Në shoqërinë e sotme paraja është një logjikë shumë tërheqëse e tmerrësisht komprometuese, është një gjenerator simbolik i të gjithë vlerave tona, që i pëlqen të luajë e të përcaktojë stilet, ritmet, mënyrat e qëllimet e jetës sonë. Evolucioni i parasë ndër vite është i lidhur ngushtë si me ato subjekte e individë që e zotërojnë atë me shumicë ashtu dhe me ato subjekte apo individë që për të realizuar investimet e tyre kanë nevojë për para. Nevojshmëritë e ndryshme të tyre çuan në lindjen e një shkëmbimi reciprokë që i rregulluar nga një shoqëri profesionale mori emrin Bursa e Vlerave. Kjo e fundit pra s’është gjë tjetër veçse vendi fizik e telematik, ku takohen subjekte me tepricë paraje e subjekte që kanë nevojë për to. Ekziston një numër i madh sheshesh internacionale, ku janë kuotëzuar shoqëri me një numër të caktuar aksionesh. Çdo ditë shkëmbehen (pra shiten e blihen) një pjesë e këtyre aksioneve duke ndikuar në çmimin e titujve që ulen e ngrihen gjatë gjithë ditës. Historia na tregon se shkëmbimi apo më mirë shitblerja e parë e titujve daton vitin 1500 në qytetin e Brugës në Belgjikë. Në këtë qytet morën zhvillim të madh merkatot e tregtarët, të cilët filluan të shisnin e të blinin tituj të barasvlershëm me një mall apo kredi që nuk mund të ishte materialesh objekt shitblerjeje. Marrëdhëniet midis tyre kryheshin në një pallat në fasadën e të cilit qenë skalitur “tri çanta”, stema e familjes Van der Bourse nga e cila rrjedh dhe emri aktual Bursa.
Nga viti 1500 e deri më sot Bursat do të komplikohen pa masë e një nga datat për t’u kujtuar është 17 maji 1752, kur lindi merkatoja aksionere më e rëndësishme dhe më e madhe në botë NYSE (New York Stock Exchange) e cila ashtu si dhe 216 vjet më parë gjendet në “Wall Street” të Nju Jorkut. Në 1653 kur Nju Jork quhej New Amsterdam (për shkak të kolonive holandeze që kishin populluar këtë zonë) të alarmuar nga një luftë e mundshme midis Holandës e Anglisë, holandezët nën drejtimin e guvernatorit Peter Stuyvensat vendosën të forconin mbrojtjen për t’u ruajtur nga piratët e vendalinjtë. Midis fortifikimeve të ndryshme ngrihet dhe një mur ( anglisht “wall”) në pjesën veriore të asaj që në atë epokë njihej si qyteti i tyre. Rruga që kalonte pranë këtij muri mbrojtës u kthye në një arterie tregtare me një rëndësi strategjike, pasi lidhte pjesën lindore të Hudson (East River) me atë perëndimore, duke lehtësuar kështu transportin e tregtinë. Ky mur i ndërtuar me baltë e drunj dhe i lartë 3 metra e gjysmë i dha emrin rrugës më të famshme në Botë, “Wall Street”. Në 1600 ky mur do të shembet, por emri i kësaj rruge do të vazhdojë të ruhet e do të identifikojë tërë zonën përreth nga ky vit deri në ditët e sotme. Në mars të 1792, njëzet e katër tregtarë, nga më të rëndësishmit të momentit takohen fshehtësisht në “Corre’s Hotel”, për të diskutuar se si t’i bënin më të sigurta kapitalet e tyre duke evituar konkurrencën e ndërmjetësve e organizuesve të ankandeve. Dy muaj më vonë më 17 maj të vitit 1792 nën hijen e një bliri të lartë në numrin 70 të “Wall Street”, ata u ritakuan për të nënshkruar paktin e njohur si Pakti i Blirit (Buttonwood Agreement). Ky dokument detyronte firmuesit të kryenin tregti vetëm midis tyre me komisione të përcaktuara e të mos merrnin pjesë në ankandet e titujve të tjerë.
Ky pakt dekreton lindjen e organizatës së parë të shkëmbimit aksionar në Nju Jork. Dy vjet më vonë në kryqëzimin midis “Wall Street” e “Water Street” u hap “Tontine Coffe House”, një nga vendet më të frekuentuara nga afaristë e tregtarë të mëdhenj, si dhe një qendrat e shkëmbimit të aksioneve deri në 1817 kur u spostua në Merchant’s Exchange (nr. 40 të Wall Street). Në 1836 shkëmbimet në rrugë ndalohen e çdo ditë Anthony Stokholm, presidenti i Merchant’s Exchange lexonte me zë të lartë emrat e aksioneve që do të diskutoheshin në Bursë. Ky organizacion qe ekskluziv, edhe pse filluan të pranoheshin anëtarë të rinj në të. Në 1865 në nr. 10-12 të “Broad Street” inaugurohet një qendër e re shkëmbimi, vepër e arkitektit gjenial John Kellum (1809-1871). Tashmë Wall Street përveç kuptimit topografikë nënkuptonte një kompleks të plotë të industrisë së financës amerikane. Në nr. 15 të kësaj rruge Charles Dow, Edward Jones e Charles Bergstresser hapën një zyrë nga ku shpërndanin buletinin e shkruar me dorë “Customer’s Afternoon Letter”, i cili riprodhonte me letërkopjativ mbarëvajtjen e shitblerje së titujve. Kishte lindur kështu treguesi Dow Jones, i cili sot llogarit mbarëvajtjen e merkatos në bazë të çmimit të prekur nga 30 titujt më të rëndësishëm (të ashtuquajturit blue chips). Nga 1896-1899 shkëmbimet trefishohen në krahasim me të kaluarën e dyfishohen nga 1899-1901. Tashmë nevojiteshin hapësira të reja më të mëdha e drejtuesit e NSYE ftuan arkitektët më të famshëm të Nju Jorkut, për të projektuar qendrën e saj të re. Arkitekti George B.Post besnik i neoklasicizmit, pas dy vjet pune dhe me një kosto prej 4 milionë dollarësh realizon ndërtimin e godinës së re të Bursës së Nju Jorkut (nr. 18 në Broad Street).
Merkato më e madhe aksionere në botë kishte tashmë shtëpinë e saj të përhershme e do të jetonte jo vetëm momente triumfuese, por dhe momente të tmerrshme. E tillë qe e enjtja e zezë më 24 tetorit 1929 kur treguesi Doë Jones, i cili kishte kapur kuotën 386, bie pothuajse dyqind pikë duke shkaktuar falimentimin e qindra afaristëve e kursyesve, si dhe vetëvrasjen e 11 investuesve. Në gjithë qytetit është një panik total.
Ndërsa Bursa përpiqej të gjente rrugën e saj definitive, Nju Jorku rritet e transformohet në një qytet të së ardhmes në zemër të të cilit qe qendra e NSYE. Në numrin 23 të “Wall Street” ngrihet zyra e Morgan Bank, qendër e imperit financiar më të fortë të epokës komanduar nga John Pierpoint Morgan. Më pas ngrihet një tjetër zyrë e Bursës së Vlerave: Bankers Trust Building e Thesari i shtetit.
Më 16 shtator 1920 një bombë do të shpërthejë në “Wall Street”, jashtë ndërtesë së NSYE duke vrarë 33 persona e plagosur 400 të tjerë. Pas njëzet vjet kërkimesh FBI arkivon këtë çështje pa gjetur as edhe një fajtor. Ndërtimi i kompleksit të ri të World Trade Center u bazua në projektin e “Memory Fondatition” të Daniel Liebeskind ku elementi kryesor i tij është Fredom Tower, e lartë 541 metra. Sot forca kryesore punonjëse e saj është përbërë nga profesionistë të ligjeve e të financës.
Në New York Stock Exchange, “Interactive Education Center”, dhjetëra e dhjetëra Brokers kontraktojnë mbi 250 milionë tituj në ditë. Kapitali total i saj është 21 miliardë dollarë, prej të cilave 7 miliardë shoqëri jo amerikane. Dita me vëllimin më të madh të shkëmbimeve është 4 janari i 2001 me 2.129.445.637, dhe ajo me vëllimin më të vogël është 16 marsi 1830 me vetëm 31 aksione të shitura. Shoqëria me kohën më të gjatë të pranishme në NSYE është Edison, e shfaqur qysh më 1824 me emrin “New York Gas Light Company”. Çmimi më i madh i paguar për t’u bërë anëtar i NSYE i përket 23 gushtit 1999 me 2.665.000 dollarë. Çmimi më i ulët është 4000 dollarë në 1876, 1879.
I pari anëtar zezak i NSYE është Joseph l. Searles III. E para anëtare grua e cila punoi rregullisht në këtë organizëm është Mauriel Siebuert e zgjedhur më 28 dhjetor 1967. Kultura e “Wall Street” është kritikuar përherë. Është një steriotip që i reziston viteve dhe që ruan zakonin e mbrojtjes së interesave të institucioneve të “Wall Street”.
Ai i reziston supervizionit e rregullave të qeverisë. Qyteti i Nju Jorkut është mjaft burokratik, gjë që i pengon tregtarët e një niveli të mesëm të vizitojnë këtë lagje aksionere. Qendra e New York Stock Exchange është rinovuar komplet në pranverën e 2001, shtrihet në një sip. prej 650 m2 e disponon burime multimediale që lejojnë spektatorin të zbulojë historinë e funksionimin e Bursës së Nju Jorkut. Ajo është përdorur për të xhiruar skenat e disa prej filmave si p.sh “Një kollutuk për të dy” 1983 me Eddie Myrphie “Wall Street” (1987) me Michael Douglas.
Lindja e teknologjive të reja ka çuar në zhvillimin e operacioneve me anë të kompjuterit, duke evituar prezencën fizike në Pallatin e Bursës.
Bursa-Tontine Cofee House në një pikturë të Francis Guy në 1787
Bursa1- Wall Street në vitet '20 të shek. XX
Bursa2- Kartolinë publicitare e shpërndarë nga Zeno Chewing Gum 1920
Bursa3- Stock Exhanged Building kartolinë e 1905
Burs4- New York Stock Exchanged, foto e 2003
Bursa5- Ndërtesa e Bursës së Nju Jorkut e inauguruar më 1 maj 1903
Bursa6- Pikturë e “Wall Street” - 1867
Bursa7- “Wall Street”, sot
Bursa8- 24 tetor 1929, e enjtja e zezë e Bursës së Nju Jorkut
ALBA KEPI : Gazeta Standard