Bushati Nxisim autoritetet ne Maqedoni per transparence ngjarja te mos perdoret etnikisht

Bushati: Nxisim autoritetet ne Maqedoni per transparence, ngjarja te mos perdoret etnikisht

TIRANE, 9 Maj/ATSH/- Në emër të Qeverisë Shqiptare, Kryediplomati Ditmir Bushati shprehu sot shqetësimin lidhur me situatën në Kumanovë duke deklaruar se “mesazhi ynë është i qartë: dënojmë çdo akt dhune që është i papranueshëm për një shoqëri demokratike”.

Në një konferencë për shtyp nga ministria e Jashtme lidhur me situatën në Maqedoni, Bushati u shpreh se “gjuha e urrejtjes, duhet t’i lërë vendin shtetit të së drejtës”.

“Që në orët e para të mëngjesit, jemi vënë në dijeni nëpërmjet Ambasadës sonë në Shkup mbi fillimin e një operacioni të gjerë të forcave të sigurisë, në hyrje të Kumanovës, në “Lagjen e Trimave”, e banuar kryesisht me shqiptarë. Nga ky operacion rezulton se kanë humbur jetën dhe janë lënduar një numër personash ende i pakonfirmuar zyrtarisht.   Shprehim keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore dhe në ketë kontekst nxisim autoritetet në Maqedoni për transparence, bashkëpunim dhe hetim të plotë në përcaktimin e fakteve”, deklaroi Bushati.

Nën interesimin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama, Ministria e Punëve të Jashtme, tha Bushati, që në çastet e para të kësaj krize ka qenë në komunikim e konsultim të ngushtë me autoritetet dhe aktorët politikë e shoqëror në Maqedoni, dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kumanove3

“Njëkohësisht, konsiderojmë të papranueshme që çdo person apo grup personash të armatosur të identifikohen etnikisht, ashtu sikundër është e papranueshme që humbja e jetës së civilëve e policëve të vendoset në sfondin e paragjykimit etnik.  Mirëkuptojmë shprehjen e revoltës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një paqartësie. Por, bëjmë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje”, deklaroi Kryediplomati shqiptar.

 Duke vënë në dukje se çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës, nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë, Bushati tha  se “gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe perspektivës euro-atlantike”.

Më tej, ministri nënvizoi se “harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, me bekimin e komunitetit ndërkombëtarë, është thelbësore për stabilitetin demokratik dhe busull orientuese për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë”.

KumanoveBushati siguroi opinionin publik se “do të vijojmë të jemi në kontakte të vazhdueshme me aktoret politik e shoqëror në Maqedoni, dhe me aleatët tanë”.

“Edhe në ministerialin e NATO-s që mbahet pas pak ditëve në Turqi, ne do të diskutojmë për Ballkanin Perëndimor aq më tepër që pritshmëritë për Ballkanin Perëndimor janë të mëdha edhe nga vetë aleatët tanë për t’u kthyer nga konsumatorë të sigurisë në prodhues të saj. Maqedonia është vetë një vend aspirant për anëtarësim në NATO, është përballë disa detyrimeve dhe kërkesave për standarde më të larta ku një prej të cilave është edhe zbatimi në frymë dhe gërmë i Marrëveshjes së Ohrit  dhe ne besojmë që është në interesin e Maqedonisë që të ecim në këtë drejtim. Jo se këtë ia kërkon Shqipëria si një fqinj që i do të mirën, apo NATO e BE, por kjo është një domosdoshmëri jetike për stabilitetin demokratik të Maqedonisë”, përfundoi Kryediplomati Bushati./a.gegvataj/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama