TIRANE, 24 Tetor /ATSH/-Deputeti i Partisë Socialist, Ervin Bushati në një deklaratë të shtunën për mediat tha se, premtimet e kreut të PD-së, Lulzim Basha që bën në takim me qytetarët shqiptarë janë absurde, duke sjellë në vëmendje që Basha nuk ka mbajtur premtimet e tij kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.
"Të gjithë i mbajnë mend premtimet e tij, nga linja e tramit, deri tek ulja e çmimit të bukës. Por në fakt, katër vjet rresht, vetëm premtoi dhe në fund nuk mbajti asnjë premtim. Të thuash 'PO' për çdo gjë, nuk mjafton. Sot, Basha po tenton të bëje të njëjtën gjë. Përpiqet të premtojë dhe t'u thotë 'PO' të gjithëve por në fakt të gjithë e dinë se Lulzim Basha nuk di të mbajë premtimet që bën dhe duke qenë se edhe ai vetë e di se premtimet nuk do t'i mbajë kurrë, ka filluar të bëjë edhe premtime absurde", tha Bushati.
"Shqiptarët e mbajnë mend mirë u shpreh ai, gropën e madhe të borxhit që la qeverisja e Partisë Demokratike. Borxhe në shëndetësi, borxhe në transport, borxhe në punë publike dhe infrastrukturë, borxhe nëpër banka, borxhe gjithandej. Borxhe, të cilat qeveria e re u detyrua t'i paguajë, gjë që nuk ishte aspak e lehtë".
"Ndërkohë që raporti i Bankës Botërore thotë se ekonomia e Shqipërisë ka filluar të ecë në drejtimin e duhur, tani që agjencia më prestigjioze financiare që vlerëson stabilitetin financiar të gjithë vendeve të botës, "Standard and Poor's", e vlerëson pozitiv stabilitetin financiar të vendit tonë dhe parashikon zhvillim në vitet e ardhshme oferta e Lulzim Bashës është kthimi prapa tek Saliu. Kthimi prapa tek borxhet, kthimi prapa te konkurrenca e pandershme, kthimi prapa te mospagimi i energjisë, kthimi prapa tek mospagimi i taksave, kthimi prapa në informalitet, kthimi prapa në gropën ekonomike që krijuan këta vetë, Luli dhe Saliu, për tetë vite rresht", përfundoi Bushati. /e.xh/ /a.g/