Burrneshat e fundit te Shqiperise

Burrneshat e fundit të Shqipërisë

Në fund bëhesh luftëtar, sepse për të mos u dorëzuar duhet të luftosh". Por plaku dikur ka bërë edhe një tjetër punë: "Vitet më të këqija kanë qenë ato të minierës. Më parë nuk bëja asgjë, por pastaj u gjenda në fund të tokës. Ai është një zanat i tmerrshëm, nuk është as për burrat dhe jo të mendosh se diçka të tillë ta bënte një grua!" Po, pikërisht një grua. Sepse, në pasaportën e këtij bariu-minator është shkruar vetëm një emër: Fatime Xhedia, datëlindja 1930. Nuk bëhet fjalë për një tjetër rast të seksit të tretë. Kjo "zonjë", me pantallona ngjyrë gri të fortë, këmishën bojëqielli dhe flokët e shkurtër ngjyrë gri, nuk është transeksual. Është një virgjëreshë e betuar, një grua që ka premtuar se do të qëndrojë përherë e pastër, për të pasur nderin e të qenit burrë. Të vishet, të mbajë armë, të luftojë, por edhe t‘i lejojë vetes gjëra luksi tradicionalisht për meshkuj, si duhani e alkooli, të ndaluara për gratë e shoqërisë shqiptare.

Historia e burrneshave (nga fjala shqiptare burrë) është një traditë e vjetër e maleve shqiptare dhe kosovare, që ka lindur rreth 300 qind vjet më parë, ndërsa për to flitet shumë edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodi më i ashpër kombëtar i krijuar deri më sot. Shndërrimi bëhet kur vajza, akoma e vogël, betohet për virgjërinë e saj para 12 burrave më të rëndësishëm të fshatit. "Dridhesha. Mes krenarisë për t‘u bërë burrë, por edhe frikës për të hequr dorë nga nostalgjia dhe ëndrrat fëmijërore", tregon Leila, një 56-vjeçare nga Tropoja, ku punon si zdrukthëtare. "Atëherë plaku më i vjetër i fshatit më dha xhaketën e tij, ndërsa më i riu pushkën. Pastaj plaku më preu një për një kaçurrelat e mia të zeza, që u "rrokullisën" përtokë njëlloj si feminiliteti tim. Isha bërë një burrë i vërtetë". Virgjëresha të betuara dikur kishte edhe në Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa sot janë shumë të rralla dhe pak të tilla, disa dhjetëra, fshihen në malet ku Shqipëria kufizohet me Kosovën. Arsyet dhe misteret që i kanë çuar gratë kosovare dhe shqiptare të bëhen virgjëresha të betuara duhen kërkuar te zakonet dhe zemrën e kësaj toke luftëtarësh. "Nuk bëhesh virgjëreshë për arsye fetare, burrneshat mund të jenë si myslimane ashtu edhe kristiane. Por shpesh vajzës i duhet ta paguajë me pastërti, pasi ka refuzuar premtimin e një martese". Kështu ka shkruar antropologia Antonia Young, në librin e saj "Women who become men" të shkruar mbi jetët dhe zakonet e virgjëreshave të betuara. "Shndërrimi bëhet sidomos kur meshkujt mungojnë në familje. Një vajzë mund të bëhet burrë për të trashëguar pasuritë familjare, që ndryshe nuk do të mund t‘i kishte. Por "shkëmbimi" ndodh edhe për kujtim të babait apo vëllait të vdekur para kohe".

Njëlloj si Diana Rakipi, 54 vjeçe, e shtata nga nëntë fëmijët e familjes së saj: "Vëllai im vdiq nga mallkimi i syrit të keq. Kështu, për ta kujtuar, vendosa të bëhesha një mashkull i bukur, ashtu siç ishte ai", tregon Diana, që thith cigaret njëra pas tjetrës plot qejf, me bindjen se po të ishte femër nuk do të mund ta bënte dot. Diana vesh uniformën e rojës në Portin e Durrësit ku edhe punon. Kapelja ushtarake nuk e fsheh feminilitetin e vjetër që i shfaqet në lëkurë dhe buzëqeshje. Dëshira për të qenë femër duket se i tradhtohet edhe nga unaza prej floriri dhe sytë e kaltër. "Te gratë pëlqej ndjeshmërinë, ndërsa te meshkujt vlerësoj kurajën dhe sinqeritetin". Me virgjëreshat e betuara u dashurua edhe shkrimtarja shqiptare, Elvira Dones, kur në një foto të vjetër të familjes kosovare pa fytyrën e një burri shumë femëror. Elvira nisi të hetojë, duke shkuar nëpër vende dhe fshatra të maleve shqiptare e duke zbuluar histori dhe jetë, që sipas fjalëve të saj, "i pikturuan shpirtin", aq sa shkroi romanin "Hana", një roman ku një vajzë bëhet burrneshë me dëshirë të familjes, e ikën në Amerikë për të gjetur feminilitetin e humbur. Por që nuk ia arriti dot. Ajo që i shqetëson antropologët, shkrimtarët dhe këdo është ndjenja e sakrificës që qëndron brenda zgjedhjes së gruas-burrë shqiptare. Një vajzë e bukur, e ndoshta ëndërrimtare për familje dhe fëmijë, që ia dhuron jetën e saj nderit të nënës dhe babait. Jetë të shenjtëruara, sepse në ato toka të humbura, një vajzë

luftëtare e pastër, i jep familjes së saj lavdinë e fitores epike. Diçka që të kujton mitin kombëtar të ideologjisë së kaluar komuniste: atë të malësorit, domethënë të luftëtarit guximtar, simbol i pavarësisë shekullore nga otomanët. Duke lënë mënjanë ritet dhe mitet, tradita e virgjëreshave ka një shpjegim shumë më modern. Në një Shqipëri rurale, ku për një grua duhani, puna, seksi e çdo ndjenjë lirie quhet turp, burrneshat e vënë këtë maskë thjesht për të jetuar. E ndoshta edhe për të fshehur homoseksualitetin e tyre, një sakrilegj që në këtë vend as nuk është imagjinuar. Nuk është rasti i Qamile Stemës, 87 vjeçe, me jelek të zi dhe orë me lavjerrës. "Isha një vajzë normale, por u bëra burrë vetëm për të bërë të lumtur tim atë", tregon duke fërkuar duart e saj të rrudhosura. "Ai priste një djalë, por unë linda e nënta vajzë. Nuk kisha zgjidhje". Për të mbërritur në fshatin e saj në Krujë ecet me mushkë deri në majë të malit. Peizazhe përrallore e të vështira, që Qamilja i ngjit me hapa të vegjël e të shpejtë. Sapo mbërrin në shtëpi, pasi gëlltit rakinë, një lloj pije alkoolike e ndaluar për femrat, Qamilja ulet për të ngrënë drekë vetëm me nipin, ndërsa gratë e tjera të shtëpisë i shërbejnë. "Nuk është asgjë e çuditshme, kjo e jona është një tokë shndërrimesh magjike. Në disa fshatra, pas lindjes së një fëmije, burri hiqet si ‘nëna‘ e tij i shtrirë në shtrat dhe i veshur si grua", tregon antropologu shqiptar Moikom Zeqo.

Nga Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama