Buxheti drejt epokes se qindarkave

Buxheti, drejt epokes se qindarkave
Rënia e të ardhurave në buxhetin e shtetit, kombinuar me rritjen e shpenzimeve të qeverisë, po rezulton në një situatë të pashpresë deficiti, i cili mund të mbulohet vetëm me më shumë borxh. Ky i fundit ka arritur sakaq në nivelin e 60 për qind të PBB-së. FMN kërkon ulje shpenzimesh dhe rritje taksash, ndërsa qeveria nuk pranon të ulë taksat dhe kërkon të rrisë shpenzimet. Në mungesën e një formule çudibërëse për zgjidhjen e këtij ngërçi logjik dhe praktik, punët janë keq. Por ka vend edhe për më keq

Si i bëhet kur nuk ka para? Në mijëra vjet ekzistencë njerëzore, pa pasur nevojë për studiues, teori shkencore, apo llogari, njerëzit e kanë ditur përgjigjen: “duke shtrënguar rripin”. Studime nga shekulli i XIX tregojnë se kur ekonomia ecte keq fshatarët e Europës, ndalnin marrëdhëniet seksuale me qëllim që të mos bënin fëmijë, derisa “kriza” të kalonte. Në zona të tjera, ku martesat ishin ceremoni të zhurmshme e të kushtueshme, dasmat shtyheshin. Por, në kohën tonë ekziston edhe një alternativë që më parë nuk ishte e disponueshme: mund të lihet shtëpia peng, të merret kredi, dhe të vijohet jeta normalisht.
Në një dilemë të tillë duket se gjendet Shqipëria sot.

Shqiptarët sipas të dhënave zyrtare, gjatë 5 muajve të parë të vitit kanë rritur kursimet personale. Në të njëjtën kohë kanë ulur shpenzimet. Shitjet me pakicë ishin -7.1 për qind në marsin e këtij viti në krahasim me një vit më parë. Konsumi i ushqimeve nuk ka ndryshuar, por ama ushqimet e shtrenjta janë konsumuar më pak (rreth 6 për qind). Po kështu, produkte të luksit kanë shënuar rënie edhe në kozmetikë dhe produkte sanitare me rreth -6.8 për qind, ndërsa pajisjet shtëpiake flasin për një rënie spektakolare me -18.3 për qind. Blerjet dhe riparimet e automobilëve e motoçikletave, janë një tjetër tregues që flet për rënie konsumi me -21.4 për qind.

Natyrisht, që rënia e konsumit në shkurt dhe mars, që ishte më e madhe se në janar, mund të lidhet me pasigurinë politike të krijuar pas trazirave të janarit. Si shumica e njerëzve në botë, edhe qytetarët shqiptarë, bizneset dhe organizata të ndryshme nuk mendojnë të lënë peng shtëpitë për të vijuar një stil jetese si në kushtet e parakrizës. Ka vetëm një institucion në vend, i cili është irracional në këtë drejtim edhe sepse nuk ka nevojë të lërë peng shtëpinë e vet, por atë të taksapaguesve: qeveria.

Ka para dhe kur s’ka?!

“Ekonomia shqiptare ka treguar një fuqi të admirueshme në të shkuarën e afërt”. Kjo është fjalia që hap konkluzionet e Misionit të FMN-së në Tiranë. Fjalia tepër entuziaste i referohet të shkuarës, por ama i përket së tashmes, dhe mund të thuhet se përfaqëson frymën e raportimit që vijon. Shqipëria nuk e ka më atë fuqi ekonomike të së shkuarës. Në konferencën për shtyp të organizuar me këtë sebep, mes të tjerash, drejtori i Misionit, Gerwin Bell tha se Shqipëria mund të rrisë tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatim-fitimin (dmth. të ashtuquajturën taksë e sheshtë) nga niveli aktual prej 10 për qind në 12 deri në 15 për qind (sa më shumë më mirë).

Me fjalë të tjera, kjo qe një mënyrë diplomatike për të thënë që në fakt shqiptarëve, pa dallim nëse punojnë në sektor publik ose privat, duhet t’u ulen pagat me 2 deri në 5 për qind, sepse zgjidhja alternative është të lësh shtëpinë peng. Dhe ndryshe nga fqinji i saj, Shqipëria nuk ka shumë “ishuj për të shitur”, siç ishte batuta gjermane para rreth një viti për murtajën greke.

Sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Financave, të ardhurat e realizuara në buxhetin e shtetit për 5-mujorin e parë të këtij viti janë 130.1 miliardë lekë, krahasuar me 128.7 miliardë lekë në 2010-n, çka përkthehet në një rritje prej vetëm 1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Duke pasur parasysh inflacionin shpërthyes të këtij viti dhe rritjen e taksave, kjo do të thotë se të ardhurat e buxhetit të shtetit, janë praktikisht në rënie. Gjatë dekadës së fundit, buxheti është lezetuar me rritje të të ardhurave me 8, 10, apo edhe 15 për qind vit, si rrjedhojë e rritjes ekonomike, apo dhe të ardhurave nga emigracioni. Fakti që për një vit, të ardhurat e buxhetit të shtetit nuk rriten, mund të mos jetë fundi i botës. Problemi është se ndërsa të ardhurat janë rritur me 1 për qind, shpenzimet janë rritur me 10.3 për qind. Sipas FMN-së, në rast se vijohet në këtë rrugë, deficiti buxhetor do të shkojë në një shifër të barabartë me 4.5 për qind të PBB-së për këtë vit. Si qeveria, ashtu dhe FMN-ja bien dakord se në rastin kur deficiti është më i lartë se 3 për qind të PBB-së, nuk është fort mirë. Por, ndërsa FMN mendon se e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë problem është rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve, qeveria beson në ekzistencën e një zgjidhjeje magjike: “Jo” rritjes së taksave – “Po” rritjes së shpenzimeve.

Megjithatë, ulja e pagave e kërkuar nga FMN nuk ka gjasa të ndodhë nëse merret parasysh deklarata e Kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se jo vetëm që nuk do të ndodhte diçka e tillë, por madje do të rriten (indeksohen) paga e pensione. Në fakt, më shumë se deklaratë bëhet fjalë për një projekt konkret, duke qenë se janë ndarë mënjanë 2.8 miliardë lekë. “Nuk do rrisim borxhin dhe kjo është deklarata jonë, 59.4% ka qenë vjet, kaq do jetë dhe sivjet. Rrogat e pensionet do rriten, rrugë do ndërtohen se nuk mund të mbetemi vend i prapambetur””, deklaroi Kryeministri.

 Por se nga do të vijnë paratë, ai nuk e tha.
Qeveria vepron me rehati të madhe në këtë drejtim, duke qenë se opozita e ka zët të thotë që “shqiptarëve nuk u duhen rritur pagat”. Edhe kur ajo nuk i thotë gjërat tamam në këtë formë, sërish qeveria e komenton pikërisht kështu. Dhe në një farë mënyre, nuk gënjen. Rrjedhimisht, nuk ka kush që të kundërshtojë “rritjen e mirëqenies së shqiptarëve”, sado iluzive të jetë ajo. Përkundrazi, ka pasur raste në të shkuarën kur ndërsa qeveria rriste paga e pensione përmes borxheve, opozita ka ngritur zërin duke thënë se duheshin rritur edhe më shumë. Ndodhi të tilla ngjajnë kryesisht në vende ku qeveritë besojnë se populli është shumë i ngadaltë në kuptimin edhe të aritmetikës më elementare.



Borxh për të larë borxhet e... borxhit

Borxhi i vendit vërtitet aktualisht rreth nivelit prej 60 për qind të PBB-së. Është folur shumë nëse ky nivel është i lartë apo normal. Ndoshta opinioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë nivel mund të jetë i vlefshëm. “Niveli 60 për qind i borxhit në raport me GDP është një maksimum për vendet e zhvilluara me pjesëmarrje të gjerë në tregjet ndërkombëtare, por për vende në zhvillim e sipër si Shqipëria ky është një nivel shumë i lartë dhe duhet të nisë që të ulet. Nuk ka rëndësi nëse do të zbresë në 52 apo në 48, synimi është që kjo shifër të ulet”.

Por, me ç’po shihet nga dinamikat e deritanishme buxhetore, qeveria nuk ka ndër mend të rrisë taksat, as të ulë shpenzimet dhe paralelisht me këtë, të ardhurat e buxhetin e shtetit nuk po rriten. Por jeta duhet të vazhdojë dhe në këtë pikë pyetja e madhe është: Nga vijnë paratë? I vetmi shteg është borxhi. Të marrësh borxh në kohë krize nuk përbën skandal, por ta bësh këtë duke tentuar të ruash të njëjtin stil jetese, përbën vetëvrasje fiskale.

