Bushati Ambasadat jo konvikte per njerez te lidhur me politiken

Bushati: Ambasadat, jo konvikte per njerez te lidhur me politiken

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi dje se do të ndërmerret një reformë e thellë në diplomacinë shqiptare, duke nisur nga emërimi i sekretarit të ri të përgjithshëm dhe nga shkarkimi i gjashtë ambasadorëve shqiptarë nëpër botë. Në një intervistë dhënë për emisionin Shqip të gazetares Rudina Xhunga në Top Channel, Bushati theksoi se ambasadat shqiptare nuk mund të shërbejnë më si konvikte të njerëzve të lidhur me pushtetin. Bushati foli dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, duke folur për propozimet shqiptare në kuadër të ndarjes së kufirit ujor dhe për çështjen e toponimeve.

Diplomacia

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u shpreh dje se ka nisur reformën për sa u përket burimeve njerëzore në diplomacinë shqiptare. Sipas tij, për herë të parë në 23 vite, kjo ministri ka zgjedhur përmes një konkursi rigoroz, sekretarin e përgjithshëm. “Në këtë detyrë është zgjedhur një nga diplomatët që kanë qenë brenda institucionit të Ministrisë së Jashtme. Pas konkursit, kandidatët bënë prezantimin përpara ministrisë, dhe një juri brenda ministrisë më ka bërë propozimet përkatëse dhe sot kam firmosur për emrin e zgjedhur”, tha Bushati. Ai shtoi se duhet të marrin fund të gjitha emërimet nepotike dhe klienteliste në këtë ministri dhe diplomacinë shqiptare. Sipas Bushatit, ambasadat e Shqipërisë nuk mund të shërbejnë më si konvikte për njerëzit e pushtetit dhe ata të lidhur me interesa mediatike e financiare.

 

“Ambasadat janë parë deri tani si konvikte, ku strehohen njerëz të afërt të qeverisë, drejtuesve të mediave, dhe atyre të lidhur me interesa të ngushta me pushtetin financiar. Kjo gjë nuk do të lejohet të qëndrojë dhe sistemi i kësaj situate është pjesë e angazhimit të 100 ditëve të para të qeverisë”, theksoi Bushati. Në këtë kuadër, ai theksoi se situata e ambasadorëve shqiptarë nëpër botë është e papranueshme, sepse ka një ndarje 50 për qind ambasadorë karriere me 50 për qind ambasadorë politikë, në një kohë kur numri i atyre politikë duhet të ishte shumë më i ulët. Nisur nga kjo situatë, Bushati tha se i ka dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, një listë me gjashtë emra ambasadorësh të cilët duhet të lënë mandatin për t’u zëvendësuar. Në këtë kuadër, ministri Bushati u shpreh se nga Presidenti Nishani ka marrë përgjigje vetëm për pesë prej tyre, ndërkohë që nuk ka ende përgjigje për një nga ambasadorët. Bushati konfirmoi se ai ka shkarkuar katër nga gjashtë konsujt shqiptarë dhe deri në këto momente ka emëruar vetëm konsullin e ri të Barit.

Greqia

Ministri i Jashtëm Bushati theksoi dje se ka marrë premtimin e ministrit të Jashtëm grek, Venizelos për zgjidhjen sa më shpejt të çështjes së toponimeve greke në pasaportat shqiptare, situatë që sjell kthime të shumta në kufij. “Venizelos premtoi gjatë vizitës në Tiranë se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti, por ende jam koshient që ajo nuk është zgjidhur. Ne kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në të njëjtin standard që përdor Greqia për vendet e tjera”, tha Bushati. Ai foli dhe për çështjen e ndarjes së kufirit detar, duke bërë të qartë se pala shqiptare nuk do të pranojë negocime mbi marrëveshjen e parë e cila ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare.

 

“Qeveria shqiptare do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e bën nul marrëveshjen e lidhur më parë. Ne jemi të hapur për t’i dhënë një zgjidhje kësaj çështjeje, sepse ka dhe rëndësi ekonomike. Pika e nisjes së kësaj marrëveshje do të jetë e drejta ndërkombëtare e detit, praktikat më të mira europiane në këtë fushë. Ne nuk duam të marrim diçka që nuk na takon, as nuk do të donim ta vinim Greqinë në një pozitë të vështirë”, u shpreh ministri i Jashtëm Bushati për këtë çështje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama