Trajneri i Kosovës Albert Bunjaki ka rikthyer edhe njëherë vëmëndjen nga futbollistët e Përfaqësueses kuqezi. I fundit është lojtari i lënë në harresë nga De Biazi, Alban Meha. Mesa duket, Bunjaki kërkon të përfitojë nga mardhëniet jo të mira mes Mehës dhe De Biazit duke deklaruar se mesfushori e ka derën e hapur të Kombëtarja Kosovare. Pak javë më parë trajneri ka deklaruar se do t'i bëjë ftesë edhe Milot Rashicës.
Në Kongresin e UEFA-s, që do të zhvillohet në 3 maj Budapest, Kosova pritet të pranohet si anëtare e qeverisë europiane të futbollit, duke i hapur kështu rrugën dhe anëtarësimit në FIFA dhe pjesëmarrjes në eliminatoret e Botërorit Rusi 2018.
Nisur nga kjo trajneri kosovar ka nisur të mëndojë për të krijuar një ekip sa më konkurues, transmeton "Supersport".
"Shpresojmë që data 3 Maj të jetë një datë pozitive për futbollin kosovar dhe atë shqiptar në përgjithësi. Në aspektin sportiv jam i përqëndruar të ndërtoj një skuadër sa më të mirë dhe objektivi është që pas 4 vitesh të jemi në kualifikueset e Europianit.
"Nuk ka dyshim që Albani ka qenë në planet e mia edhe më herët para se të vinte në Kombëtaren e Shqipërisë, mirëpo në kohën kur ka qenë pjesë e Kombëtares Shqiptare ku akoma është, Shqipëria ka qenë prioritet pasi ka pasur kualifikimet dhe ka pasur përparësi.
Në këtë moment që Kosova i afrohet kualifikimeve ne pretendojmë të krijojmë një skuadër të fortë, dhe lojtarët që do të dëshirojnë të vijnë do të jenë të mirëseradhur.
Albani është një lojtar që e njoh mjaft mirë dhe jo rastësisht është duke pasur sukses në Turqi dhe normalisht do të ishte i mirsëeardhur nëse shpreh dëshirë dhe ka të drejtë të vijë, pse jo", ka deklaruar Bunjaki.