Që nga dita e hënë, Flamur Shehu nuk është më trajner i skuadrës së Butrintit, pasi i ka dorëzuar presidentes së klubit, Florjana Koka, dorëheqjen e tij. Megjithatë, mësohet se kjo e fundit ende nuk e ka miratuar largimin e trajnerit dhe, sipas tifozëve sarandjotë, kemi të bëjmë me një mosimpenjim nga ana e numrit një të klubit për zgjidhjen e menjëhershme të situatës së vështirë ku ndodhet skuadra. Sipas tifozëve, duhej emëruar menjëherë trajneri i ri, duke qenë se të shtunën skuadra do të luajë një ndeshje direkte me Elbasanin, një nga ekipet rivale në garën për mbijetesë.
Duhet theksuar se nga ana e klubit nuk ka ende asnjë deklaratë në lidhje me dorëheqjen e ish-trajnerit Shehu nga drejtimi i stolit të ekipit. Skuadra gjatë këtyre ditëve është drejtuar nga kapiteni Dhiogjen Muço dhe lojtari tjetër Artan Meçani. Ndërsa burime pranë klubit kanë bërë me dije dje se kryebashkiakja Koka ka emëruar në krye të stolit kapitenin Muço, por edhe në këtë rast ka munguar zyrtarizimi me një njoftim për mediat. Deklarata -
Ndërkohë ishtrajneri Shehu, në një prononcim për "Panorama Sport", në lidhje me vendimin për t'u larguar nga skuadra, ka deklaruar: "Dorëheqjen time e kam dhënë që ditën e hënë. Pasi analizova situatën, personalisht mendova që është më mirë të marr këtë vendim. I falënderoj të gjithë tifozët e Butrintit që më mbështetën në punën time, po ashtu falënderoj edhe presidenten Koka, e cila e mirëkuptoi vendimin tim".
Akuzat
Ka mjaftuar një status i bërë nga faqja "KS Butrinti Sarandë" në "Facebook" ku bëhej me dije largimi i trajnerit Shehu nga drejtimi i skuadrës, që mes ishteknikut dhe kapitenit Dhiogjen Muço të nisin edhe replikat dhe akuzat.
"Me intriga erdhe dhe me intriga ike, akoma nuk e kupton që je ti shkaktari i gjendjes së Butrintit", ka shkruar Muço në komentin e tij. Por, nuk ka vonuar shumë kundërpërgjigja e Shehut, që ka ardhur menjëherë.
"Unë kam kërkuar dorëheqjen pas atij teatri që u bë në ndeshjen me Cërrikun. Pas analizës që bëra me futbollistët, mora SMS të qartë që, në ndërthurje me lider të ekipit dhe klanit ordiner të Sadik Sadikut, doli që me Cërrikun u tolerua vetëm që unë të largohesha nga drejtimi i ekipit. Pasi mora dhe garanci nga kapiteni i ekipit si promotori i kësaj situate se me dorëheqjen time dyshja Sadik-Kapiten shpëtojnë Sarandën nga rënia nga kategoria, në këtë situatë pranova si profesionist të dorëhiqem për të mirën e ekipit", ka shkruar ndër të tjera Shehu, i cili falënderon drejtuesit dhe tifozët për mbështetjen që i kanë dhënë. Duhet sqaruar se Sadik Sadiku është trajneri i ekipeve të moshave në Sarandë.
Përgatiti: ARMAND HALILI