Bushati nje hero i basketbollit ne Breshia Realizuam nje enderr

Bushati, një hero i basketbollit në Breshia: Realizuam një ëndërr

Jo vetëm futbollistë, por edhe basketbollistë shqiptarë janë protagonistë në elitën e sportit italian, atij të shportës. Bëhet fjalë për Franko Bushatin, basketbollistin që i dha triumfin e shumëpritur dhe rikthimin në A1 klubit Leonessa të Breshias, ku luan prej katër vitesh si titullar. Duke lënë pas një sezon tejet të tensionuar e të vështirë, por shumë triumfues, ka ardhur në Tiranë për të kaluar disa ditë me miq në plazhet e jugut.

franko bushati

Intervista...

"Kur jam rikthyer në Breshia, shumë pak kanë besuar tek unë, - tregon ai. - Por, i kuptoja të gjithë dhe pas sezonit 2013- 2014 u përqendrova duke iu përgjigjur me lojë në fushë të gjitha paragjykimeve, në veçanti duke pasur besimin dhe mbështetjen e grupit dhe trajnerit Diana. Kam arritur një rezultat të rëndësishëm dhe me shumë vlerë në karrierën time personale: Një promovim në B1, pastaj në Legadue dhe së fundi në serinë A1 me këtë klub. Madje, kam edhe një rekord tjetër: mbi 140 ndeshje me këtë fanellë, një shifër që dikush mund edhe ta thyejë më vonë. Por, rezultati dhe arritja në këtë sezon ka qenë shumë e vështirë, në veçanti faza e fundit e 'play off'-eve të pafundme, një rrugë e komplikuar për të fituar Kampionatin e Serisë A2. Një triumf që u arrit duke lënë shumë kundërshtarë mbrapa, me 51 ndeshje zyrtare në sezon ndër to 20 në 'play off', duke përfshirë këtu pesë takime në çerekfinale, po kështu edhe në gjysmëfinale dhe në finale e madhe, gjithmonë me ndeshjen e pestë përcaktuese. Si asnjëherë më parë në historinë e basketit italian të A2". Ndërsa do të qëndrojë pak kohë në Shqipëri, pasi angazhimet me klubin tashmë në A1 dhe si lojtar profesionist janë të mëdha, impenjative e që fillojnë shpejt. "Na pret një sezon tjetër rivalizues, pasi do të ndeshemi me skuadra të niveleve shumë të larta, që kanë basketbollistë kalibri me pretendime si në Itali edhe Kupat e Europës. Por, edhe kënaqësi pasi do luhet ndaj klubeve të famshme dhe në parketet e ëndrrave për sportistët e basketbollit italian, si ato të Milanos, Sienës, pjesë e të cilit do të jem edhe unë".

Franko-Bushati

Një triumf spektakolar me Leonesa-n

Te Breshia, Franko Bushati është lojtari më i vjetër, pasi ka katër sezone që luan si titullar, kur më parë ka qenë vetëm një vit me këtë klub. Ka meritën se kontributi i tij ka qenë absolut në rikthimin pas 28 vitesh mungesë të klubit në A1, që është festuar gjatë nga 5 mijë tifozët e ndodhur në mjedisin sportiv të Pallatit të Sportit atë mbrëmje spektakolare. Bushati është gjithashtu basketbollisti që me fanellën e Breshias regjistron edhe numrin më të madh të ndeshjeve me këtë klub duke e nxitur federatën italiane që në marsin e kaluar me anë të basketbollistit të njohur, legjendarin Dino Menegin, në një ceremoni të organizuar me këtë rast t'i dhurojë Franko Bushatit targetën simbolike të rekordit të ri, me 107 ndeshje. Ka preferuar e zgjedhur të luajë me numrin 70, pasi 7-ën si muajin e lindjes ia kishin zënë kur u rikthye në Breshia.

franko bushati

Me amerikanë në skuadër

Nuk e ka të lehtë të sigurojë një vend në skuadër, pasi rivaliteti është i madh dhe kur mendon se në mjaft sfida ka qenë i vetëm midis katër lojtarëve të huaj, pasi bashkë me të në skuadër janë edhe dy amerikanë, Devid Moss dhe Holls, argjentinasi Juan Fernandes dhe serbi Mirza Alibegoviç. Madje, pas ndeshjes së pestë, ndërsa Moss është vlerësuar me notën 9.5 duke realizuar 15 pikë, Bushati dhe Holls kanë marrë vlerësimin maksimal, notën 10 me nga 17 pikë të shënuara secili. Devid Moss është një ndër lojtarët më të famshëm, i ardhur në Itali disa sezone më parë nga NBA, duke fituar katër tituj kampionë me Monte Paschin e Sienës dhe Armani Jeans të Milanos. Ajo që mbetet e apasionuar pas tij, e pranishme duke udhëtuar nga Roma në Breshia në çdo fundjavë, është Sara, e motra, që e ka ndjekur në çdo takim si tifozja numër 1 e tij.

