Macet janë në gjumë, pak më tutje dhia dhe delja bashkëjetojnë me disa lamje. Ngjitur me to, në kafazin tjetër qëndrojnë tok një ka dhe një kalë të strukur në një qoshë duke iu larguar baltës. Më tej janë strucat mes të pëgërave të tyre dhe në fund dy arinj në një kafaz disi më komod se të tjerët, megjithëse pllakat janë të prishura e të thyera edhe aty. Një muzikë e lartë vjen nga godinë e madhe e rrënuar, ku dikur ka patur zogj. E kotë të kërkosh një përgjigje për situatën e mjerë të kafshëve. “Çështje fondesh” si përherë. Më kollaj merresh vesh me breshkën që qëndron pa lëvizur mes një tufe me lepuj. Jemi në kopshtin zoologjik të Tiranës në një ditë maji të 2012-s. Ndoshta më mirë do ishte të quhej Burgu Zoologjik i Tiranës….
1971 është viti kur është hapur Parku Zoologjik në Tiranë. Gjendet pranë Kopshtit Botanik, në fund të digës së liqenit artificial të Tiranës, e quajtur shëtitorja “Lasgush Poradeci”. Ky kopsht ka një sipërfaqe prej 5,97 hektarësh, nga të cilat 4,35 hektarë janë sipërfaqe e gjelbër, 1,3 hektarë janë sipërfaqe ujore e përbërë nga basene të vegjël me ujë, 1,8 hektarë zihen nga rrugë dhe sheshe të vogla dhe 0,14 hektarë janë sipërfaqe ndërtimi të destinuara për kafshët dhe shpendët. Pas viteve 90‘, ka pasur një pakësim të ndjeshëm të kafshëve të egra, ndërkohë vijon të frekuentohet me pagesë nga qytetarët për lulishtet dhe sipërfaqet e tij të gjelbërta.