtësisht orientimi, po ashtu aftësia për të përcaktuar distancat. Këto të dyja: orientimi dhe perceptimi i distancave, janë ndër detyrat parësore të shkencës urbane. Tani gjithë objektet në të dy anët duken më të vegjël, sepse pllaka i zhvlerëson. Më parë trotuari kishte edhe këto dy funksione: shërbente si një çokolaturë e vogël që mbante dhe reklamonte objektin dhe shërbente si një shesh i vogël që i përkiste çdo objekti. (Sheshi para Mësonjëtores shërbente edhe si një hapësirë grumbullimi dhe takimi para aktiviteteve, etj.) Shikoni si duket Mësonjëtorja tani, si e zhvlerësuar, e vendosur direkt në një hapësirë qerose, sikur po pret një tsunami. Trotuari që e lartësonte dhe e mbronte tani mungon. Shikoni si duket Pallati i Kulturës sot: si një maket i vendosur në një shesh kartoni. Mungon dialogu i dy trotuareve që është si pjesë e një trupi njerëzor. Krahu dhe këmba e majtë, krahu dhe këmba e djathtë.
Në strukturat urbane ka shumë pikëtakime me anatominë njerëzore. Tani lidhja e bulevardit pllakë me rrugicat anësore është gjymtuar, është jo organik dhe artificial. Rrugicat që janë shumë më të ngushta kanë trotuare, bulevardi jo.
Në këtë operacion radikal u prishën pa asnjë arsye dhe dy shatërvanët anash katedrales së qytetit që ishin ndërtuar në vitet tetëdhjetë. Ishin të vendosur bukur dhe të punuar mjeshtërisht me gdhendje në gurë të kuq polene. Përse u prishën? Për të ndërtuar atë shatërvan të pakuptimtë para monumentit të Luftëtarit Kombëtar? Luftëtari nuk është sirenë, as peshk e as rosak. Skulpturat që shoqërojnë shatërvanët janë skulptura parku ose mitologjike. Luftëtari që simbolizon luftën dhe rezistencën, frymën e Rilindjes dhe të Pavarësisë, përfaqëson qytetin. Është skulpturë monumentale. Të duash ta kthesh këtë në një skulpturë parku është një zhvlerësim total.
* * *
Kam qenë një ndër ata që kanë propozuar pedonalen para 6 vjetësh, kur kryetari sa kishte marrë mandatin e parë. Kjo për arsyen se shtresat dhe aksesorët ishin amortizuar dhe qarkullimi ishte kaotik. Mendoja një rinovim të tij dhe një rivlerësim të objekteve përreth. Kjo nuk ndodhi. U bënë shpenzime kolosale për një qytet si Korça dhe veç dëm sollën. Nuk mund të bëhej një operacion i tillë pa realizuar në fillim parkimet. Të paktën duhen tre sheshe parkime periferike. Tani parkimin e makinave qytetarët e realizojnë si mundin.
* * *
Janë ndërtuar pedonale në Durrës, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër, Tiranë dhe nuk ka asnjë studim ose kritikë, asnjë artikull se si u realizuan këto dhe çfarë ndryshuan në jetën e këtyre qyteteve. Katedrat e urbanistikës së Universitetit Shtetëror apo universiteteve private nuk preokupohen fare. Një mosinteresim total për çdo gjë që ndodh. Kjo është përgjegjësia profesionale? Ç’të flasim pastaj për ata arkitektë dhe urbanistë të strukur në jetën provinciale, të frikësuar dhe pa asnjë iniciativë? Qytetet tona, disa herë po vuajnë rëndë pasojat e një veprimtarie amatoreske që bëjnë pushtetarët lokalë, të cilët kujtojnë se kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan, sepse duan të bëjnë çudira, pa ditur se ç’bëjnë.