bushati

Komenti dhe jehona në shtypin sportiv

"Centrale gioa e trionfo. Finalmente a Serie A. Bushati, simbolo della vittoria". "Një rikthim në parajsë!" Kështu e kanë cilësuar sezonin dhe rikthimin në A1 të klubit Leonessa të basketbollit ku prej katër vitesh luan edhe shqiptari Franko Bushati, tashmë një simbol i vërtetë për skuadrën, qytetin, tifozërinë breshiane. Kështu e kanë cilësuar suksesin dhe triumfin e klubit dhe referohet veçanërisht Franko Bushatin. Është vlerësuar si lojtari më i mirë në ndeshjen më të rëndësishme, në finalen e 5-të (2-2) të "play off"-it të basketbollit italian, të A2, në përballjen Leonessa-Breshia-Fortitudo Bolonja. 83-59 rezultati final dhe shënuesit më të mirë janë: Franko Bushati e Holls me 17 pikë dhe Moss 15. I vlerë- suar me notën 8.5, për të do të shkruhet: "Pas një Duomo të vjetër, Pallatit Leggia, Tempullit Kapitolin... vjen Franko nga Tirana. Është një ndër simbolet e qytetit, në sezonin e katërt të tij me Breshian. Nisur nga stoli, shumë shpejt ai është transformuar në lojtarin e gjashtë më të mirë të sezonit për A2, i gatshëm të futet në lojë e të shpërthejë duke realizuar e neutralizuar më të mirin e kundërshtarëve. Një ndër lojtarët më të dashur në skuadër, që me një fjalë do të thoshim: Unik në stilin, lojën dhe karakterin e tij". Ndërsa tek "Il Giornale di Brescia", është më i vlerësuari me notën maksimale 10: "Njeriu me gjuajtjen vrasëse, atë 'bombë' në natën më të rëndësishme: 4/7 jashtë harkut dhe 17 pikë në total, shënuesi më i mirë bashkë me Holls. Edhe në mbrojtje luftarak si gjithmonë".

bushati2

Dy shqiptarët e basketbollit italian

Franko Bushati dhe Klaudio Ndoja janë dy basketbollistët shqiptarë të vetëm e unikë, si askush tjetër më parë që kanë mundur të luajnë e të jenë protagonistë në nivelet më të larta të basketbollit italian, atij në Ai dhe A2. Të dy të së njëjës moshë, miq e shokë të ngushtë, por edhe "kundërshtarë" në fushë, pasi në A2 në këtë sezon, ndërsa Ndoja luante me Veronën, Bushati luante me Breshian. Sezoni i ri i angazhon me të tjera objektiva: Bushati me Leonessa-n dhe Ndoja me Virtus të Bolonjës, skuadra dhe klube prestigjioze të basketbollit italian. Ndërkohë, të dy janë edhe titullarë të kombëtares shqiptare duke filluar të aktivizohen me të rinjtë, pastaj me moshat dhe ekipin e parë përfaqësues, pjesëmarrës në të gjitha edicionet dhe aktivitetet ndërkombëtare.

Kush është Franko Bushati?

31 vjeç, i datëlindjes 5 korrik 1985, lindur në Tiranë dhe në vitin 1997 transferohet në Itali bashkë me familjen. Me traditë familjare në këtë sport, si djali i Pjerin Bushatit, ishbasketbollist i njohur i Partizanit, dominues në vitet '80, por edhe i kombëtares shqiptare. Në rolin e anësorit, 192 cm, Bushati Junior ka si cilësi gjuajtjen e saktë jashtë zone, dallohet si lojtar i shpejtë, punon mirë në mbrojte e kundërsulm dhe si "assist man". Fillimisht ka preferuar Italinë, duke u aktivizuar në sektorin e të rinjve me Stealla Azzurra - Romë, nga ku ka dalë edhe Branjani tashmë në NBA. Pastaj hapi cilësor, me skuadrat profesioniste, viti 2003, kur është vetëm 18 vjeç: Nga 100 Baschet - Bolonja me Guz Binellin në skuadër, te Dinamo e Sasarit në A1, për të vijuar me Trapanin në Sicili, Veroli - Frozinone, Imola, Schafati - Napoli dhe me Breshian. Rikthimi para katër vitesh ishte i dyti për Bushatin me këtë klub, tashmë në A2. Në karrierën e tij italiane, i ka takuar të ketë trajnerë e sportistë të elitës në skuadër, si Kavanin, De Anjelon, Binellin, Bazile etj. Rekordin e pikëve të shënuar në një ndeshje e ka kundër Verolit, 38 pikë.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama