TIRANË, 20 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Shqipëria do të bëhet me një vend kujtese për ish-të përndjekurit politike të kohës së diktaturës komuniste, pasi Fondi Botëror i Monumenteve ka përzegjedhur burgun e Spacit si një vend i memories kombëtare në kohën e diktaturës.
Lajmi bëhet i ditur nga organizatë jo-qeveritare Trashëgimia Kulturore pa Kufij -Shqipëri (CHWB Shqipëri) e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të prekshme dhe të paprekshme të rrezikuar nga konflikti, neglizhenca njerëzore dhe fatkeqësitë natyrore.
Fondi Botëror i Monumenteve (World Monument Fund - WMF) një organizatë e përkushtuar për ruajtjen e vendeve unike kulturore, çdo dy vjet tërheq vëmendjen për vendet e trashëgimisë kulturore përqark globit, që janë në rrezik dhe ka përfshirë në listë burgun e Spaçit, duke cilësuar se pavarësisht se "është në një gjendje të avancuar përkeqësimi, ai meriton të transformohet në një vend modern kujtese".
Fakti se burgu i Spacit u përfishi në listën e Fondit Botëror të Monumenteve argumentohet se përpos vështirësive aktuale të burgut të Spaçit, ai eshte një mundësi unike për promovimin dhe ruajtjen e tij, veçanërisht duke e ekspozuar kampin dhe çështjet e ndërlidhua me të në vëmendjen kombëtare dhe ndërkombëtare të specialistëve, mbështetësve dhe donatorëve.
Kreu i Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij - Shqipëri, Lejla Hadzic,u shpreh se "Ne shpresojmë që ky të jetë një lajm i mirë për ish-të përndjekurit politikë për vuajtjet qe kaluan gjate jetës se tyre në Spaç dhe kampet e tjera të përqëndrimit. E kaluara e tyre traumatike duhet të ketë vendin e saj në historinë bashkëkohore shqiptare. Kjo listë është një mundësi për të gjithë ne për të shtuar përpjekjet dhe veprimtarinë për kthimin e Spaçit në një vend kujtese, paqtimi me të kaluarën traumatike, po ashtu edhe një qendër edukimi për të gjithë ne që kemi përgjegjësine të mësojmë ç'ka ka ngjarë".
Lista e vitit 2016 tërheq vëmendjen ndërkombëtare për trashëgiminë kulturore nën kërcënim. Në disa raste ajo mbështet programe ekzistues për adresimin e sfidave, në disa të tjera ajo evokon për zhvillimin e këtyre programeve.
Burgu i Spacit gjendet në rrethin e Mirditës në thellësit të tij drejt veriut, një vend i izoluar dhe me temperatura të ftohta në dimër. Spaçi ishte burgu me punë të detyruar, i ndërtuar më 1968. Ndërtimi i tij u bë nga Ministria e Punëve të Brendshme në kohën e diktaturës komuniste duke shfrytezuar të burgosurit ordinerë me punë të detyruar. Burgut i Spacit nisi me 600 të burgosur politikë, qe u shpërngulën nga kampi me punë të detyruar i Elbasanit. Në fillim kampi përbëhej nga disa barraka të vogla të ndërtuara nga drejtoria gjologjike në 1956-n. Puna në galeri bëhej me tre turne dhe pa asnjë lloj sigurimi teknik. Norma e punës ishte 4 vagonë mineral për dy të burgosur e ai që s'e realizonte, e lidhnin me kavo të zhveshur në pemët jashtë galerive. Nga trajtimi mizor më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit u hodhën në revoltë, e cila më pas u cilësua si revolta e parë me karakter politik në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës. Burgu arriti me një kapacitet 3000 të burgosur politike. Ai ka qene ndër burgjet më mizore të diktaturës komunsite, ku përvec torturave nuk kanë munguar edhe vrasjet pa gjyq dhe sot janë qindra varre të humbura në rrënojat dhe honet e rrethinave të burgut të Spacit. /a.ke/