Bun edhe Meshari

Bun edhe 'Meshari'
Një pas një vendimet e qeverisë, duke miratuar një copë buxhet sot e një copë tjetër nesër, po konfirmojnë edhe disa ngjarje të kalendarit të aktiviteteve për 100-vjetorin e Pavarësisë. Javën që shkoi u vendos për ardhjen e armëve të Skënderbeut. Duke qëndruar te veprat monumentale të Mesjetës shqiptare, një tjetër lajm doli mbrëmë nga vendimet e Këshillit të Ministrave.

U vendos që Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t’i shtohet fondi prej 2 827 440 (dy milionë e tetëqind e njëzet e shtatë mijë e katërqind e dyzet) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve për sjelljen në Shqipëri të “Mesharit” të Gjon Buzukut, me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë. Prurja e librit të parë shqip 1555 është propozuar nga ministri i Kulturës Aldo Bumçi. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit.

Vepra që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit, mendohet të ekspozohet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë gjatë periudhës së festimeve të Pavarësisë. Vetë BK ruan në fondet e saj një kopje të origjinalit.

“U Donih Gjoni, biri hi Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh nuk kish gjaa të endigluom ensëh shkruomit shenjtë, ensëh dashunit sëh botësë sanëh desha dhe u fëdigunëh për saa mujtah meh zdritunë pak mendetë e atyneh qi t’eh endiglonjinëh.”

Thuhet me shqipe të vjetër në pasthënien e këtij meshari katolik të cilin famullitari Gjon Buzuku mendohet ta ketë përkthyer për disa muaj brenda vitit 1554. Botimi që na ka mbërritur me humbje me 188 faqe, u bë në janar 1555, me qëllimin për t’u shërbyer në kishat e ritit katolik të Shqipërisë.

Ishte Gjon Kazazi që e zbuloi i pari më 1740. Ai kopjoi një copë rituali e ia dërgoi në shenjë nderimi themeluesit të Seminarit Arbëresh të Palermos. Më vonë, peshkopi arbëresh i Siçilisë, Pal Skiroi (1866-1941), e rizbuloi më 1909 dhe nxori një fotokopje të të gjithë tekstit, bëri një studim për të, por nuk arriti ta botonte. Një botim shkencor të plotë të veprës, të shoqëruar me një studim për gjuhën e Buzukut, e bëri Eqrem Çabej (1968).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama