Butrinti para 80 vjetesh ne shenimet e Sotir Koleas

Butrinti para 80 vjetësh në shënimet e Sotir Koleas
Dhe kjo zgjedhje nuk zhgënjeu njeri. Brenda fare pak viteve, Kolea ia doli të ngrejë Muzeun Kombëtar dhe të vendoste bazat e para shkencore, rregullat për menaxhimin e kulturës shqiptare në Muze dhe në Bibliotekën Kombëtare.

"Punërat e Muzeut", siç i quan Kolea, i bënte të njohura pas udhëtimeve të shumta në çdo cep, ku zbuloheshin sende të vjetra. Gjithçka gjendet sot në raporte të hollësishme për ministrin e Arsimit, shkruar me shqipen e vjetër të para Kongresit të Manastirit. Vendosjet e rregullave në çdo zbulim, kërkim, apo ruajtje objektesh muzeale, Kolea ia doli t‘i "murosë" në ligje të veçanta. Në Arkivin Qendror të Shtetit përgjatë viteve 1928-1937, gjendet i gjithë aktiviteti për Muzeun, pasurimin, mbrojtjen nga shteti për zbulimet e pasurive të fshehura në shekuj, kudo ku dilnin, qoftë rastësisht në Butrint, Lezhë, Apoloni, Bicaj, Krujë, Shkodër, Berat, bashkë me historikët e qyteteve antike të Shqipërisë, etj., të shkruara nga Kolea vetë.
80 vjet më parë, ndërsa nuk njihej thuajse aspak prej shqiptarëve, Butrinti arkeologjik vizitohej rregullisht nga turistë të huaj, që mbërrinin me anije nga Korfuzi. Shënimet e para të asaj kohe për Butrintin, në një raport për ministrin e Arsimit, i sjell Sotir Kolea, drejtori i Muzeut dhe Bibliotekës Kombëtare, i cili kërkon në mënyrë urgjente, ndërtimin e rrugës Sarandë-Butrint: "…Që sot, ndonëse zëri i gërmimeve nuk është përhapur, të vetmit që e kujtojnë janë llukantarët (varkaxhinjtë) e Korfuzit për të tërhequr vozitësit (turistët) e huaj. Shëtitarë të shumtë vijnë dy-tri herë ndë javë për të parë çuditë e zbuluara. Gjithë këta vozitënë me anë të Korfuzit, sepse nga Saranda nuk ka rrugë, as lehtësira për të vajturit me anë të detit… Fitimet që do të vijnë nga kjo rrugë mund të jenë shumë, ndofta të tilla, sa që të shlyejnë për së shpejti, atë çfarë do të paguhet për të...".

Në raportin më datë 22 qershor, 1930 Kolea përshkruan rrugëtimin aventuresk për në Butrint, situatën, problemet e mbijetesës së zbulimeve arkeologjike dhe jetesës. Mbi gjithçka, merakun e madh që çdo zbulim arkeologjik, jo vetëm që duhej ruajtur, por sidomos, nuk duhej lejuar që të ikte matanë kufirit shqiptar. Më tej, një vizion i qartë për zhvillimin dhe kthimin e Butrintit në qendër të vizitueshme nga të huajt, zhvillim të qartë ekonomik të fshatrave përreth.

"U nisëm në 17 të muajit nga Porti i Durrësit, pasi atë ditë kishte udhëtim për në Sarandë më i afërti vapor. Harritmë në 18 të muajit herët në Sarandë, gjetëm volijën e mbarë të një benzinate të shoqërisë DELE, që ishte në të nisur për në Tivar dhe me këtë mënyrë, arritëm po atë ditë ndë grykë të lumit, që është sot e vetmja rrugë për të shkuar në vendin e gërmimeve në Butrint. Në datë 19, me të rreshtur pak shiu, në mëngjes herët, u nisëm bashkë me dy ushtarë nga ana e malit dhe pas një copë here me aftë të gjatë, arritëm në kështjellën e hershme në majë të të cilës, ku ka ngrehur tendat z. Ugolini me shokët e vet", shkruan Kolea në raport.

