Një nga persekutimet e mëvonshme të poetit homerik shqiptar dhe atdhetarit të madh të shekullit njëzet që është at Gjergj Fishta vjen dhe me mosarritjen për dy dekada, të krijimit të një shtëpie “Fishtjane” në vendlindjen e tij. Në fakt, në Komunën e Blinishtit janë dy vende, të cilat mund të konsiderohen si modele vërtetë fishtjane për t’u ndërtuar dhe restauruar. I pari si moment, është një shtëpi e cila është shpallur dhe “Monument Kulture”, dhe që nuk është shtëpia ku realisht ka lindur njeriu ndoshta më i madh si poet në atdhetarizëm që ka pasur Shqipëria në fillimet e shekullit 20-të. Shpesh herë, kur kam shkuar për vizitë, përpara saj kam parë një stallë derrash që njerëzit që banojnë aty afër e kanë sajuar përpara shtëpisë, që ka pllakën e duhur në të.
Normalisht që Fishta, duke qenë një “armik” i kohës së diktaturës, do të persekutohej prej saj, por në demokraci ka “modele” të tjera që nuk persekutojnë, por bëjnë “promovuesit butaforikë” duke mos zgjidhur asgjë në fakt. Gjithsesi shtëpi banimi të Fishtës ka disa, por vend ku ka lindur realisht ka vetëm një, dhe ky është në anën e rrugës që çon te Mrizi i Zanave. Aty është një kryq i madh dhe normalisht dikur një prift apasionant ka mundur të zbulojë, dhe ka (mund) edhe një foto të vjetër që mund të tregojë se At Gjergj Fishta ka lindur pikërisht aty. Ministria e Kulturës, vetë Ministrja Kumbaro dhe në mënyrë të posaçme zëvendësministri Çuni, që në fillimet e tyre të punës, ishin jashtëzakonisht dhe janë edhe sot e kësaj dite të interesuar si për shtëpinë Monument Kulture, edhe për vendin ku ka akoma shenja të shtëpisë në të cilën ka lindur njeriu i madh i patriotizmës dhe atdhetarizmës shqiptare.
Ata janë të vendosur të bëjnë diçka të rëndësishme për at Gjergj Fishtën. Në këto vende kanë shkuar me dhjetra herë si dy njerëzit kryesorë të Ministrisë së Kulturës, edhe punonjësit e DRKK Shkodër. Kanë rilevuar, kanë kërkuar dokumentacion pronësie edhe te shtëpia “Monument” edhe te vendi ku është kryqi i madh, dhe ku është sqaruar dhe pranuar se ka lindur poeti i famshëm. DRKK Shkodër, me letra i ka kërkuar ndihmë dhe Provincës Françeskane në Shkodër dhe librarisë së shkëlqyer të saj me emrin e Fishtës dhe vetë Patër Gazmendit, për orientim dhe ndihmë në këtë rast. Ndërkohë po punohej me shpejtësi dhe pa pengesa si për Muzeun e Mjedës dhe për shpalljen Monument Kulture të shtëpisë së të madhit tjetër Abatit të Mirditës, Doçi. Këto të fundit u realizuan me sukses. Në këtë rast u afrua dhe një donator kosovar për Fishtën dhe ky është zoti Sabri Maxhuni.
Kjo është diçka shumë e nderuar. Si te shtëpia e Fishtës ku ai ka banuar dhe që është monument, dhe te vendi ku ka lindur, dolën një mal me probleme pronësie që pengojnë pa fund. Sot e kësaj dite te shtëpia monument kulture në DRKK e Shkodrës, megjithëse është kërkuar, nuk ka ardhur një pasardhës ose pronar të tregojë me certifikata pronësinë. Asnjë! Askush deri tani nuk ka sjellë realisht në institucion një certifikatë pronësie! Pra nuk nxjerr qoftë dhe një certifikatë pronësie në shtëpinë ku ka banuar, kurse ata që kanë pronë vendin ku ka lindur “as që e duan këtë moment kërkimi të tabanit të shtëpisë” duke bërë dhe letra kundërshtie si në DRKK Shkodër dhe në IMK në Tiranë. E janë të gjitha me letra të tilla veprime në DRKK Shkodër. Ndërkohë një lumë fjalësh të mëdha, fjalimesh në televizione lokale dhe qendrore vijnë për “mos kujdesin”, dhe nuk kuptohet se kush nuk kujdeset, por që përmenden fjalë lavdesh për Homerin, për ti drejtuar akuzat nuk dihet se ku. Vetë zotërinjtë e ministrisë kanë kërkuar gjithmonë momentin e një koncepti restaurues dhe konservues, por që gjithmonë janë gjendur përpara vështirësisë së pronësisë mbi shtëpinë. Këtë moment dikush e di si “pronësi të shtetit” pse është Monument Kulture në fakt, por ky është një moment varfërie ligjore (dijenie) i tyre në përgjithësi dhe i disa elementëve në veçanti.
Fjalimet butaforike në media vazhdojnë, por konkretisht asgjë në fakt nuk ka dhe shkon ku shkon problemi e mbetet te pronësia dhe donacioni nëqoftëse do që të jetë pikërisht në këtë status, ose “DONACION” dhe mbas tij një donator. Mbasi zotëria në fjalë i paraqitur si një donator, kupton (i sqarohet nga DRKK Shkodër) se për çdo restaurim duhet një projekt dhe se projekti ka kërkesat e veta dhe se i duhet drejtuar DRKK Shkodër që e ka në varësi territoriale objektin vetëm ditën e premte të kaluar, jo në drejtimin direkt zyrtar, por nëpërmjet specialistit të sektorit të Lezhës për DRKK e Shkodrës, vjen një i ashtuquajtur projekt në DRKK Shkodër! Absolutisht në mënyrë të menjëhershme dhe i postuar të hënën zyrtarisht, ky projekt edhe pse me të meta thelbësore, tepër të mëdha teknike dhe ligjore ju është përcjellë si dërguesit (që si licensë kishte diçka nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe në Krahinën Autonome të Kosovës) e natyrisht për dijeni IMK-së në Tiranë.
Edhe pse projekti i famshëm nuk kishte dy ditë në zarf (sepse ishte e shtuna dhe e diela në mes) vetë donatori i nderuar dhe që duhet respektuar për qëllimin e mirë të tij në web-sitin e Balkanweb (http://ëëë.balkanëeb.com/kultur%C3%AB/2691/projekt-per-restaurimin-e-shtepise-se-at-gjergj-fishtes-218986.html) thotë sipas tyre se: Ai ka paraqitur kërkesën edhe projektin që sipas tij, ruan identitetin e kësaj shtëpie, ndonëse ende nuk ka marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës. “Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë. Më vjen keq ta them por mua më duket se rinia dhe fëmijët tanë dijnë për të madhin At Fishta”, thotë ai. Kërkesa ndonëse i është dërguar edhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, sërish nuk ka patur asnjë reagim konkret.
Shpresojmë që së shpejti të njoftojmë për fillimin e punimeve në restaurimin e kësaj vepre monumentale të historisë sonë kombëtare. Kështu shkruhet në lajmin e web-sitit në Balkanweb. Sërish konsum mediatik dhe butafori po i themi mediatike, sepse nga paraqitja (jo zyrtare në DRKK, sepse zoti Maxhuni nuk i ka dërguar zyrtarisht DRKK Shkodër asgjë, atë projekt, e ka sjellë sektori i DRKK Lezhë) nuk ka kaluar kurrfarë kohe dhe DRKK Shkodër ka bërë lëvizjet e veta ligjore të menjëhershme dhe protokollare. Pyetjet janë të qarta tashmë për “butaforinë mediatike” të kujtdo që hedh baltë kushedi se ku, se “çfarë përgjigje duhet të merrnin nga Ministria e Kulturës”? Në çfarë pike kjo ministri është bërë pengesë? Ministria e Kulturës dhe drejtoritë e saj të varësisë, janë të gatshme ligjërisht të bashkëpunojnë me çdo donator dhe projekt, por ligjërisht dhe me rregulla të qarta të shtetit shqiptar. Ministria e Kulturës dhe DRKK e Shkodrës e kanë Monument Kulture “Shtëpinë ku për disa kohë ka jetuar At Gjergj Fishta” por nuk e kanë pronë të tyre.
Po ta kishin pronë të tyre, nuk do të kishin aspak nevojë ti merrnin dorën askujt. Butaforitë pastaj, me “shitje dhe blerje” të cilat mundohen të ju imponohen si ministrisë dhe kujtdo tjetër janë gjëra që as që ja vlen të merresh. Restaurimi, konservimi, projektet muzealizimi në monumentet e kulturës bëhen në formën e projekteve dhe për monumentet projektet bëhen nga të licensuarit dhe specialistët e ministrisë dhe drejtorive, por pronësia është vendimtare dhe normalisht dhe lekët apo donacioni në para mbi këtë bazë të sqaruar prone bëhet. Projekti ka rregulla dhe prandaj duhet shkuar te firmat e licensuara nga IMK dhe Ministria e Kulturës. Pranimi i projektit në KKR dhe KKA e bën atë të zbatueshëm. Dakort? Të tjerat janë butafori dhe përralla dushku, sepse dimri sapo ka ardhur.
Një projekt nga zoti Maxhuni si një donator ka ardhur të premten në drekë, por i postuar nga specialisti i sektorit Lezhë në varësi të DRKK Shkodër, dhe kjo e fundit të hënën, pra dje ju ka kthyer (zyrtarisht me postë) përgjigjen si zotit Maxhuni dhe për dijeni IMK-së në Tiranë. Çfarë ka këtu për të thënë fjalë të kota për vonesa dhe vëmendje apo dhe të tjera të cilat unë i quaj “butafori provinciale dhe mediatike”. Çdo gjë ka ndodhur brenda dy ditëve si kujdes dhe si përgjigje. Pastaj se si është problemi me ligjet dhe zbatimin e tyre, ky është sigurisht një moment tjetër, i cili nuk ka të bëjë me vonesa ose jo vëmendje, por me zbatim ligji dhe rregulli. Të tjerat fjalë, janë butafori dhe në kurriz të figurës së patër Gjergjit.