Jo gjithkush e sheh çështjen në këtë mënyrë. Qeveria shqiptare nuk i ka ndalur ambiciet e saj për të marrë më shumë borxh, një pjesë e të cilit riciklohet në pagesën e borxheve të vjetra, ndërsa pjesa tjetër investohet në projekte që nuk garantojnë përfitueshmëri afatshkurtër apo afatmesme. Edhe rritja e paga-pensioneve, në kushtet aktuale, ndonëse realizohet përmes borxhit, në fakt, realizohet edhe përmes inflacionit, dhe mbi të gjitha bëhet në një kohë kur njerëzit kanë zgjedhur që të mos shpenzojnë.

Bell, deklaroi se financat shqiptare janë përsëri në një situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar, ku buxheti ndodhet nën presion. Ai tha se rekomandimi kryesor për këtë vit në vazhdim është shkurtimi i buxhetit me 20 milionë dollarë, dhe kjo është një përparësi e ngutshme.

“Rekomandimi ynë i parë është që këtej e tutje hartimi i buxhetit të vendoset në parametra realistë. Vitet e fundit buxheti është bazuar në parashikime optimiste, dhe do të ishte mirë që ai të bëhet me më shumë realizëm që në fillim, në mënyrë që të mos bëhen shkurtime në mes të vitit”. Sesa realistë kanë qenë termat e hartimit të buxhetit, diçka e tillë mbetet ende për t’u parë, por ndërkaq, qeveria ka ndërmarrë një valë të re privatizimesh, duke nxjerrë në treg jo më ndonjë ndërmarrje shtetërore, por, hidrocentralet. Në këtë drejtim përfaqësuesi i FMN-së ka dhënë po ashtu një këndvështrim me vlerë.

“Nëse dalin para shtesë, ato duhen përdorur për reduktimin e borxhit. Nëse ka të dhëna negative, atëherë duhen bërë shkurtime. E rëndësishme është që procesi i buxhetimit të vendoset mbi një rregull të saktë dhe një nga rregullat do të ishte objektivi për uljen e borxhit”, theksoi Bell, duke shtuar se ekzistojnë mundësitë për reduktimin e borxhit në nivelin 50 për qind të PBB-së brenda 5 viteve.

Në tetor të vitit 2010, Banka e Shqipërisë lëshoi një gjysmë-alarm mbi çështjen e borxhit publik të vendit. Në fund të vitit, 2009, borxhi jashtëm bruto i vendit arriti në 3.3 miliardë euro, nga të cilat gjysma i përket qeverisë, ndërsa pjesa tjetër është borxh i marrë nga sektori privat, në një total prej 38.2 për qind të PBB-së. Vetëm në 6 vjet borxhi i jashtëm bruto u rrit ndaj Produktit Kombëtar me 13.1 për qind, duke kërcyer nga 25.1 për qind e PBB-së që ishte në vitin 2003 në 38.2 për qind në fund të vitit 2009.

Ndërsa për vitin 2010, sipas Ministrisë së Financave, stoku i borxhit publik arriti në 715.5 miliardë lekë, ose mbi 5.1 miliardë euro. Borxhi i qeverisë qendrore përbëhet nga borxhi i brendshëm, që në fund të vitit 2010 zë rreth 57% të stokut dhe borxhi i jashtëm me 43% të stokut. Kështu edhe gjatë vitit 2010 ndryshimi i strukturës borxh i brendshëm/borxh i jashtëm ka vazhduar në favor të këtij të fundit.

Në fund të vitit 2009 ky raport ishte 60.8% borxh i brendshëm dhe 39.2% borxh i jashtëm. Nëse borxhi i jashtëm do të vazhdojë të rritet me këto ritme, do të kalohet kufiri kritik dhe vendi do të jetë në telash. Në mungesë të rritjes së të ardhurave buxhetore krahas mos-uljes së shpenzimeve, i vetmi burim financimi mbetet borxhi. Por, borxhi është sakaq i lartë dhe mungesa e burimeve të shlyerjes së tij, lë të vetmen rrugë për larjen e huave ekzistuese, hua të reja. Në këtë kuptim, do të merret borxh, për të larë borxhet e borxhit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama