Është kjo historia e 56-vjeçares Pranvera Manjani, e cila është dënuar për vrasjen e bashkëshortit. Ajo aktualisht ndodhet në burgun 325 të Tiranës dhe është dënuar me 20 vite burg. Vite të cilat ajo përpiqet t’i fshijë por që është e pamundur pasi janë vite plot vuajtje dhe dhimbje. Edhe pse ka më shumë se 12 vite pa parë se çfarë ndodh me realitetin jashtë ajo tregon se ndjehet e qetë dhe e lumtur pasi nuk përballet më me dhunën që ishte mësuar. E vetmja gjë që i mungon janë fëmijët pasi ndjehet fajtore që ka shkatërruar jetën e tyre.
Në një intervistë për gazetën IDEA ajo ndan me ne një pjesë të vuajtjeve dhe jetës së saj. Me lot në sy ajo tregon sesi arriti deri në pikën që t’i merte jetën bashkëshortit.
Sa vite ju kanë dënuar?
Në fillim u dënova me 18 vite, por pas një apelimi mu shtuan edhe 2 vite të tjera. Asnjë nuk mori parasysh arsyet se përse unë bëra krimin.
Edhe sa vite të tjera do të qëndroni e mbyllur këtu brenda?
Tani më kanë ngelur edhe 5 vite e 9 muaj.
Çfarë ju shtyu që të kryenit këtë krim?
Ishte dhuna. Burri më trajtonte shumë keq. Mua më ka thyer dhëmbët. Shumë herë ka tentuar të më vrasë. Ai kishte tentuar shumë herë që të më vriste mua dhe fëmijët.
Për çfarë grindeshit. Cilat ishin arsyet?
Kot. Ai prishte leket, pinte raki. S’kishte ça të bënte dhe na torturonte neve. Unë nuk kisha faj, punën time unë e bëja, punoja në lokal se duhet të hanim, na duheshin lekë, kurse ai nuk punonte. Dhe të gjitha na i shfrynte ne duke na dhunuar.
A e keni denoncuar ndonjëherë?
Po e kam denoncuar, por nuk bënin asgjë sepse ai ose i paguante, apo dhe i njihte dhe ato nuk bënin asgjë. Unë vetëm sa haja dru më shumë.
Si u ndjetë pasi e patë veten të rrethuara nga hekurat?
Në fillim rashë në depresion, por më ndihmuan psigologu, familjarët dhe e kalova.
Po fëmijë a keni?
Po, kam 7 fëmijë, 5 vajza dhe dy djem. Vajzat janë më të mëdha se djemtë.
Po ndaj tyre ushtronte dhunë?
Po i keqtrajtonte. Vajzat i hidhte nga kati i dytë. Njërën prej tyre e ka lënë sakate. Ne shpëtonim njëri–tjetrin. Njëhërë ai mori një sëpatë dhë donte të më therte çunin por, unë i dola përpara. Ai gjithmonë na kërcënonte. Edhe mua shumë herë ka tentuar të më vrasë deri sa erdhi moment që unë bëra atë që bëra.
Si e pritën ato këtë ngjarje, si e përjetuan?
Në fillim ato nuk e pranuan këtë gjë , por me kalimin e kohës më kuptuan dhe tani vijnë vazhdimisht dhe më takojnë. Tani ata e kanë kuptuar se ishte e pamundur të jetoje në atë ferr.
Familjarë të tjerë a vijnë t’ju takojnë?
Jo, shyqyr që më vijnë fëmijët, ndonjëherë më vjen dhe motra por shumë rrallë. Nëna më vinte por ka disa muaj që vdiq dhe unë nuk isha prezente. Për këtë jam ndjerë shumë keq.
Si e kaloni kohën e lirë këtu brenda?
Kohën e lirë e kalojmë shumë mirë. Shkojmë nëpër kurse, në parukeri, mësojmë kompjuter, mësojmë të qepim, mësojmë anglisht, lexojmë libra, punojmë me grep dhe shumë gjëra të tjera që na ndihmojnë që të heqim mendjen nga halllet që na kanë zënë.
Po marrëdhëniet më të burgosurat e tjera si i keni?
Marrëdhëniet i kam shumë të mira, shoqet e dhomës sillen mirë me mua, më kuptojnë. Qajmë hallet me njëra-tjetrën. Më duan. Edhe dy prej tyre ndodhen për të njëjtën arsye në burg, dhe kështu më kuptojnë dhe nuk më gjykojnë.
A jeni mësuar me jetën që bëni këtu brenda. A ju mungon diçka nga bota jashtë hekurave?
Po jam mësuar me jetën këtu. Por ajo që më mungon më shumë janë fëmijët. Më mungojnë vetëm fëmijët, asgjë tjetër nuk dua.
Po kushtet këtu brenda si janë?
Të mira. Lahemi 3 herë në javë, dushet janë, ushqimi është i mirë, janë të gjitha ushqimet, edhe dyqan brenda ka, ku mund të blejmë ndonjë gjë. Nuk janë ashtu siç mund t’i kemi në shtëpi por prapë janë të mira. Edhe telefon për të komunikuar me fëmijët ka.
A ndiheni e diskriminuar nga ambjenti shoqëror apo familjar?
Jo nuk ndihem e diskriminuar, përderisa familja, që janë fëmijët e mi vijnë më takojnë. Me shoqet këtu brenda nuk ndjehem e diskriminuar, pasi dhe ato janë këtu brenda për arsye te ndryshme, kshu që nuk përfolim njëra-tjetrën. Këtu brenda ne jemi si një familje e vogël.
A jeni penduar për atë që keni bërë?
Po, jam penduar se kam vuajtur gjithë jetën. Edhe para se të rrethohesha nga hekurat edhe tani këtu unë vetëm vuajtje kam pasur. Që në moshën 48-vjeçare jam këtu brenda. Jeta ime është e gjitha një fatkeqësi.
Nëse do ktheheshit vite prapa si do të vepronit?
Nuk e di sepse ai ishte vetëm një moment dhe momenti bëri atë që unë bëra. Mendoj se nuk do kisha vajtur deri në atë pikë por prapë momenti bën të vetën. Një çast më hoqi lirinë nga duart, por prap një çast mund të më merte mua jetën.
Është kjo historia e trishtë e kësaj gruaje e cila ashtu si dhe shumë gra të tjera kanë rënë pre e keqtrajtimit nga burrat e tyre. Të mos harrojmë që gjatë vitit 2011, 11 gra janë vrarë barbarisht nga bashkëshortët e tyre duke treguar kështu edhe njëherë se dhuna në familje është një fenomen i cili sa vjen dhe përshkallëzohet. Se çfarë duhet bërë kundra kësaj dukurie akoma nuk ka një përgjigje.