Sipas një studimi të fundit, shefat e kuzhinës renditen të parët në klasifikimin e burrave idealë që femrat do të donin të kishin në krah. Magjia e uniformës në kuzhinë sfidon figurat klasike: nga mjekët, tek forcat e rendit.
E kanë pushtuar lehtësisht ekranin e vogël, dhe jo vetëm, saqë konsiderohen si yjet e rinj, ndryshe nga sportistët dhe artistët e suksesshëm që për shumë vite kanë ruajtur podin e më të dëshiruarve. Sipas studimeve të mëparshme, gratë tërhiqeshin lehtësisht nga meshkujt me uniformë, ku vendin kryesor e zinim mjekët dhe pas tyre renditeshin oficerët e policisë. Edhe sot këto studime janë konfirmuar plotësisht, pas të dhënave të një studimi të bërë tek 1300 gra, përdoruese interneti dhe forumesh, blogjesh dhe platformash të domosdoshme për të kuptuar se nga cila anë shkojnë orientimet dhe shijet e grave për burrin ideal. Lajmi është se pikërisht në vend të parë renditen kuzhinierët, që sfidojnë të gjitha figurat klasike, ata që kanë kohë që rezistojnë në majë të klasifikimeve, d.m.th meshkujt me uniformë.
Plot 6 në dhjetë gra të intervistuara (58 për qind) deklarojnë se nuk munden t’i rezistojnë meshkujve që janë mjeshtër në kuzhinë, një model që sipas tyre gjeneron siguri, altruizëm dhe simpati. Nuk është e shkruar kund me ligj që femrat gatuajnë më mirë se meshkujt, madje shefat e kuzhinës më të mirë të botës janë meshkujt. Shumë prej femrave të pyetura preferojnë të zgjedhin një mashkull që di të gatuajë shumë mirë, të kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, se sa një doktor që ka emër, që vjen vonë në shtëpi, i lodhur, i rraskapitur dhe që nuk kap gjë me dorë.
Në kuzhinë, meshkujt më mirë se femrat
32-vjeçari Rene Redzepi, në Danimarkë ofron pjata që nuk është e lehtë t’i heqësh nga mendja. Për të thonë se është një nga “shefat” e skenës gastronomike ndërkombëtare, gjeniu që i dha formë kuzhinës nordike. Si shef kuzhine dhe pronar i restorantit “Noma”, i vendosur në Portin e Kopenhagës, në Danimarkë, që u rendit i pari në botë për nga ushqimi që ofron, e ka krijuar stilin e tij duke ofruar një përzierje mes kuzhinës nordike dhe asaj ballkanike, por sigurisht duke u bazuar edhe te specialitetet vendase dhe ushqimet bio. Sipas sajtit “Star Chief”, karriera e tij ka nisur kështu: Në vitin 1993 ka nisur të punojë në restorantin “Pierre Andre”, në Kopenhagë. Para se të hapte “Noma”-n dhjetë vjet më vonë, në 2003-shin, Redzepi ka punuar në restorantin “Le Jardin Des Sens” të Montpellier, në Francë tek “El Bulli” i Ferran Adrià’s në Spanjë, te “The French Laundry” i Thomas Keller dhe së fundmi te “Thomas Rode Andersen”, një tjetër restorant i famshëm në Kopenhagë. Që kur është hapur “Noma”, Redzepi dhe restoranti i tij janë vlerësuar shumë herë me çmime të ndryshme.
Ai u shpall restoranti më i mirë danez në vitin 2005 sipas guidave lokale, ndërsa në vitin 2007 u rendit i 15-i në klasifikimin e 50 restoranteve më të mira të planetit sipas “Restaurant Magazine”, ndërsa Redzepi u vlerësua si kuzhinieri më i mirë në kongresin e kuzhinës “Identita Golose”. “Noma” e ka marrë yllin e parë në vitin 2005 dhe të dytin në 2007. Por cilat janë sekretet e kuzhinës së Redzepi-t? Sipas “Restaurant Magazine”: “Noma është një homazh i tokës dhe detit, një kujtesë për rrënjët e ushqimeve tona. Për shembull, merrni antipastën me karota krokante të ardhura nga Lammefjorden, një rajon pjellor danez, që Redzepi e realizon duke përdorur mjaltë, lajthi e birra dhe zbukuruar me një krem të bërë me rukola dhe spinaq.
Teksa e shijon, të duket sikur je duke ngrënë vetë tokën”. Restorantet janë një kombinim i kuzhinës së rafinuar, ideve inovative dhe respektit për ingredientët. “Noma” është më shumë se kaq. Është një eksperiencë që të kujton arsyen se përse disa restorante duhen bërë idhuj”. Ja seç shkruan Alessandra Meldolesi, një kritike e njohur për artikujt mbi kuzhinën: “Është një kuzhinë interesante ajo e Rene Redzepit, bazuar në ingredientë natyrorë dhe të sezonit, duke u përqendruar te thjeshtësia dhe natyra. Ekstravagante, të çuditshme dhe të kushtueshme. Janë menytë që nga viti në vit shefat e kuzhinës më të famshëm në botë eksperimentojnë në restorantet e tyre për të joshur klientët dhe kërkesat që ata kanë. Këtë gjë bën shpesh edhe Rene, i cili nuk dëshiron që asnjë klient të mos thotë në fund: ‘Nuk do ta harroj kurrë atë që hëngra sot këtu. Ishte një mrekulli’”.