Më tej, rreshton zbulimet e bëra deri atë kohë: "Zoti Ugolini thotë se u muar më shumë me: 1- të qëruar një tempull të Zonjave (Nimfat) ku janë gjeturë 2 statuja (njëra e Bakut e tjetra e Apolonit); 2- me të përtërijturë pjesën e cënuar të mozaikës së madhe të pantejesë (Pantheum), punë për të cilën ka prurë prej Italie 3 punëtorë të stërviturë të Muzejës së Romës; 3- me të shtruarë të rrugës që ka hapur buzë lumit gjer ndë majë të kështjellësë; 4- me të kamaturë pjesat e ndërtesave të hershme, që janë ndë rrezik të shëmburi". Ndër zbulimet, Kolea përmend statujat më të bukura të gjetura në Butrint. "Përveç teathrës me tempullin e Shkëlepit (Esculape), banjës së madhe edhe Pantejës, janë për të shënuar tempulli i Zonjave (Nimfeja), Porta e madhe (Porta e mëngjër), Porta e Luanit, dhe Kaut ende e pa çliruarë nga dherat që e mbulojnë, dy tempuj të hershëmë, të kthyer ndë kishëra krishtërimi ndë kohën e Bizantit, një sternë brenda ndë shkemb, e cila buron nga tri birra ujë të squfurt, që mund të ketë rëndësi fort tepër të madhe për diturinë e mitofologjisë, mbasi mund të merret si një përgjigje shembërë e përrallës së qartës së Uridës (Minervës), dhe Bushit (Neptunit), për zotërimin e Athinësë.. Sidoqoftë, zbulimet e bërë deri sot, janë tepër të shënuara edhe nga bukuria dhe mjeshtëria e punimit, por edhe nga fati i mirë që i ruajti krejt, ose fare pak të cënuara".

Për punën që bën Ugolini, të rëndësishme mbeten punimet e dyta: "Vargu i dytë i punimeve do të nisë në fund të gushtit dhe do të zgjasë gjer në fund të Vjeshtës së parë, në mos pengoftë moti. Në këto punime të dyta, ka qëllim që të zbulojë krejt pjesën e dytë të theatrit të çuditshëm dhe të begatë që ka qitur ndë dritë..".

Por për Kolean, me vlerë janë edhe zbulimet e varreve antike, ku gjenden objekte me vlerë, eshtra, të cilat nëse analizohen, përcaktojnë kohën që kur Butrinti ishte qytet me gjallëri dhe jetë. "…Sipas fjalës së Ugolinit, simvjet nuk u çelën shumë varre të hershme përveç atyre që u ndodhën gjatë rrugës së përmendurë më sipër. Ndë këto varre, janë gjetur poçarina dhe vogëlina të tjera, për të cilat, z. Ugolini thotë se nuk kanë vlejë të shënuarë, ndaj nuk ka vënë dorë mbi varre tjerë që kanë mbetur pa u çelë andej-këndej rrugës. Vogëlijat e gjeturë ndë varre të çelurë, z.Ugolini i ka mbledhurë ndë arka me kashtë të mbyllura dhe vulosura…".

Kolea me dyshim flet për eshtra (që i quan "rrashta") të vjetra të gjetura në disa varre, pasi një pjesë prej tyre, Ugolini i ka dërguar pa u ndjerë në Itali!!. "..I bëmë fjalë për rrashta krerësh (eshtra) që gjan me domeos të ketë gjeturë ndë varret. Mbi këtë pikë, mësuem prej tij, se gjeti disa rrashta me nga një vëth të ramëtë, o verigë rami (hekur), të vënë nga ana e mengjerët. Nga ana e djathtë nuk u gjet gjë, (provë se ishin varre meshkujsh). Ndër të tjera, gjeti një rrashtë me ovullën për Lundërën e Kurundit të ngulura ndër dhëmbë, gjë që fort rrallë është gjendurë deri sot. Mbi këtë, treguam gëzimin dhe shpresën se Muzeja jonë ka për të pasurë kështu një lëndë të afërtë për shqyrtime kranioskopike dhe mësuamë, se m‘u për këtë qëllim, i paska dërguar ndë Romë disa rrashta!!!", shkruan me dyshim Kolea.

Në vitet ‘30, kujdesi i shtetit për zonat arkeologjike ishte aq i vogël, sa mund të sillte efekte të padëshirueshme, çka duket nga përshkrimi që Kolea bën për gërmimet e bëra, bashkë me sugjerimet: "… Gërmimet që bën z. Ugolini duhen vëzhguarë nga afër. Një i dërguar i ministrisë duhet të ndodhet ndë vend që ditën e të nisur të punimeve, gjer në të mbyllurit të çdo viti. Çdo vogëlsirë që mund të zhduket lehtë, duhet të merret me shënim me të dalur ndë dritë nga toka dhe duhet vënë në ruajtje të një poste të ushtrisë, që ka disiplinë, vetëm urdhërin… Çdo mënyrë tjetër të vepruari, nuk ka për të mbushur të plotë qëllimin e sigurimit të sendeve të zbuluara…".

Kolea është i ndërgjegjshëm se për realizimin e kësaj pune, nevojiten investime jo të vogla. "…Vendi përreth është i shkretë, as katund, as shtëpi, as kasolle, as rrugë nuk ka. Katundi më i afërt është 4 herë larg dhe vetëm me këmbë, e vështirë të kalosh mes ferrave dhe drizave që kanë mbytur malin… Të mos kishte qënë kasolle e shoqërisë DELE dhe përfaqësia e saj, që na u ndodh me bukë e vend për të fjetur, do të qemë shtërnguar t‘i bijemë ndë këmbë Dërgatës së huaj, punë as e pëlqyer dhe as gjan se bëhet. Ujë për të pirë nuk ka, ushqime, përveç peshkut, aspak. Aty dhe buka sillet nga Saranda me det, o domeos nga Korfuzi, sado herë që t‘i bjerë volija, sepse edhe të lëvizurit me det, nuk është i rëndomtë dhe i lehtë nga shkaku i fortunave. Po dhe kështu, nuk mund të merren sende ushqimi me shumicë, se nga lagështira e madhe e ajrit, ato myken e qelben. Duhet pra, pikë së pari, të ngrehen ndërtesa për të ndenjur i dërguari i ministrisë, për të strehuar postin e ushtrisë dhe për të vluar (ruajtur) sendet që do të dorëzohen për këtë qëllim. Ndenjtja e të dërguarit të qeverisë gjan të jetë e pajuarë me gjithë sa duhen për të fjetur, për t‘u mbrojtur nga mjegullat, mishkonjat, cfurqet, nepërkat e shumta, që u kanë kallur datën njerëzve të tyre. Duhet dhe më, të renditen sendet për të ruajtur ushqimet dhe për të gatitur të ngrënatë. Vetëm për të prurë ujin për të pirë, duhet një shërbesë e posaçme. Në mos u bënë këto, as detyrën nuk mund ta kryejë, por dhe as të rrojë, qoftë për dy ditë kush, ndë atë vend të shkretë dhe të vetmuarë...".

Skrupuloz, kërkues dhe mbi të gjitha, mbrojtës i pasurive të vendit, Kolea nën okelion "Çfarë duhet bërë tjetër", mes të tjerave, përshkruan edhe kushtet e punës për Ugolinin, pasi ka vërejtur kalimin e disa objekteve përtej kufirit: "…Përveç këtyre, i duhet bërë e qartë zotit Ugolini të mos nisë paskëtaj punimet pa lajmëruarë me kohë ministrinë. Sa për punimet që bën, raportet duhen përcjellë në ministri për sendet e zbuluara. Kjo detyrë nuk është mbushur gjer mbë sot nga sa dimë, ose raportet janë endur, por për të tjerë…Edhe për të mbarturit e sendeve…ngjan të ndryshohet mënyra e veprimit. Me këto të mbartura, duhet të ngarkohet posta e ushtrisë, që me t‘i shënuar një nga një, t‘i përcjellë me rojë gjer në Doganë të Durrësit. Por dhe kjo doganë, të mos t‘i lëshonjë ndë dorë të askujt, siç bëri vjet me dy arka të peshuara dhe të vulosura nga dogana e Sarandës, dhe të dërguara në emër të Ministrisë së Arsimit".

Megjithatë, ai di të njohë dhe vlerësojë punën e bërë nga Ugolini në këtë zonë arkeologjike: "Duhet njohur shërbesa që zoti Ugolini ka bërë për arkeologjinë dhe së bashku edhe për Shqipërinë, me zbulimin e qytetit të Butrinti, i cili, kur të përhapet buja ndë botë, ka për të qënë një vend vizitash të mëdha të huajsh dhe të diturësh, sepse janë të paktë viset që mund të rrefejnë rënime kaq të bukura dhe aq të pacënuara. ..Kjo bujë ka për të ushtruar kur të zbulohet lëma e tërë e qytetit dhe e kështjellës, punë që do kohë të gjatë..."

Në vizionin e Koleas, urgjente mbetet ndërtimi i rrugës Sarandë- Butrint: "nevoja më e madhe, që duhet të përballohet sa më shpejt, është të shtruarit e rrugës Sarandë-Butrint. Fitimet që do të vijnë nga kjo rrugë mund të jenë shumë, ndofta të tillë, që të shlyejnë për së shpejti çfarë do të paguhet për të Të huajt që vijënë verës për të parë rënimet e Vithrinësë dhe dimrit për të gjuajturë, do të shtohen dhe do të kenë të zbresin ndë Sarandë meqë sot venë me anë të Korfuzit, pa shkelur në tokën e Shqipërisë". Për të merr rendësi edhe ringjallja ekonomike e fshatrave përreth nga ky aktivitet. "...Një fitim edhe më i madh mund të jetë të ngjallurit e të 15 katundeve që paskan qënë selitur ndë atë rreth gjer sot e ndonjë qind vjet më parë dhe nga nuk ka mbetur as një kasolle. Tokat e tyre (vreshta, ullinj, yrte, etj.), përdoren gjer tashti për kullota dimri, por dhe këto do të zhduken për së afërmi, sepse askush nuk u jep as dy vjet jetë, se i ka mbyturë ferra dhe driza...".

Cili ishte Sotir Kolea?

Beratasi Sotir Kola (1872-1945) mbetet një nga figurat komplekse për kontributin në shumë fusha, si një patriot në bërjen e shtetit të parë, në politikë, diplomaci, kulturë, publicistikë, shkencat linguistike, kulturën popullore.

Aktiviteti i tij i shumanshëm u zhvillua mes viteve 1890-1945, kur mbylli sytë. Në vitet 1890-1912 jep ndihmën për bashkimin e shoqatave të emigracionit për pavarësinë, merr drejtimin e tyre. Në periudhën 1912-1920 përfshihet në politikën diplomatike shqiptare dhe si publicist në gazetat e shumta si "L‘Albanie", të huaja, etj., ku trajton çështjet kombëtare. Ndërsa në vitet 1928-1945 kontribuon në zhvillimin e kulturës kombëtare, leksikografi, folklor, shkencat e natyrës, etj. Për 10 vjet, 1928-1937, drejtoi Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar, ndërsa në shuarje të jetës, nën kujdesin e Lef Nosit, boton të parin libër me proverba "Proverba" në vjeshtë të 44-s, i pari botim i këtij lloji në Shqipëri. Mbetet ndër emrat që kujtohet për historinë e zhvillimit politik të vendit, por edhe si kontribuues i vlerave të veçanta në zhvillimin e disiplinave të ndryshme shkencore, gjuhësore, kulturore, publicistike.

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama