Burrat e rinj Familja mbi te gjitha!

Burrat e rinj: Familja mbi të gjitha!
Për të krijuar një ide më të qartë se çfarë mendon gjinia mashkullore për seksin, punën, familjen, kohën e lirë, pra të gjithë përbërësit e jetës, janë intervistuar 12 mijë djem nga 15 vende të ndryshme evropiane. Përfundimi? Mund të përmblidhet kështu: Jeta e meshkujve nuk ka qenë kurrë më parë kaq e ngatërruar sa sot! Ja cili është (për të parën herë) opinioni i tyre.

Sensi i hutimit që shpesh jemi mësuar ta vërejmë te të rinjtë që njohim sillet përreth një problemi shumë të rëndësishëm, siç është roli. Meshkujt e kanë të vështirë të arrijnë ekuilibrin e duhur mes asaj që ishte figura e tyre tradicionale dhe asaj që pritet sot prej tyre. Të rinjtë e intervistuar ndihen të kërcënuar. Ata thonë se femrat "nuk e dinë çfarë dëshirojnë prej tyre: i duan të dashur, t‘i ndihmojnë në punët e shtëpisë, por në të njëjtën kohë nuk e durojnë dot faktin që bashkëshortët po humbasin pak nga pak burrërinë e tyre". Duket qartë se nga ky studim janë zbuluar fakte krahasuese interesante. Për këtë arsye, autorët e studimit kanë vendosur t‘i ndajnë në tri pika: marrëdhëniet, puna dhe koha e lirë.

Dashuria, seksi, familja dhe miqtë: meshkujt në prag të një krize nervash?

Gjatë njëzet viteve të fundit, marrëdhënia mes femrave dhe meshkujve ka ndryshuar shumë. Pavarësia ekonomike e arritur nga gratë u ka dhënë lirinë këtyre të fundit që të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Si pasojë, siç tregojnë edhe përgjigjet e të intervistuarve, është rritur ndjeshëm mirëqenia e të dy partnerëve. Pra, edhe në këtë pikë ekspertët sugjerojnë të njëjtat zgjidhje: bashkëpunim dhe përballje. "Me rritjen e konkurrencës në tregun e punës, të rinjtë duhet të studiojnë më shumë. Meqenëse për një periudhë relativisht të gjatë varen nga familja, fëmijëria u duket sikur nuk mbaron kurrë. Për këtë arsye kanë shumë fërkime edhe me prindërit", shprehet psikologu i "Discovery Networks".

Po nëse nuk arrijnë të bisedojnë për lidhjen, atëherë si mund të flenë në të njëjtin shtrat?

Mirëkuptimi mes çiftit i bën mirë intimitetit fizik. Në fakt, ekspertët tregojnë se sa e rëndësishme është sot që partnerët të flasin hapur për seksin, apo çdo paqartësi që lidhet me të. Asnjëri nga partnerët nuk duhet të hezitojë. Meshkujt e intervistuar (dhe jo vetëm ata të vendeve nordike) janë të kënaqur për mënyrën e re të erosit, i cili shprehet me fjalë. Përballja me partneret e tyre i ka bërë më të vetëdijshëm meshkujt për aftësitë seksuale. "Duke bërë një krahasim me dhjetë vite më parë, gratë nuk kanë më frikë të kërkojnë të kryejnë marrëdhënie seksuale, apo të shprehin pakënaqësi se seksi nuk ishte dhe aq i zjarrtë. Në fakt, kjo është edhe arsyeja që meshkujt mund të bëhen nervozë.

Një gjykim i femrave mbi aftësitë e tyre seksuale mund të ketë ndikim të madh tek ata. Mesa duket, këta meshkuj shqetësohen edhe nga probleme të tjera: duke qenë se janë në një moshë madhore, femrat i mendojnë të zotë në shtrat dhe se nuk e kanë humbur ende aftësinë ‘magjike‘". Për meshkujt e ditëve të sotme, përveç erosit, tema më e bezdisshme është ajo e fëmijëve. Surpriza e këtij studimi është se pjesa më e madhe e të intervistuarve e ka rrëzuar mitin e burrave që nuk i duan fëmijët. Baballarët e rinj dëshirojnë të kenë në dispozicion shumë kohë për t‘iu kushtuar të vegjëlve të tyre. Në fakt, figura e mashkullit, pavarësisht barazisë gjinore, ka mbetur e njëjta: e kryetarit të familjes që duhet të kujdeset për bërthamën familjare.

Të rinjtë e intervistuar nga "Discovery Networks" pohojnë se nuk ndihen aspak mirë nga zënkat e vazhdueshme me prindërit e tyre. Në pjesën më të madhe të vendeve evropiane është venitur tabuja e një mashkulli që rrit i vetëm një fëmijë. Këtu të bien në sy të dhënat e Suedisë, ku 78 për qind e të intervistuarve pohojnë se një burrë mund ta edukojë shumë mirë një fëmijë, ashtu siç bën një grua.

Pas Suedisë vjen Franca, me 74 për qind e më pas Rumania me 44 për qind. Në momente krize, kujt i drejtohen baballarët për një mbështetje morale?

Nga përgjigjet e dhëna vërehet se mbështetja më e madhe gjendet te meshkujt. Këta të fundit janë terapia më e mirë për vetëvlerësim. Në Francë, 36 për qind e burrave të intervistuar kërkojnë mbështetje morale te miqtë, në Gjermani 45 për qind, ndërsa në Rusi 57 për qind. Përkrah miqve, një burrë është i lirë të shprehë mendimet e tij, të gabojë, por edhe të piqet. Ekspertët shpjegojnë se miqësia është një faktor i rëndësishëm për ekuilibrin mashkullor: "Për meshkujt, miqësitë mashkullore janë ajo pjesë e jetës ku ata ndiejnë se kanë të gjithë kontrollin e ku femrat nuk mund të hyjnë. Barazia gjinore i ka ndërlikuar raportet. Kështu, meshkujt do të vazhdojnë të kërkojnë mbështetjen e miqve dhe paksa humor për të rikuperuar vetëvlerësimin".


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama