Kërkesat e nxënësve dhe studentëve që duan të aplikojnë për bursë nga shteti në mensa dhe konvikte, do të shqyrtohen deri më 4 nëntor. Janë rreth 3200 bursa që do të jepen në të gjithë vendin dhe kryeqyteti ka një numër të konsiderueshëm të tyre. Bashkia e Tiranës ka bërë publike kriteret dhe dokumentet që duhet të plotësojnë aplikantët. Të detajuara ato mund të gjenden në faqen zyrtare të Bashkisë. Kushti ekonomik është prioritar. Veç kësaj, përfitojnë nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik. Merr bursë secili nga studentët bashkëshortë me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe vendoset në konvikt publik si dhe fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik. Bursat do të jepen edhe për nxënësit e studentët e shkëlqyer. Përfitojnë gjithashtu nxënësit apo studentët, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës.