Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, i ka bërë thirrje sot bashkisë së kryeqytetit që të shpronësojë të gjithë qytetarët, të cilët preken nga ndërtimi i bulevardit të ri. Vorpsi shtoi më tej se kërkesa e qytetarëve të Tiranës për shpronësimin e pronave të tyre është e drejtë.
“Si prefekt i Tiranës, më është dërguar buxheti i Bashkisë, i cili nuk mbulon të gjitha fondet e shpronësimit, të parashikuara nga qeveria, jo nga kjo qeveri, por nga vetë qeveria e mëparshme. Unë si prefekt nuk mund të injoroj kërkesën dhe protestën e qytetarëve të Tiranës, të cilët në fund të fundit kanë të drejtë, ata duan të shpronësohen. Nuk mund t’ua prishim shtëpitë pa u shpronësuar. Unë personalisht ju bëj me dije se këtyre njerëzve nuk do t’u prishen banesat pa marrë shpronësimet”, -deklaroi Vorpsi nga zona e Stacionit të Trenit, ku kanë nisur edhe punimet për bulevardin e ri.
Prefekti Vorpsi i bëri thirrje bashkisë së Tiranës që të bëjë shpronësimet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe të mos e kthejë bulevardin në një betejë politike.
“Bashkia e Tiranës duhet t’i dëgjojë këta qytetarë. Unë i bëj thirrje kryetarit të bashkisë së Tiranës të mos bëjë politikë. T’i përkushtohet detyrës që ka, të mos prishë shtëpitë dhe të mos lërë tironsit nën qiell të hapur, pa i dëmshpërblyer më parë. Zëri i shpronësimeve duhet të jetë 1.7 miliardë lekë, por ky zë nuk është miratuar nga Këshilli Bashkiak”, -shtoi më tej Vorpsi.